Arben Malaj ripërsërit qëndrimin një ditë para mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së

“Jo bojkotimit, Parlamenti institucioni më i mirë për të bërë opozitë dhe për ballafaqim politik”
“Çdo forcë politike në një kohë moderne mund të realizojë misionin e saj shumë më mirë në institucionet parlamentare sesa në bojkotimet parlamentare”, ripërsëriti qëndrimin e tij dje, Arben Malaj, anëtar i Kryesisë së PS-ës në një intervistë për Radion “Evropa e Lirë”.
Sipas Malajt, është e pavend, ideja për mospjesëmarrjen e PS-ës në Kuvend.
“Ne do të kemi qëndrimet tona për elementet e zgjedhjeve, por unë besoj që i vetmi vend ku Partia Socialiste duhet të maksimizoj efiçencën e saj në këtë ballafaqim politik janë institucionet dhe kryesisht, Parlamenti i vendit. Besoj që është akoma shpejt që të mendojmë se ka influenca brenda Partisë Socialiste për të marrë vendime për të bojkotuar institucionin e Parlamentit”, u shpreh më tej Malaj.
Duke ripërsëritur shqetësimin për qëndrimet e drejtuesit të PS-ës, të shprehura edhe në media, Arben Malaj, shprehet se PS-ja, dhe forumet e saj, do të dinë të tregohen të përgjegjshme.
“I ndjekim me shqetësim qëndrimet që shohim në media. Besoj që për të gjithë përgjegjësinë politike, votuesve dhe mbështetësve të saj, për të gjithë përgjegjësinë për të qenë një forcë progresiste në zhvillimet e vendit, Partia Socialiste, institucionet e saj dhe Asambleja Kombëtare, do të kenë përgjegjësinë dhe mençurinë maksimale për të qenë të kujdesshëm në identifikimin e hapave politikë”, u shpreh më tej Malaj, për Radion “Evropa e Lirë”.
...