E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini përballë Kryeministrisë ”qan“ dështimin e puçit të shtetit të një viti më parë

22-01-2012 / Gazeta 55

Dje, pinjolli i nomenklaturës që uron dhe shpreson për marrjen e pushtetit jo vetëm në një dorëzim të vullnetshëm në tavolinë, por edhe me revolucion bolshevik, u ndesh me një të papritur, me braktisjen e madhe nga socialistët. Në Bulevardin „Dëshmorët e Kombit“, ku i kish thërritur për një protestë-homazh në përkujtim të 21 janarit 2011-të, ditës kur tentoi të marrë pushtetin me dhunë, Edi Rama u shokua nga mungesa e mbështetësve, duke i delegjitimuar kështu çdo tentativë radikale për përcjelljen e mesazheve të forcës apo se „puçi vazhdon“

Kryesocialisti mbërriti dje me një numër të vogël protestuesish, për të kryer homazhe përballë selisë së Kryeministrisë, aty ku një vit më parë, më 21 janar 2011, 4 mbështetës të opozitës të nxitur për të thyer çdo kordon të forcave të sigurisë, me qëllim pushtimin e ndërtesës së Qeverisë, humbën jetën. Pavarësisht se për secilin deputet të qarqeve të ndryshme të vendit, ishin ndarë detyra të qarta për dislokimin në Tiranë të të paktën 80 mijë socialistëve, në të vërtetë, dje nuk ishin as 2-3 mijë dhe roli i vështirë i takonte funeralistëve, të cilët u detyruan t’i shtrembërojnë turinjtë sa të mundin dhe të fërkojnë sytë në maksimum për të improvizuar „sy të lotuar“ nga „dhimbja“ që po u shponte zemrën. Është e vërtetë se aty u derdh lot nga familjarët e katër të ndjerëve dhe nisur nga pikëpamja morale demonstrata e dhunshme e 21 janarit meriton jo vetëm të hetohet, por edhe të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit dhe organizatorët e dhunës së paprecedentë me pasojë vdekje. Edi Rama nuk ishte aty për të derdhur lot, sepse ai s’mund të derdhë lot për sa kohë është organizatori i dhunës dhe automatikisht „vrasësi“ i protestuesve. Ai ishte aty për një tjetër qëllim dhe lidhet kryekëput me projektin e tij biologjik. Pasi dështoi në tentativën e parë për të marrë pushtetin me revoltë, Edvinit s’i mbetet gjë tjetër veçse të shpresojë në një dorëzim vullnetar të Qeverisë, ndërsa numri i madh i funeralistëve në bulevard, do shërbente si mbështetje opozitare dhe direkt do përkthehej në mesazh force. Ky përbën hapin e parë të dështimit të socialistëve në aspektin e vendimmarrjes dhe funksionimin me pikëpyetje të rolit të sipërmarrësit politik. Prej muajsh të tërë ligjvënësit e PS vizituan fshatra me radhë në zonat e tyre elektorale, me qëllim bindjen e socialistëve por jo vetëm, të vinin në Tiranë më 21 janar 2012-të, në homazhet politike për 4 viktimat e një viti më parë. Dhe rezultati është konkret dhe njëherazi drithërues për lobin politik të Edvinit. Treguesi më i keq i mundshëm, kur mbeten më pak se 16 muaj nga zgjedhjet parlamentare të 2013-ës. Një opozitë që ka humbur mbështetjen dhe një kryetar partie që akuzohet se, s’e ka për gjë të të përdorë „mish për top“ kur bëhet fjalë për interesat e tij politike, që mbetet edhe sot sindroma për t’u bërë Kryeministër, por pa votat e shqiptarëve – „dorëzim të pushtetit në tavolinë ose në të kundërt përpjekjet bolshevike s’do ndalen“. Sigurisht që „protesta“ e djeshme nuk ishte aspak një protestë-homazh, por një lëvizje e qëllimshme politike e Edvinit dhe Mjaft-istëve 99-sha, për t’i treguar pushtetit legjitim se celulat keqbërëse si ato të 21 janarit të shkuar, janë ende në gatishmëri apo dhe se puçi i shtetit vazhdon edhe pas një viti.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›