Hapen 45 metrat e para të tunelit Tiranë – Elbasan

Autostrada, gati në fillim të vitit 2013
Vepra e dytë infrastrukturore më e rëndësishme në vend, autostrada që lidh kryeqytetin me kryeqendrën e Shqipërisë së Mesme, Elbasanin, sheh hapat e parë të realizimit të saj. Ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi, inspektoi dje punimet në tunelin e Krrabës, në portalin e Elbasanit, ku janë hapur 45 metrat e para, si dhe kanë nisur punimet për portalin e Tiranës. Autostrada do jetë funksionale për automjetet, në muajt e parë të 2013-ës
Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi inspektoi dje punimet për ndërtimin e Tuneli të Krrabës ose siç quhet ndryshe tuneli i Elbasanit, pjesë e Autostradës Tiranë – Elbasan. Avancimi i punimeve ka bërë të mundur hapjen e 45 metrave të galerive, në drejtimin nga Elbasani drejt Tiranës, ndërkohë që kanë mbaruar të gjithë punët përgatitore dhe ka filluar hapja e galerive të tunelit në drejtimin nga Tirana drejt Elbasan. Ritmi i punimeve nga ana e firmës greke “Aktor”, po vazhdon me ritme të larta, e cila ka marrë përsipër dhe ndërtimin e kësaj vepre me dy tuba.
Gjatë fjalës së tij ministri Olldashi vlerësoi ritmin e punimeve si dhe theksoi se tuneli do të jetë operues për trafikun brenda vitin 2013.
“Punimet për ndërtimin e Tuneli të Elbasanit kanë avancuar dhe aktualisht kanë përfunduar të gjitha rrugët ndihmese për të arritur deri në pikën e tunel. Ndërkohë janë ezauruar metrat e parë të dy galerive në drejtimin nga Elbasani drejt Tiranës dhe se po e njëjta punë po bëhet nga ana tjetër në drejtimin nga Tirana drejt Elbasanit. Jemi tërësisht në përputhje me kalendarin e punimeve, me axhendën që kompania ka në bazë të kontratës së lidhur me Drejtorinë e Rrugëve”, u shpreh Olldashi.
Ministri i Punëve Publike, duke iu referuar afatit të përfundimit të punimeve të tunelit, tha se ai do të jetë operues brenda vitin 2013, pasi çdo gjë është në përputhje kushtet e kontratës së nënshkruar me kompaninë që po kryen punimet.
“Tuneli do të jetë operues në fillim të vitit 2013-ë. Siç e shikoni gjithçka po ecën me ritme të larta”, tha Olldashi.
Përfundimi i Autostradës Tiranë-Elbasan do të zgjidhë një nga problemet më madhore të sistemit të transportit në vend, si të mallrave ashtu dhe të pasagjerëve, pasi sjellë një shkurtim të ndjeshëm në kohë, distancë dhe kosto të transportit mes kryeqytetit dhe qytetit të tretë në vend. Aktualisht hapja e tunelit po bëhet njëkohësisht në dy portalet e tij. Deri tani janë hapur 45 metrat e para që i takojnë portalit të Elbasanit, ndërsa dje nisën punimet për hapjen e metrave të para të Tunelit, të portalit të Tiranës. Gjithashtu kanë përfunduar 16 km rrugë ndihmëse, që të do të bëjë të mundur transportimin e materialeve dhe makinerive, të cilat do t’i vijnë në ndihmë hapjes së 2.5 km tunel në të dy portalet e tij, si nga Tirana ashtu dhe nga Elbasani. Gjatësia e dy galerive të tuneleve do të jetë 4.3 km. Ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan, është aktualisht një ndër projektet më të rëndësishme të infrastrukturës së vendit. Gjatësia e autostradës do të jetë 30.1 km dhe do të kushtojë afro 360 milionë dollarë.
Ndërtimi i autostradës përfshin disa tunele të vegjël, ndërsa më i gjati shkon në 2.5 kilometra. Po, ashtu projekti parashikon që të përfshijë edhe 14 nënkalime si dhe 7 mbikalime, për të bërë të mundur mos-ndërprerjen e rrugës, si dhe dy rreth-qarkullime në afërsi të Elbasanit. Punimet për ndërtimin e veprës nisën në prill të këtij viti dhe parashikohet të përfundojnë plotësisht brenda 18 muajve. Me përfundimin e këtij projekti infrastrukturor, parashikohet që koha e udhëtimit të shkurtohet nga më shumë se një orë, në 18 minuta, ndërsa ndërtimi i rrugës do të ulë gati tri herë edhe koston e transportit të mallrave dhe udhëtarëve.
Ndërtimi i autostradës Tiranë - Elbasan përgjysmon distancën e qarqeve të tjera, veçanërisht atij të Korçës, rretheve të tjera të Elbasanit, Dumresë dhe Beratit, me kryeqytetin e vendit si dhe krijon rajonin më të madh të tregut në Shqipëri dhe ndër më të mëdhenjtë në rajon - ku Tirana, Elbasani dhe Durrësi shndërrohen në një treg të përbashkët. Gjithashtu, autostrada shumëfishon potencialin turistik të Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit dhe bën të mundur eksplorimin dhe zhvillimin e të gjitha potencialeve të mëdha turistike të kësaj treve që janë ndër më të rëndësishmet, ndër më të bukurat. Viti 2013 duket se do të nisë me finalizimin e projektit të dytë më të rëndësishëm infrastrukturor në vend, autostrada Tiranë-Elbasan, pas asaj të rrugës së Kombit, Durrës-Kukës-Morinë.
Parametrat kryesore të rrugës
Gjatësia e Autostradës: 31.17 km
Afati i punimeve: 18 muaj nga dita e fillimit
Distanca Tiranë-Elbasan: 18 minuta
Segmenti: Tiranë – Lundër – Mullet – Elbasan
Tunele: 2
Gjatësia e tunelit: 2.3 km dhe 2.1 km
Gjatësia totale e tunelit: 4.3 km
Shpejtësia e lëvizjes: 100-120 km/h
Autostrada: 4 korsi
Korsi emergjence: 1
Gjerësia e një vije kalimi: 3.75 m
Gjatësia e rrugës në mbushje: 18.5 km
Gjatësia e rrugës në gërmim: 17.4 km
Gjatësia totale e viadukteve: 4.65 km
Numri i mbikalimeve: 7
Numri i nënkalimeve: 4
Numri i viadukteve: 21
Numri i kryqëzimeve: 3