E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini në kërkim të parashutës politike

14-07-2011 / Redaksionale

I pakursyer në akuza për kryeministrin Berisha dhe lutje ndaj ndërkombëtarëve, Edi Rama doli dje nga strofulla për të predikuar me një gjuhë të ashpër që në pamje të parë dukej sikur sinjalizonte vijimin e refuzimit konstant të bashkëpunimit parlamentar, por në të vërtetë ishte një shkelje syri për mazhorancën.
Ai foli ashpër në drejtimit të “Saliut” dhe jo për kryeministrin Berisha, po për ata brenda partisë që po i gërryejnë dita-ditës tokën poshtë këmbëve për t’i bërë kështu gropën. I ngelur i pashpresë, pa bashkëpunëtorë të sinqertë, Ai kërkoi haptazi një varkë shpëtimi, me një gjuhë të koduar, dhe drejtuar atij që e konsideronin armik vetëm për të shpëtuar karrigen në Partinë Socialiste, pasi humbjes së dhimbshme të bashkisë.
Kuptohet vetiu që i Papranueshmi Rama gjendet në një hall, që e lë pa gjumë dhe pa buzëqeshje. Flet për vdekje të drejtësisë sepse fundi politik po i duket më afër. Pas tre ditë heshtje dhe përgatitje të strategjisë politike të pas-gushtit, ku ndërthuren dy plane, njëri i protestave në rrugë që është një avaz i vjetër, dhe tjetra një pakt-stabiliteti me Berishën për të shuar oponencën e zërave ndryshe.
Dalja e djeshme e tij ishte dëshpëruese për shumë socialistë, që zor se prisnin kushtrime për aksione popullore në mes të vapës. Vapa afrikane ka tulatur opozitën që është në zbythje nga pozicionet e mëparshme për votën e lirë dhe transparencën e kutive. Të mbetur pa kauzë, e sidomos pa ide, e vetmja rrugëzgjidhja është oferta për ta thënë me fjalët e Ramës “për një paketë reformash të cilat janë të kërkuara nga Bashkimi Europian… por këtë mund ta garantojë vetëm faktori ndërkombëtarë të cilët duhet të pranojnë se këtë herë nuk u vodh vetëm Partia Socialiste por edhe Bashkimi Europian e Komuniteti Europian”. Këtu ishte edhe mesazhi. 
Sakaq të gjitha fjalët e tjera plot akuza dhe helm ishin për konsum të zakonshëm për militantët që shikojnë tek Rama, të pathyeshmin. Mirëpo i pathyeshmi jo vetëm që është thyer, por tani ka nevojë për shumë mastiç të marrë borxh armikut. Ai kërkon një parashutë për të shpëtuar lëkurën nga avioni i modelit sovjetik.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›