Rama ngre grup pune, për të fabrikuar incidentet gjatë protestës
Kryetari i PS po e shuan tmerrin e dështimit dhe po e mban veten me të mirë, duke shtuar përdorimin e së bardhës, por kjo s’e ka penguar të urdhërojë ngritjen e Grupit të Punës, i cili është shpërndarë në disa qytete, si Fier, Lushnje, Tiranë e Vlorë, në kërkim të njerëzve që në PS janë të përfshirë tek “Libri i Delinkuentëve”. Të përdorurit e 28 qershorit, Rama po i rekruton sërish, pasi, pa inskenime e incidente, ai është politikisht i vdekur. Një zyrtar i lartë lëshoi dje në Fier urdhëresën: “Mos prisni urdhra të shkruar për të mbushur xhepat me gurë dhe hekura”, ndërkohë që në Tiranë, PS refuzon të thotë se si ka ndërmend të zhvillojë tre ditë protestë, pa prishur qetësinë e kryeqytetasve
Tre ditë para nisjes së protestës karikatureske treditore të Edvinit dhe ylberistëve të tjerë të Njeriut të Pezës, lidershipi i PS-së ka ngritur një grup pune, i cili do të merret me fabrikimin e incidenteve, përplasjeve dhe me inskenime të tjera, pasi duket se vetëm incidentet mbeten rruga e vetme që pikniku në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” të prodhojë ndonjë gjysëmlajmi. Dështimet e mëpërparshme po bëhen përpjekje që të mos ripërsëriten, prandaj edhe operativë të vjetër të inskenimit të sherreve dhe të incidenteve, janë shpërndarë në Fier, Lushnje, Vlorë, apo edhe në lagjet margjinale të kryeqytetit. Me vetë kanë marrë atë që drejtues cinikë e të papërgjegjshëm të fondacionit me frymëzim terrorist “Qemal Stafa” i thonë “Libri i Delinkuentëve”, një listë emrash me precedentë penalë, të cilët janë rekrutuar edhe më herët për të kryer punë të pista në kohë të turbullta për lidershipin e nomenklaturës komuniste. Mediat patën denoncuar përdorimin e elementëve mafiozë nga ana e Edi Ramës në fushatën për zgjedhjet e 28 qershorit, por asnjë ndalim personash nuk u krye, prandaj edhe duket se është e thjeshtë për ylberistët që të riciklojnë të njëjtën listë njerëzish, të cilët thirren në kryeqytet për inskenimet e radhës.
Strategjia e incidenteve u provua si banko-procë me thirrjen e komunarëve në kryeqytet dhe ndërrimin në minutën e fundit të vendit se ku do të ngrihej tribuna e mitingut. Tashmë Ngjela, Veliaj e të tjerët e kanë shumë të thjeshtë që të kërkojnë që çdo natë çadrat të zhvendosen në vende të ndryshme, kështu edhe komshinjtë-protestues do të jenë të ndryshëm, edhe gjurulldia më e madhe, por do të ketë edhe më shumë mundësi për “miqësi” të reja. Një anëtar kryesie, xhaketë e vjetër, por edhe që premton shumë përdorime, mësohet se ka deklaruar dje në Fier: “Mos prisni që ju të dëgjoni nga goja ime t’u them se duhet të mbushni xhepat me gurë dhe me hekura”, çka u kuptua qartazi si detyrë e cila po u ngarkohej, para se ata të zbarkojnë me 20 nëntor në Tiranë. Me detajet e fabrikimit të sherreve mësohet se po merret personalisht Edi Rama, i cili po i jep gajret vetes, duke shtuar përdorimin e së bardhës. Jo veç si ngjyrë, e cila duket si neutrale, por më shumë si stimulues, e bardha e kishte lodhur fort dje Edvinin, i cili harroi se pat dalë në mesditë para kamerave, dhe ridoli në mbrëmje, duke përsëritur të njëjtat gëlbaza politike, por pa mundur t’i sqaronte gazetarët se ç’kishte ndodhur efektivisht ndonjë gjë më e re.
Rreth protestës treditorë të ylberistëve të Edvinit ka edhe një pikëpyetje të madhe, mundësimin e saj nga ana e autoriteteve, pa prishur “qejfin e protestuesve”, por edhe pa prishur rehatinë e banorëve të shumtë të kryeqytetit, të cilët assesi s’kanë të bëjën me këtë hajgare politike. Zyrtarët e PS-së refuzojnë të thonë se si kanë ndërmend ta zgjidhin nga pikëpamja logjistike zhvillimin e një proteste treditore, megjithatë sipas radhës, në PS tani është radha e konspektimit të Librit të Delinkuentëve, ndërkohë që radhës së respektimit të shtetit ligjor dhe prioritetit të interesave kombëtare duket se në partinë që është themeluar nga dy serbë në nëntorin e 1941 (të cilët zgjodhën si mëkëmbës diktatorin Hoxha), nuk do t’i vijë asnjëherë koha.