E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratimi i kërkesës për aplikim, ftesë gjithëpërfshirëse në proceset integruese

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta, komenton vendimin më të fundit të KE-së

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta, e ka cilësuar miratimin e aplikimit të Shqipërisë si vend kandidat, si një vendim historik, që çel një etapë të re në rrugën e vendit tonë. Në një komunikim me mediat, ai bëri të ditur se, ky moment është edhe në ftesë për gjithëpërfshirjen e gjithë faktorëve, ku sipas tij, edhe pozita ka meritën dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm.

Keni një koment në lidhje me kalimin e aplikimit të Shqipërisë në mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE-së?
Siç e shikoni, sot është një kohë shumë e çelur sikurse është dhe vetë perspektiva e mëtejshme e integrimit evropian të vendit tonë. Pikërisht, një ditë pas një vendimi shumë të rëndësishëm, dhe do ta konsideroja historik, të ministrave të Jashtëm të BE për t’i hapur rrugë aplikimit të Shqipërisë, pasi kjo shënon një fazë të re, shënon një etapë të re në rrugën e vendit tonë për tu anëtarësuar në BE, dhe ashtu sikurse pritet, ky veprim është një inkurajim konkret për reformat e ndërmarra nga vendi ynë, për reformat dhe angazhimet e ndërmarra edhe nga qeveria jonë. Pa asnjë diskutim, është edhe një moment kur bëhet një ftesë për gjithëpërfshirje të gjithë aktorëve në këtë proces që është i një rëndësie kombëtare, për këtë proces ku parlamenti ka një rol shumë të rëndësishëm, ku opozita ka një rol të pazëvendësueshëm, ku shoqëria civile është e mirëpritur dhe ne do të bashkëpunojmë në mënyrë më të hapur dhe   gjithëpërfshirëse me të për të ushtruar të gjitha kapacitetet e saj në kontributin për të përshpejtuar këtë proces. Qeveria ndërkohë ka vazhduar punën paralelisht për të përgatitur dhe për të fuqizuar të gjithë strukturat e saj, kapacitetet administrative, duke tërhequr edhe ekspertë jashtë administratës publike për t’iu përgjigjur pyetësorit i cili pritet gjatë muajve në vijim të mbërrijë nga Komisioni Evropian.
 
Një ndër kriteret që duhet të plotësojë Shqipëria për të përparuar në këtë proces është lufta kundër korrupsionit. Megjithatë, në raportin që do të publikohet nga TI, vihet re që Shqipëria ka zbritur me dhjetë vende. Çfarë do të bëj qeveria për të luftuar këtë fenomen?
Unë dua t’ju siguroj se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë dy prioritetet kryesore të kësaj qeverie dhe pa asnjë diskutim që kjo do të jetë një luftë tepër konkrete jo vetëm përmes miratimit të ligjeve shumë të rëndësishme që janë bërë deri tani dhe po vazhdojmë në proces, por edhe përmes masave konkrete, përmes shembujve konkretë dhe jam i bindur që ne do e fitojmë këtë luftë. Kjo do të jetë një luftë pa asnjë dallim politik e cila do të bëhet në emër të forcimit të ligjit, të forcimit të shtetit të së drejtës dhe ne jemi për ndërtimin e një vendi evropian, çka do të thotë më shumë siguri për biznesin për investitorët dhe njëkohësisht më shumë shërbime cilësore dhe transparente për të gjithë.
 
