E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Prokuroria veproi politikisht

13/07/2011  Hetimi i videopërgjimit

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, shigjetoi ashpër Prokurorinë e Përgjithshme, lidhur me procesin e hetimor ndaj tij. Gjatë një komunikimi me mediat, kreu Meta akuzoi këtë institucion se e ka hetuar atë me metodat e ish-Sigurimit të Shtetit, duke shkelur në mënyrë të hapur e të përsëritur ligjin. Sipas Metës, Prokuroria nuk ka pasur qëllim të zbardhë të vërtetën, mbi videopërgjimin Meta-Prifti, por për të vepruar si celulë ekstremiste për të dëmtuar LSI për arsye elektorale. “Duhet një reformë serioze për Prokurorinë e shtetit. Në Shqipëri kemi një problem të madh, sepse kemi një prokurori thellësisht politike, një prokurori të zhytur në veprime të paligjshme, një prokurori e cila i shkel me të dyja këmbët ligjet dhe procedurat, që e mban veten mbi ligjin dhe që gjithmonë i çon çështjet të dëmtuara në gjykatë, dhe që në fund fare përpiqet të dalë e larë nga këto procese duke thënë që ne e çuam në gjykatë, por gjykata e mbylli”, vuri në dukje Meta. Po në këtë linjë, Meta sqaroi se “Prokuroria me veprimet e saj skandaloze dhe politike, njëkohësisht ka kryer edhe disa vepra penale në këtë proces ndaj personit tim. Unë edhe ndaj saj, edhe ndaj cilitdo tjetër që ka cenuar të drejtat e mia si qytetar, do të shfrytëzoj të gjithë legjislacionin shqiptar dhe evropian për t’i fituar këto të drejta. Kur të përfundojë gjithë ky proces, do ta informoj Parlamentin për të gjitha këto shkelje skandaloze, se Parlamenti është gënjyer, është mashtruar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›