E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vendimi, hapje reale drejt anëtarësimit, por edhe shprehje e vlerësimit për arritjet”

Pas vendimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, Kryeministri Sali Berisha mbledh qeverinë, për koordinimin e punëve që dalin nga dorëzimi i pyetësorit

Kryeministri Berisha, në mbledhjen e djeshme të kabinetin qeveritar pas vendimit të marrë një ditë me parë nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE, për pranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, në BE. Berisha ka deklaruar se ky vendim ka qenë rezultat i punës dhe reformave që ka bërë Shqipëria.
Kryeministri u shpreh se, “Kjo mbledhje qeverie mbahet pas vendimit të Ministrave të Jashtëm për të miratuar kërkesën e Shqipërisë paraqitur Presidencës çeke për statusin e kandidatit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ky vendim përfaqëson vendimin më të rëndësishëm që është marrë ndonjëherë për vendin tonë, marrë ndonjëherë nga Brukseli, pasi ky është vendim i BE ku shprehet qartë vullneti për t’i dhënë Shqipërisë dritën jeshile. Vendimi i djeshëm është hapja reale, për anëtarësim”.
Gjithashtu kreu u qeverisë tha se vendimi është dëshmi e arritjeve së pari në konsolidimin e demokracisë, lirive dhe të drejtave njerëzore, të cilat kanë njohur rritje, ky ka qenë edhe kushti kryesor që një vend të pranohet në gjirin e BE.
“Vendet ish-komuniste sot vende anëtare, përveç Sllovenisë, të gjitha kanë diferenca të mëdha ekonomike me vendet themeluese, të cilat nuk patën një të kaluar komuniste, por ato janë pranuar anëtare me të drejta të plota madje Sllovenia dhe Kroacia, kanë drejtuar Presidencën e BE, kjo për përpjekjet në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokracisë dhe për një ekonomi tregu të konsoliduar. Reformat janë ato që bënë të mundur vendimin e djeshëm. Komiteti ndërkombëtar na dha ne një besim paradhënie, me anëtarësimin në NATO. Ata krijuan besim të plotë tek përkushtimi ynë. Neve bashkëpunuam ngushtë me opozitën, ne i dhamë opozitës përgjegjësinë për hartimin e Kodit Zgjedhor. Ne bëmë zgjedhje me standarde sipas BE. Ofroj gatishmërinë time dhe të gjithë kabinetit për të bashkëpunuar me opozitën. Ata që votuan dje pritën sa mbaruan zgjedhjet. Raporti thekson se u plotësuan kërkesat kryesore të OSBE-së”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë. Duke vijuar më tej se lufta me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit, reformat e tregut dhe privatizimet e mëdha, këto kanë bërë që Shqipëria të vlerësohet e përshtatshme për të nisur bisedimet për anëtarësim.
Gjithashtu Berisha tha se pas vendimit gjithçka mbetet në anën tonë, vendimi është shkallë maksimale përgjegjësie për ne.
“KE është e autorizuar të sjellë pyetësorin të përbërë nga mijëra pyetje, i cili është një intervistë komplekse për të gjithë situatën e vendit. Nëse në procesin e liberalizimit të vizave ne kishim të bënim me 120 kërkesa, në procesin e statusit të vendit kandidat kemi të bëjmë me një univers kërkesash” tha ndër të tjera Kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë tha se kërkoj reforma të thella dhe të gjithanshme, ekipe serioze, por asgjë më fisnike se sa përkushtimi nuk ka, ky është një projekt ëndrrash.
“Në BE ka pasur debate, por për shqiptarët anëtarësimi është ëndrra më e bukur dhe kemi plotësisht të drejtë”, u shpreh më tej Berisha.
Ai shtoi se të gjithë e dimë se nuk është pasurim i menjëhershëm, por vendosja e vendit të tij në një vend të dëshiruar.
Berisha  tha se vendimi i një ditë më parë nuk ishte i papritur, “ne nuk kërkojmë asnjë vendim të pabazuar në performancën tonë. Ne do t’i qëndrojmë këtij kursi që Shqipëria të jetë pas vitesh Shqipëri evropiane”.
Më tej kreu i qeverisë shqiptar falënderoi Ministrat e Jashtëm dhe Presidencën çeke dhe atë suedeze që treguan mirëkuptim të madh për kërkesën e Shqipërisë.
“Suedia dhe Çekia kanë bërë përpjekje për të promovuar anëtarësimin e Shqipërisë menjëherë pas publikimit të raportit. Procesi u vonua pak për shkak të zgjedhjeve në Gjermani, por Merkel e ka zgjidhur pa humbur shumë kohë dhe u jemi mirënjohës këtyre miqve. Ne po përgatitemi për pyetësorin pasi ai të përpilohet”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri Berisha i kërkoi më tej Zëvendëskryeministrit Ilir Meta që të koordinojë punën edhe me institucionet e pavarura.
Kryeministri Berisha ka deklaruar se nëse e pyetjet vijnë në mes të dhjetorit ato do të dorëzohen patjetër në fund të shkurtit. Kreu i qeverisë ka bërë të ditur se puna duhet të fillojë menjëherë për plotësimin e pyetjeve. Berisha ka kërkuar përkthyes shtesë për të gjetur domethënien e termave që do të lehtësojnë punën. Ai ka dhënë porosi që dhe manuali i termave të përgatitet sa më parë ndërsa ka kërkuar edhe trajnimin e personave të angazhuar në këtë proces.
Kreu i qeverisë ka deklaruar se, “Unë siguroj të gjithë shqiptarët se do të punoj me përkushtim të plotë që vendimin e djeshëm për Shqipërinë, ta konkretizoj me punë me reforma dhe do të bëjmë përpjekje që procesi i integrimit të ecë në mbarësi të plotë”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›