Ndërkohë, ky vendim që ju e cilësuat historik, ka gjetur opozitën jashtë dyerve të parlamentit, ndërkohë që kjo opozitë ka deklaruar se do të përshkallëzojë protestat. Cili është komenti juaj?
Është e drejta e opozitës të bëjë protesta, por mendoj se në një moment historik, edhe opozita si qëllim kryesor të saj duhet të ketë kontributin për procesin e integrimit evropian. Ky është një proces që ka nisur prej kohësh në vendin tonë, është një proces ku kanë qenë të përfshira vazhdimisht mazoranca dhe opozita të ndryshme që kanë respektuar edhe rotacionin në sajë të zgjedhjeve që ka bërë populli shqiptar, është një proces i cili do të vazhdojë, që pa dyshim i fton të gjithë të bëhen më të përgjegjshëm, më të arsyeshëm, të bëhen vërtet, do të thosha edhe më evropian. Na vjen keq pasi thirrjeve tona, të qeverisë por edhe të komunitetit ndërkombëtar për  dialog me institucione, për  dialog në parlament, nuk mund t’i përgjigjen me thirrje për revansh apo për dhunë ndaj institucioneve. Nuk është demokratike, për më tepër që ju e dini shumë mirë që ministrat e Jashtëm të BE-së, kishin vendosur që do ta trajtonin dhe do ta kalonin aplikimin e Shqipërisë pasi të dilte raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR. Ky raport, tashmë ka dalë dhe është përshëndetur nga të gjithë vendet dhe pa asnjë diskutim, çështja e zgjedhjeve është një kapitull i mbyllur. Çështja e përmirësimit të mëtejshëm të standardit të zgjedhjeve është një kapitull i hapur dhe qeveria ka qenë dhe është shumë e angazhuar për të përfshirë opozitën në këtë proces, madje, t’i japë edhe lidershipin e reformës së ardhshme zgjedhore, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë në standardet më të larta demokratike evropiane.
 
Meqenëse ju u ndalët në luftën kundër korrupsionit, jo më larg se mbrëmë kanë ndaluar Këshilltarin e ministrit të Ekonomisë, Belegu. Cili është komenti juaj?
Institucionet e zbatimit të ligjit janë të ftuara që të veprojnë ndaj cilitdo zyrtari të lartë të LSI, PD, PS, Pushtetit Vendor, të çdo partie tjetër apo pa parti. Çdo njeri që shkel ligjin, çdo njeri i cili ka probleme me zbatimin e detyrës së tij apo detyrimin ndaj ligjit, duhet të përgjigjet dhe e theksoj edhe një herë tjetër, prokuroria dhe organet e zbatimit të ligjit, do të kenë gjithnjë mbështetjen time më të plotë dhe të LSI për të goditur korrupsionin jo me fjalë, jo me retorikë, por me veprime konkrete pa asnjë dallim politik dhe origjinë se nga vjen ky zyrtar i lartë apo se kush e ka emëruar. Madje jam i bindur se do të forcohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të shtohen rastet dhe shembujt e tjerë në të ardhmen, sepse kjo është rruga që forcon shtetin ligjor, kjo është rruga që afron anëtarësimin e Shqipërisë me BE.
 
A mendoni që duhet bërë një kontroll ndaj të gjithë atyre personave që kohët e fundit janë punësuar në administratë?
LSI është e angazhuar në radhë të parë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Unë e kam thënë edhe më parë dhe e rikonfirmoj edhe një herë tjetër. Ndaj cilitdo që abuzon me detyrën, që shkel ligjet, unë e ftoj drejtësinë, prokurorinë, të veprojë pa asnjë keqardhje, sepse ne duhet t’i japim fund kulturës së papërgjegjshmërisë në ushtrimin e detyrës apo të injorimit të ligjit nga cilindo. Dhe unë jam i bindur se ky është edhe vullneti i PD dhe dëshiroj që ky të jetë edhe vullneti i opozitës dhe madje shumë shpejt, edhe me konsensusin e opozitës, ne të heqim përfundimisht edhe imunitetet, se ju e dini që kjo do ndërhyrje në Kushtetutë dhe kjo është një kërkesë që vjen nga procesi i integrimit evropian. Askush nuk duhet të jetë i mbrojtur në shkeljen e ligjit, përkundrazi duhet të veprojë ligji ndaj cilitdo pa asnjë dallim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›