E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini po thahet për pak krizë ekonomike. PD i kujton se i është rënduar gjendja psikike

Jo vetëm kryetarin socialist, por edhe kalecët politikë pranë tij duket se gushti i ka zënë në një gjendje të vështirë psikologjike. Pas incidenteve diplomatike të Edvinit me delegacionin e vëzhguesve të OSBE-së dy ditë më parë, sot ka qenë radha e Erion Braçes të artikulojë edvinllëqe para mediave, përfaqësuesit e të cilës – megjithë dashamirësinë e porositur – s’kanë mundur ta tolerojnë shumë gjatë. Në deklarata fantazmagorike, Erioni i Edvinit ka përcjellë gjendjen e përgjithshme të drejtimit ylberist, i cili është i uritur për pak krizë ekonomike dhe se mezi po pret që ndonjë statistikë të flasë për këtë gjë. “Është e qartë për të gjithë shqiptarët që: Ne nuk kemi sot as qeveri në detyrë as qeveri në tentativë, as qeveri të votuar nga populli, por kemi një qeveri jo serioze të provuar si të papërgjegjshme në raport me financat publike disa herë. Kudo në Europë ishin ditët kur ministri i financave duhet t’u tregonte qytetarëve llogaritë e qeverisë për muajin korrik, llogaritë për 7 mujorin pa fshehur asnjë numër. Por, për fat të keq kryeministri ynë e ka reduktuar ministrin e financave në një sekretar të përgjithshëm partie, objekt të teatrit të tij me hope në qeveri, të cilit nuk i jep autoritet as për të vendosur tarifat publike të shkollimit, e jo më të flasë për gjëra më serioze siç janë të ardhurat, shpenzimet, borxhet, interesat, deficiti, depozitat e qytetarëve, si dhe monedha kombëtare”, artikuloi Erioni i Edvinëve, duke mos mundur të artikulojë se ku është kriza, përveçse në analizat metafizike që ai dhe Edvini u bëjnë deklaratave të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.


Përgjigjia e Partisë Demokratike ka ardhur e menjëhershme, e thatë dhe e prerë: Kreu i PS-së nuk është në rregull nga pjesa trunore që merret me politikën dhe me përgjegjësinë publike, por për këtë nuk është faji i së djathtës dhe se PD-ja s’mund të bëjë asgjë për t’ia lehtësuar brendinë. “Sot Kryetari mandatprerë i Partisë Socialiste apo Mr.Kriza, gjendja e të cilit ka degraduar në një shkallë shumë të rëndë, u përpoq sërish të bindë shqiptarët se vendi po kalon një krizë ekonomike, vetëm e vetëm se ai është i bindur se për sa kohë ai personalisht është në krizë e i pashpresë, edhe në vend çdo gjë tjetër është në krizë dhe katastrofë, thuhet në deklaratën e sotme të zëdhënëses së Partisë Demokratike, Erla Mëhilli. PD i deklaron z.Rama se paralajmërimet e tua të përditshme për krizë ekonomike në Shqipëri koha i provoi tërësisht si mashtrime. Shqipëria sot është i vetmi vend në Europë me rritje ekonomike rreth 6% dhe në rast se në shumicën e vendeve të Europës të ardhurat buxhetore të krahasuara me një vit më parë kanë pësuar ulje të ndjeshme, gjë që i ka detyruar ato t’i ulin rrogat dhe pensionet nga 8 deri në 16%, në Shqipëri të ardhurat buxhetore krahasuar me vitin e kaluar kanë një rritje prej 7% dhe rrogat dhe pensionet jo vetëm që nuk u ulën por u rritën nga 5 deri në 20%. Të përpiqesh të ndjellësh cdo ditë krizë kur ajo nuk ekziston dëshmon se sukseset e vendit tënd i përjeton si katastrofë personale Z.Rama” përfundon deklarata e sotme e zëdhënëses së PD-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›