Edvini i tregon derën Fatos Nanos, nxjerr Blendi Klosin t’i tregojë se ai i përket së shkuarës
TIRANE - Sekretari organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, e ka vlerësuar dje Fatos Nanon si një figurë historike të PS-së, ndërsa lidhur me kandidimin e mundshëm të ish-kreut të PS-së, për deputet, Klosi ka bërë të ditur se kjo do të diskutohet kur të bëhen listat.
I paqartë për listën e kandidatëve për deputetë që kryesocialisti Edi Rama ka në kokën e tij, Blendi Klosi, bëri kujdes, që përpos komenteve për përfshirjen e Fatos Nanos në listat e mundshme të kandidimit, ta komentojë këtë fenomen, si pjesë të procesit.
“PS është një parti që ashtu sikurse ka kërkuar të plotësojë strukturat e saj, ka kërkuar që në mënyrë shumë të hapur dhe aspak me frikë të ketë një kontakt shumë më të madh me qytetarinë e këtij vendi, të ketë kontakt me ata të cilët realisht duan të kontribuojnë në politikë, por që nuk duan të jenë pjesë e partisë”, tha Klosi me një kujdes tepër të sforcuar.
I njohur si një nga ish-miqtë e Fatos Nanos, Blendi Klos ka bërë kujdes nga ana tjetër dje, që të mos komentojë deklarat e një dite më parë të ish-kreut, ndërsa ka komentuar atë që përfaqëson Fatos Nano.
“Partia Socialiste do të vlerësojë kandidaturën e Fatos Nanos për deputet, ashtu si të gjithë kandidaturat e tjera të mundshme. Në PS nuk ka nisur ende puna dhe nuk ka asnjë emër konkret për listën e shumëpërfolur të qershorit, ndaj vlerësimi ose jo i emrit të Nanos për të qenë në ekipin e kandidatëve zyrtarë mbetet ende për t’u parë në muajt në vijim”, deklaroi dje Blendi Klosi.
Duke shmangur komentin për deklaratën e dy ditëve më parë të ish-kreut socialist, Blendi Klosi nuk ngurroi të thotë “ca fjalë të mira” për Fatos Nanon. “Ne vazhdojmë të vlerësojmë gjithsecilin dhe padyshim Fatos Nano është një nga figurat historike të kësaj partie”.