Edvini, përdhosësi i demokracisë në vendin tonë
Profili i një njeriu të zvetënuar - U orvat t’i hynte politikës shqiptare, qysh në orët e parat të proceseve demokratike në vendin tonë, si demokrat antienverist (!). Kishte disa shanse besueshmërie në dorë, disa atù, siç thuhet me një fjalë të vetme. Ishte i njohur që në fëmijërinë e hershme, si rebel familjar, si një aventurier kundërveprues miturak, si një bllokmen i kategorisë së mesme. U bë, si pasojë, ziliqar ndaj atyre të kupolës së oborrit të kuq. Në prirje patologjike për të qenë i rendit të parë, si basketbollist i cilësisë së mesme, sindroma e zilisë e futi në qerthullin e intrigave përkundrejt atyre që spikasnin në këtë degë të sportit. Gjithmonë mesatar! Edhe në pikturë, nuk qé kurrë dashamir ndaj atyre që kishte mbi veten, në talent dhe në aftësi. Sërish mesatar. Sa keq tingëllon fjala mediokritet! Ata që ia njihnin huqet këtij njeriu egocentrik dhe që ia dinin preferencat e sigurimit për pemët me kokrra, në kuptim të shfrytëzimit optimal të dobësive njerëzore, janë shprehur se ndërronin fjalën (në kohën e diktaturës) kur u afrohej ky njeri i pakënaqur nga gjithçka dhe i etur për të kapur majat, duke qenë mediokër. I njihnin vetëm një dhunti: zërin bubullues dhe retorikën boshe, për shkak të mungesës së ideve dhe të zbrazësisë së argumenteve.
Për Enver Hoxhën, në hapësirën në të majtë të sheshit që sot mban emrin e Nënë Terezës, para tribunës kryesore të stadiumit “Q.Stafa”, nuk la fjalë përbuzëse pa nxjerrë nga goja, duke e quajtur tiran, vrasës, shitës të interesave kombëtare, vasal të Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës, që e la popullin në varfëri ekstreme dhe që, për të ruajtur karrigen e tij dhe privilegjet e kastës që e rrethonte, në emër të “parimeve” e bëri popullin që të hante bar, si bagëtia, ndërsa gratë e byroistëve vinin jashtë shtetit për një dhëmballë, apo për të lindur! Veçse, ata që ia njihnin huqet, u shprehën me njëri-tjetrin, se Kali i Trojës po përçapej që të hynte në proceset demokratike, si ithtar i përkushtuar i këtyre proceseve, për ta marrë kalanë nga brenda!
Përse nuk u shqetësuan mëkatarët e mëdhenj sigurimsa për këtë shfaqje, që sot thuhet se ishte një show? Falangat e keqbërësve e dinin mirë se ishte i paqëndrueshëm. Por kjo nuk kishte rëndësi parësore për ta. Janë të shumtë ata që thonë se ai nuk mund të tundte bishtin vetëm ndaj atyre që e kishin si një pedinë shahu! Në këtë pikë ai ishte i komprometuar. Ishte shërbestar. . .
Por ata që historikisht ishin duke vënë pushtetin në dorë, çka u jetësua plotësisht në vitin 1992, nuk ranë pré e manovrimeve të rrezikshme të një mitomani. Artistët, që i përqafuan me entuziazëm proceset demokratike, ishin armiqtë e këtij neofiti shkatërrimtar. Kur kreu i PS-së e pruri si ministër të Kulturës, ky mërgimtar që iku në Francë si antienverist dhe u kthye që andej si enverist fanatik, ua pruri në majë të hundës këngëtarëve, aktorëve dhe protagonistëve të artit pamor, gjersa i çoi në grevë. Si pseudodemokrat dhe si adept i dhunës, i nxori rrëshqanthi e me dru pas shpine të ngujuarit. (Sot flet si demokrat i madh; ndërsa Solonin e ligjshmërisë shqiptare, të pavotuarin e 28 qershorit të 2009-s, e ka ngarkuar të ulërijë e të llomotisë, për rrëzimin e pushtetit të ligjshëm, me anë të dhunës!).
