Edvini, i pashpresë, synon presionin me alternativën e ndarjes së PS-së

Rama ka zgjedhur rrugën e shantazhit, duke e vendosur PS-në përballë alternativës së rizgjedhjes së tij përmes një procedure formale, ose ndarjes së re të saj. Ende e paqartë nëse Edvini do të kërkojë që të mbajë të uzurpuar emrin e PS-së, përmes përjashtimeve staliniste të kundërshtarëve, apo do të marrë me vete deputetët besnikë e të formojë një parti private. Asambleja e sotme, prova e forcave mes rrugëve që gjenden para të majtës shqiptare
Edi Rama nuk heq dorë nga presioni për të imponuar idenë e mosnjohjes së zgjedhjeve nga PS-ja, ndërkohë që po e shtyn mashtrimin për bazën socialiste dhe militantët e partisë, duke “hedhur në treg” idenë “e avancuar” të zgjedhjeve të parakohshme. Në këto qëndrime kaotike, Edi Rama, duket se ka hequr dorë nga bojkoti i parlamentit, ndërkohë që pjesëmarrjen në Kuvend, e kushtëzon me një hetim parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit të këtij viti. Megjithatë, polemikat e sotme pritet të përqendrohen tek alternativat që do të vijnë pas zbatimit të nenit statutor për ndërprerjen e kryetarit të partisë. Edvini mendohet se do të tregohet i hapur ta administrojë formalisht dorëheqjen, me kusht që të rizgjidhet me anë të një procesi formal votimi. Në rast se këto garanci nuk i jepen, rrugët e PS-së shkojnë drejt një ndarjeje të re, paçka se ende s’është e qartë, nëse Edvini do themelojë një parti të re, apo do zbatojë teza staliniste, duke përjashtuar të gjithë të padëshiruarit. Gjithsesi, sot duket se do të jetë një provë e parë e forcës, kur Rama, me anë të pseudorezolutës së tij do të përpiqet të marrë peng krejt të majtën, për shkak të fatit të tij personal dhe të grupit të sekserëve që e rrethojnë.
Ndërkohë, kundërshtarët e Edi Ramës, pritet që sot të bëjnë publik qëndrimin e tyre, nëpërmjet një projekt-rezolute të dytë që do të kërkojnë të votohet nga Asambleja Kombëtare. Në funksion të saj, mësohet se dje, jashtë vëmendjes së medias është zhvilluar edhe një mbledhje e posaçme për këtë qëllim, ku kanë marrë pjesë shumë emra të selisë rozë dhe Arben Malaj e Ben Blushi, si kandidatët potencialë për kryetar partie.
Ndërkohë, në përfundim të mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, pritet që të dilet me një qëndrim lidhur me procesin zgjedhor të 28 qershorit, ku partia më e madhe opozitare në vend nuk arriti të fitojë numrin e nevojshëm të mandateve për të qeverisur vendin për katër vitet në vazhdim.
Projektrezoluta e mbështetësve të Edi Ramës
Qëndrimet “e reja” Edi Rama i ka hedhur në letër, në formën e një projekt-rezolute, që pritet të miratohet sot nga ana e Asamblesë Kombëtare të PS-së. Sipas kësaj projektrezolute, mësohet se qëndrimi i PS-ës për zgjedhjet është ai që është bërë publik deri më sot dhe ku thuhet se kjo parti vlerëson se zgjedhjet ishin të parregullta dhe të manipuluara, dhe se ajo nuk njeh rezultatin e tyre, si dhe produktin parlamentin dhe qeverinë.
Në rezolute shihet një kthesë nga qëndrimi i deritanishëm i socialistëve në lidhje me kuvendin e ri, në pikën ku thuhet se do të jenë prezent në parlamentin e ri për të hetuar sipas tyre masakrën zgjedhore të 28 qershorit. Një nga pikat e tjera të projektrezolutës së socialisteve pritet të jetë dhe kërkesa e tyre për zgjedhje të parakohshme si të vetmen mundësi, për t’i rikthyer legjitimitetin parlamentit.
Burime nga selia e PS-së, bëjnë të ditur se nga ana tjetër Edi Rama, nuk e ka kristalizuar ende idenë e dorëheqjes së tij, ndërsa vazhdon të besojë te loja me Asamblenë Kombëtare dhe Kongresin, forumet më të larta drejtuese të PS-së, të cilat do “e çertifikojnë” atë sërish si kryetar të partisë pas një mocioni formal besimi, të votuar nga njerëz që Edi Rama i ka zgjedhur me dorën e tij, për të përfaqësuar këto forume.
Edi Rama, i cili ka filluar të besojë vetë se ai është “shpëtimtari” i PS-së, mësohet se ka edhe një plan “B” në mendje, plan që ka të bëjë me një dorëheqje formale dhe me një rikandidim formal, për kreun e PS-së.
Projektrezoluta e kundërshtarëve të Edi Ramës
Projektrezoluta e hartuar nga mbështetësit e Edi Ramës, nuk pritet të jetë e vetmja që do të hidhet për votim sot në Asamblenë Kombëtare të PS-së. Sikurse edhe është paralajmëruar prej ditësh, Asambleja Kombëtare e PS-sës parashikohet të pasohet sot me përplasjen e dy rrymave të forta, të cilat duket se janë formësuar menjëherë pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Mësohet se zërat kundër kryetarit të PS-së Edi Rama, të cilët mendojnë se lufta politike bëhet vetëm brenda institucioneve, kanë përgatitur gjithashtu një projektrezolutë të tyren. Kjo projektrezolutë tenton gjithëpërfshirjen si dhe shprehet kundër qëndrimeve ekstreme mbi atë çfarë ndodhi në këto zgjedhje.
Projektrezoluta e kundërshtarëve të kryetarit Rama, do të jetë kundër mosnjohjes së zgjedhjeve si dhe mos pjesëmarrjes në kuvend.
Përfaqësues të këtyre qëndrimeve janë dy zërat kryesorë në PS, si Ben Blushi dhe Arben Malaj, të cilët kërkojnë analizë të thellë dhe përgjegjësi për humbjen e PS-së.
Sipas tyre, rezultati i zgjedhjeve është tashmë i qartë, pavarësisht disa parregullsive që, sipas tyre, nuk kanë cenuar në tërësi procesin.
Ata kërkojnë zbatimin e statutit të partisë për dorëheqjen e kryetarit të PS-së në rast të humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme legjislative dhe janë kundër mos hyrjes së PS-së në Parlamentin e ardhshëm.
Me dy rezoluta në tryezë, parashikimet flasin për një mbledhje me tension, e cila do të përcaktojë edhe fatin e Edi Ramës në krye të PS. Sipas statutit, humbja e zgjedhjeve përkthehet në dorëheqjen automatike të tij.
...