E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama dërgon “Gërdecin” në gjykatë dhe shënon emrin në pelegrinazhin e opozitës

Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar dje se është një institucion që nuk mund t’i rrijë afër “pavarësisë politike”. Me “sihariqin” e djeshëm të dalë nga zyra e Ina Ramës, se dosja “Gërdeci” është dërguar në gjykatë, kryeprokurorja, në emër të institucionit që drejton, i ka dhënë një përgjigje pozitive ftesës së Edi Ramës që ditët e fundit i shoqëruar nga “vullnetarët” me xhufka ka dalë e po lyp “besën”, për pjesëmarrje në protestën e përvjetorit të parë të tragjedisë së Gërdecit.
Të kuptohemi, Ina Rama mund të mos jetë fizikisht të dielën në pelegrinazhin Gërdec-Tiranë, por mbështetja e saj e djeshme për këtë protestë është më shumë se morale. Që prej ditës së djeshme, me “lajmin e madh” për atë që dosja “Gërdeci” mbërriti në gjykatë, Ina Rama, në emër të Prokurorisë së Përgjithshme, i ka dhënë një argument më shumë opozitës politike, që pas mbërritjes së dosjes “Gërdeci” në gjykatë, pa pritur rrjedhën e mundshme normale të gjykimit, të japë brenda ditës së diel, pretencën, por pse jo edhe vendimin, për mbi 20 të akuzuarit.
Opozita “fillin desh, se tashmë çorap e bën vetë”, këtë punën e pretencës e vendimit për Gërdecin. Ina Rama, pati mirësinë që t’ia japë këtë fill opozitës, në vigjilje të një përvjetori “të shumëpritur” nga Edi Rama e “vullnetarët” e tij me xhufka, e pas, kësaj opozita ka të drejtën e certifikuar nga kryeprokurorja Ina Rama, që ta tjerrë e ç’tjerr, fillin e lënë në dorë nga Ina Rama, në atë mënyrë që edhe Penelopa ta kishte zili.
Do të pyes ndokush, “po mirë, kjo dosje do të duhej të dërgohej një ditë në gjykatë, ç’të keqe ka”.
Parë kaq ngushtë dhe ka në mënyrë naive, sigurisht nuk ka ndonjë gjë të keqe. Por po të kujtojmë se në një vit hetimi, aq sa parashikohen edhe ligjërisht këto afate, prokuroria ka humbur më shumë kohë për të klasifikuar e deklasifikuar akuzat, nga “mosplotësim të kushteve teknike” apo edhe “trafik armësh”, në “shpërdorim detyre” e “falsifikim dokumentesh”. E ndërsa pasi e shqyrtuan këtë punën e klasifikimit e deklasifikimit të akuzave, mundën të gjenin një zgjidhje në limitet e përfundimit të afateve të hetimit. Kështu pra, Ina Rama pati mirësinë të rrëzonte akuzën e “mosplotësimit të kushteve teknike”, nga njëra anë dhe nga ana tjetër urdhëroi zvarritjen jo të hetimeve, por të tymnajës e zhurmës politike të opozitës, duke urdhëruar veçimin e hetimeve për një dosje të mundshme (që nuk ekziston) të “trafikut të armëve”, dosje që më sa duket rezulton që jo vetëm nuk ka persona të akuzuar, por nuk ka as prova. Sa për parantezë, provat reshtën me vdekjen e rëndomtë aksidentale të Kosta Trabickës, i cili nuk ishte asgjë më shumë se një amplifikator mediatik “provash”, “pro” prokurorisë. Në kushte “e paaftësisë” për të klonuar një tjetër Kosta Trebickë, prokuroria veçoi dosjen deri në një afat, “të presim sa të presim”, apo, apo, “të dalë ku të dalë”.
Sigurisht, e gjithë kjo, bashkë edhe me startimin dhe ristartimin e emrave të mundshëm, civilë apo ushtarakë, që prokuroria duhet të merrte me cilësinë e të pandehurit, “kostoja kohore” bënte të sajën, aq sa Prokuroria pas lëvizjeve para-mbrapa, apo më keq pas rrotullimit në vend, zgjodhi të mbyllë hetimet për dosjen në limitet e fundit kohore, që (jo aq) çuditërisht, korrespondon edhe me pragfillimin zyrtar të fushatës elektorale nga ana e opozitës.
Gjithsesi, Ina Rama dhe Prokuroria e Përgjithshme që ajo drejton, e vendosur në rolin e saj misionar, që asaj i është ngarkuar, e ndërgjegjshme gjithashtu për t’i shërbyer opozitës, ka ruajtur edhe nja “As”, nën mëngë, dosjen e “trafikut të armëve”, që për lehtësi mund ta etiketojmë edhe dosja “Gërdec 2”.
E pra, kjo dosje, që prej ditës së djeshme, ku gjysma e saj u dërgua në gjykatë, gëzon statusin e mbartjes së thashethemnajave politike të opozitës, për aq kohë sa, ajo, sipas “terminologjisë” së prokurorisë apo Ina Ramës, nuk ka të akuzuar konkret dhe për më tepër të arrestuar konkretë, nuk ka as afate hetimi. Me pak, fjalë, zhurma për (mos)hetimet për këtë dosje, duke (mos)harruar Kosta Trebickën, mund të rikthehen sa herë ti duhet opozitës, sigurisht pas sinjalit të Ina Ramës, për mospasurim me elementë e fakte të mundshme të reja, por që këtë mund ta bëjë vetë opozita.
Në fushatë zgjedhore jemi, ndërsa deri të dielën do të shuhet “çudia” treditore e dërgimit të dosjes “Gërdeci” në gjykatë, do të rindizet zhurma për dosjen “Gërdeci 2”, që më e mira, mund të mos mbërrijë asnjëherë në gjykatë dhe më e keqja, po mbërriti, do të ketë një fat pa fund, sikurse dosja e “14 shtatorit”.
E pra, nuk duhet të çuditemi se deri në 28 qershor 2009, “trafiku i armëve”, do të jetë një dosje e pa hetuar, por e zhurmuar, që Ina Rama, ia ka lënë në dorë opozitës të vazhdojë ta hetojë, sigurisht, si ajo të dojë...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›