Dihet se E. Hoxha ka qenë bira e fundit e kavallit në 16 shtatorin e vitit 1942. Në një dokument të zbuluar, tanimë, ai është shprehur se në në këtë konferencë të Pezës, ai kishte detyrën e postierit, të ngarkuar nga M. Popoviçi: “T’u japësh ftesë-thirrjen që të vijë ky e ai”! Edvini e ka shndërruar 16 shtatorin si ditën e ovacioneve dhe të apoteozës për Enverin, madjé edhe si zijafetin e orgjive që të dehen veteranët dhe të drogohen të miturit e të miturat! Ka shkelur me këmbë, kështu, vendimin e Asamblesë Parlamentare të KE-së, për dënimin e krimeve të nazizmit dhe të komunizmit.
Rama, pranë Vaterlosë - Rama tani është bërë objekt i një armiqësie të shumëfishtë përkundrejt tij. Është bërë i padurueshëm ndaj demokratëve, për pengesat që po i shkakton vendit ndaj liberalizimit të vizave dhe ndaj perspektivës së sigurt për të aderuar në BE. Me mënyrat më meskine, të nihilizmit tërësor. Me bojkotimet rrugore dhe me mosnjohjen e parlamentit. Është bërë kundërshtar (brenda Partisë së tij) i Lëvizjes për Mendimin ndryshe, lëvizje të cilën e ka vënë nën shenjestër për përjashtimin nga partia të titullarëve të LMN-së. Është bërë cipëplasur ndaj Instancave euroatlantike, të cilat i shpërfill me pafytyrësí, ndonëse ato i kanë monitoruar zgjedhjet tona të fundit, ato të 28 qershorit. Është bërë tiran i pabesë ndaj dhjetëra mijëra të mandatuarve prej tij, si komisionerë nga më të përkushtuarit, të cilët tani i kërcënon t’i procedojë me gjyq, për tradhti! Është tjetërsuar në vështrimin e një pjese të madhe dhe në rritje të bazës socialiste, elementë të së cilës nuk pranojnë të jenë marioneta në duart e tij. Ka ngjallur pakënaqësi ndaj strukturave drejtuese, me zëvendësimin që u ka bërë krerëve të organizatave, krerëve të këshillave zonale, kryetarëve të PS-ë në rang komuneje, bashkie apo qarku, duke vënë njerëzit e tij të bashkive që ka nën kontroll. Rritja fiktive e anëtarësisë dhe zgjedhja vetë e rivalit kinse për kryetar, e kanë shtuar më keq pakënaqësinë brenda radhëve. Bojkotimi i zgjedhjeve vendore (që dështoi tërësisht) u kuptua edhe nga socialistët se ishte një truk bojkotazhi të pafré, kurdoherë në funksion të përligjjes së tij sërish si kryetar, pasi nuk e respektoi nenin 28 të statusit të partisë së tij.
Të gjitha këto shpjegojnë rrudhjen e lëvizjeve rrugore, në të cilat bëhen edhe kërcënime antikushtetuese, përmes mashës së tij, S. Ngjelës, që po e përfshaq veten se është antiligjor dhe se vetëparaqitja e tij si specialist i ligjeve, nuk është veçse një fasadë që po degjeneron dita-ditës në një blof.
Për protestën e tij të 20 nëntorit gazetat shkruajnë se 400-500 persona janë të paguar që të rrinë në shesh, pa u larguar as për një dekikë, gjersa kryetari të japë urdhër për shpërndarje. Kjo rrudhje e këtyre farë mitingjeve, po ia ha shpirtin kryetarit në detyrë. Ai po e mban veten me gajret dhe bën sikur nuk është para një katastrofe dhe para një gjendjeje butaforike, paçka se zonja Doris Pak dje foli pa doreza fare: Rama të heqë dorë njëherë e mirë nga këto obstruksione pa kuptim!