E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria, progrese të mëdha - në vitin 2010 do të hiqen vizat”

Zëvendëspresidenti i KE-së Jacques Barrot, garanton Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha

Komisioni Evropian ka konfirmuar sërish mbështetjen për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë vitin e ardhshëm. Qëndrimin e ripërsëritur dhe konstant të KE-së e ka shprehur dje Zëvendëspresidenti i këtij komisioni dhe Komisioner për Çështjet e Drejtësisë dhe Sigurisë, Jacques Barrot, në forumin ministror mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë.
Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, gjatë takimit me Barrot dhe takimeve të tjera, siguroi se duke u bazuar te progresi i arritur deri më tani, Shqipëria do të përmbushë plotësisht kriteret e përcaktuara në udhërrëfyesin e Bashkimit Evropian për të përfituar liberalizimin e vizave vitin e ardhshëm.

Forumi ministror i BE-së
Në forumin ministror mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë, ku Shqipëria përfaqësohej nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, Jacques Barrot vlerësoi se Shqipëria ka përmbushur kriteret më të rëndësishme për heqjen e vizave dhe ky proces do të finalizohet në vitin 2010.
“Dialogu vazhdon dhe unë shpresoj që vitin e ardhshëm ne do të shkojmë drejt heqjes së vizave për shqiptarët. Unë isha në Shqipëri kur dhashë pasaportën e parë biometrike dhe tani shoh që Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha për heqjen e vizave. Rruga që është bërë tregon se heqja e vizave do të arrihet në vitin 2010”, u shpreh Barrot.
Ministri i Brendshëm shqiptar Lulzim Basha gjatë këtij forumi ministror falënderoi përfaqësuesit më të lartë të Komisionit Evropian për mbështetjen e dhënë dhe siguroi se Shqipëria është në hapat e fundit të përmbushjes së të gjitha kritereve të përcaktuara në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave.
“Shqipëria po kryen me ritmin më të shpejtë në rajon pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike. Këtë e dëshmon fakti se brenda një kohe të shkurtër mbi 250 mijë qytetarë shqiptarë janë pajisur me pasaporta biometrike”, u shpreh Basha.
Më tej Ministri i Brendshëm informoi edhe për progresin e arritur në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit nëpërmjet instalimit të sistemeve analoge me vendet “Schengen” në pikat e kalimit kufitar për menaxhimin total të informacionit dhe për analizën e informacionit kriminal. Ministri Basha informoi gjatë forumit edhe mbi rezultatet pozitive të arritura në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.
Basha vlerësoi si mjaft të rëndësishëm faktin se, “forumi ministror ashtu si institucionet kryesore të Bashkimit Evropian evidentoi edhe progresin e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar”. Ministri Basha shprehu falënderim gjithashtu për vendimin e Parlamentit Evropian, i cili duke njohur e vlerësuar progresin e bërë propozoi përfshirjen e Shqipërisë në listën e bardhë “Schengen”. Po kështu ai siguroi përfaqësuesit e Komisionit Evropian se, “progresi do të vërtetohet nga vetë ekipet e monitorimit që do të verifikojnë ecurinë e plotësimit të kushteve në muajin dhjetor”. Mbështetja e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë në vitin 2010 u përfshi edhe në dokumentin final të Forumit Ministror mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Takimet e Ministrit Basha
Gjatë dy ditëve të këtij forumi ministerial, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u takua dhe bisedoi me Zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian Jacques Barrot, dhe përfaqësues të tjerë të Komisionit Evropian.
Zëvendëspresidenti Barrot dhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian vlerësuan progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe në veçanti progresin e arritur që prej inspektimit të fundit të Komisionit Evropian deri më tani.
Ministri Basha zhvilloi takime të veçanta me Beatrise Ask, Ministre e Drejtësisë së Suedisë, vendit kryesues të Bashkimit Evropian dhe Annemie Turtelboom, Ministre e Brendshme e Belgjikës, vendit që do të kryesojë Bashkimin Evropian gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. “Zëvendëspresidenti Barrot si dhe ministrja e drejtësisë Ask rikonfirmuan gjatë takimeve që pata me ta se vërtet në përgjigje të palës shqiptare është marrë një vendim tashmë për të përshpejtuar misionet e inspektimit. Misioni i parë pritet dyjavëshin e dytë të dhjetorit, ndoshta më datë 14 dhjetor. Do të merret kryesisht me dokumentet e identifikimit dhe ne presim kryesisht që periudhën pasardhëse, janar, shkurt, mars, të vijnë dhe misionet e tjera të cilat do të konfirmojë arritjen e standardeve për sa i përket blloqeve të tjera, kryesisht sigurisë së kufijve dhe luftës kundër krimit të organizuar. Pra do të thotë që kemi një ndërgjegjësim të BE, të të gjitha strukturave të BE, nga Komisioni, Parlamenti dhe Këshilli i Ministrave se Shqipëria tashmë jo vetëm ka plotësuar ato kushte të cilat nuk ishin plotësuar deri në 6-mujorin e parë, por në disa prej tyre mund të ketë avancuar më shpejt dhe më mirë se vendet që tashmë përfitojnë liberalizimin e vizave” tha Basha.
Në këto takime Ministri Basha informoi më tej edhe për hapat e ndërmarrë nga Shqipëria në drejtim të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave me BE. Në këtë aspekt Ministri Basha u ndal në procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me dokumente identiteti të standardeve ndërkombëtare. Basha informoi se tashmë çerek milion shqiptarë janë pajisur me pasaporta biometrike dhe se Shqipëria ka ritmin më të lartë në rajon në realizimin e këtij procesi. Ministri Basha informoi gjithashtu se Shqipëria zotëron tashmë sisteme analoge me vendet “Schengen” për kontrollin e kufirit dhe analizën e informacionit kriminal.
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha siguroi gjatë këtyre takimeve se duke u bazuar te progresi i arritur deri më tani, Shqipëria do të përmbushë plotësisht kriteret e përcaktuara në udhërrëfyesin e Bashkimit Evropian për të përfituar liberalizimin e vizave vitin e ardhshëm.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›