Edvini, i interesuar për projektet personale, jo për transparencën e zgjedhjeve

Deputeti Aldo Bumçi flet për spekulimet e opozitës me seancën e fundit të Kuvendit
Partia Demokratike shprehet se transparenca e zgjedhjeve e shumë përfolur nga qarqet e ngushta të opozitës, nuk është në interes të Edvin Kristaq Ramës, për sa kohë ky i fundit është më tepër i dhënë pas planeve të tij personale dhe për t’i arritur ato ka vënë nën shfrytëzim socialistët e thjeshtë dhe njëherazi po mashtron dita – ditës opinionin publik. Mazhoranca hodhi poshtë dje akuzat e pa baza të deputetëve të Partisë Socialiste lidhur me seancën e fundit parlamentare, e cila u karakterizua nga një maratonë e gjatë diskutimesh, për draftin e depozituar nga opozita, për transparencën e zgjedhjeve të vitit të kaluar.
Deputeti demokrat Aldo Bumçi deklaroi gjatë një konference për shtyp se opozita po përbalt qëllimisht seancën plenare, pavarësisht se Kuvendi miratoi një kërkesë të depozituar nga vetë Partia Socialiste. Bumçi shprehu vendosmërinë e mazhorancës për transparencën e zgjedhjeve, por njëherazi shtoi se opozita e Edvin Kristaq Ramës, nuk e dëshiron këtë transparencë, por është duke luftuar për interesat e rëndomta të këtij të fundit.
“Pas 24 orë diskutimesh të gjëra dhe të gjithanshme në Kuvend u votua nisma për ngritjen e komisionit hetimor Parlamentar të kërkuar nga opozita i cili realizon plotësisht kërkesat e Partisë Socialiste për transparencë të plotë dhe në respekt të kushtetutës dhe parimeve të shtetit ligjor, ashtu siç kërkohet dhe nga OSBE-ja dhe Këshilli i Europës. Mosmarrja pjesë në votim e deputetëve të Partisë Socialiste, përpjekjet e tjera për të tërhequr nismën në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutës dëshmojnë qartë se Edvin Kristaq Rama nuk ka asnjë interes për transparencën e zgjedhjeve, por vetëm për praktika bllokuese në interes të projekteve të tij personale”, u shpreh Bumçi.
Deputeti i Partisë Demokratike dhe anëtari i Komisionit Hetimor, Aldo Bumçi i apeloi kryesocialistit në detyrë që të dërgojë deputetët në punimet e këtij komisionit, për të realizuar transparencën e shumë kërkuar nga opozita në tërësi dhe Edvin Rama në veçanti.
“Se kush ushtroi dhunë në Kuvend në seancën e datës 19 Mars dhe kush bëri çdo përpjekje për të bllokuar Kuvendin, atë patën rastin ta shohin para kamerave të gjithë qytetarët shqiptarë. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike duke dënuar me forcë dhunën e ushtruar në Kuvend nga deputetët e Partisë Socialiste garanton se shumica është e vendosur të respektojë para së gjithash ligjet dhe kushtetutën e vendit. Në këtë kontekst ne ftojmë Edi Ramën të dërgojë emrat e deputetëve të tij për të filluar punën në komisionin hetimor”, deklaroi më tej, Bumçi.
Kuvendi miratoi në seancën e fundit plenare kërkesën e opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor. Me 73 vota ‘pro’ Kuvendi i dha jetë një prej nismave të shumë kërkuara nga socialistët, por ajo që la shije të hidhur për ta ishte pikërisht angazhimi institucional i shumicës parlamentare, për të kryer hetimin e zgjedhjeve në përputhje me ligjet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për Komisionet Hetimore. Por, tendencat e opozitës së Edvinit për të dalë mbi ligjin dhe Kushtetutën po merrnin goditjen e merituar në sallën e Kuvendit, kryebojkotuesi lajmëroi deputetët dhe ushtarin e tij Gramoz Ruçi, të tërheqin nismat e depozituara. Në momentin kur mercenarët e Edvinit menduan se e kryen me sukses “lojën” e tyre, pas më shumë se 24 orëve diskutimesh, mazhoranca shprehu zotimin e saj institucional, për t’i shkuar deri në fund premtimit të dhënë për hetimin e plotë të zgjedhjeve, sipas pretendimeve të opozitës. Qëndrimi i shumicës parlamentare për t’a aprovuar nismën e pakicës dhe duke i garantuar kësaj të fundit çdo dispozitë ligjore, u kundërshtua turpërisht. Socialistët u faktuan vetë përpara shqiptarëve se nuk kishin kurrfarë interesi për zgjedhjet e vitit të kaluar, veç disa tekave personale, të cilat i shërbejnë më së miri interesave malavite të Edvin Kristaq Ramës.
...