Edvini, shakaxhiu i enigmave

Enigma ka edhe fjalën tjetër me të njëjtin kuptim: Rebus. Shqip këto fjalë të huaja mund të zëvendësohen me fjalën gjëegjëzë. Shpesh nocionet e këtyre termave gjejnë përdorim në kriptograme, në lojëra grafike, në shkrime për kohën e lirë, qoftë edhe për zbavitje. Por që të shndërrojmë kuptimet statutore përmes enigmave, kjo do të thotë të shformosh domethënie shumë të rëndësishme, në të kundërtën e tyre. Mësymja më e lehtë ndaj këtyre marifetçinjve është që këta elementë të marrin nofkën si mohës, një fjalë, kjo, normative, e shpjeguar si njollë për njerëz jo të mirë. Kemi të bëjmë, së paku, me mungesë serioziteti.
Kur gjatë fazës së parë të procesit zgjedhor, thuheshin fjalët më të mira për rregullin dhe mbarëvajtjen në votimin e personave, Dr. Berisha, i pyetur nga një gazetare nëse do t’i shtrëngonte dorën Ramës po të dilte humbës, iu përgjigj pyetjes qetësisht dhe me fytyrë të kthjellët: - Patjetër, është një akt qytetar të urosh kundërshtarin.
Bash në këtë kohë, ky lloj kundërshtari, në fizionominë e tij paraqitej si kalorësi i fytyrës së vrerosur dhe bënte hamendësime për ruajtjen édhe të një vote të vetme, me kërcënime si ato që i përvetësoi më se miri Gramozi në Fier, me “do ta ruajmë çdo votë, me gjak!”. Këtu jemi në një fazë më të vonët, në procesin e numërimit të votave, kur PS-ja bënte trysní për marrjen e një mandati në Fier. Dhe kjo taktikë e kërcëllimit të dhëmbëve qé fatlume për Gramozin dhe për ata që shqyen gurmazet rreth tij, duke i bërë iso ofiqarit të Ramës për atë muhabetin, ku edhe gjaku ishte i pranishëm! Veçse mandati i PDI-së së çamëve u tret si kripa në ujë. Dhe mandati i Dritan Priftit të LSI-së do të kishte pësuar të njëjtin fat, po të mos i kishte lënë kandidati Dritan pësëistët, që të bënin me të, siç bënë ankimuesit e stimuluar të Ramës me votat e PD-së, të LSI-së, të çamëve dhe të PR-së (në Berat).
Edvini po fillonte ta parandjente të keqen, para se kjo të jetësohej. Këtej e kanë burimin ato tërsëllëmat për grabitjen e votave të tij, kur kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike do t’i jepnin fund atyre pseudozgjedhjeve të tetëvjeçarit lëngues me certifikata të panumërta, që u jepeshin militantëve të tij azganë, me premtimin se sa më shumë të votonte një individ i vetëm, aq më i lartë do të ishte ofiqi, pas fitorjes! Kundër atij tetëvjeçari që sapo e përmendëm, vetë Edvini s’kishte lënë mallkim pa nxjerrë nga gabzherri, sa për të marrë skeptrin e kryetarit nga këpëdarët e përzgjedhur të tij.
Provat teknike për aftësitë e tij numëruese të votave, Edvini i kishte bërë që në Këshillin Bashkiak, për miratimin e një vendimi të leverdisshëm për të. Pastaj, në herën e tretë, e mori përsipër vetë numërimin e votave, duke e numëruar votën e pestë, me 6-7, të gjashtën, me 8-9, etj. me një rrëmbim prestidigjitatori, duke përfunduar me gysmëfryme që i kishte mbetur ende në kraharor, se: - “Ja, dola fitues!”. (Në të vërtetë, të drejtën e numërimit e kishte kryetari i këshillit bashkiak, jo kryetari i bashkisë. Por Edvini e quante veten Zeusin e këtij institucioni dhe eja e i dil përpara, në mundsh!).
Veçse këto zgjedhje të 28 qershorit, zgjedhje parlamentare katërvjeçare, i bënë edhe kundërshtarët e kryetarit të plotfuqishëm të bashkisë, që t’i bënin sytë katër. Dhe kanë ç’të thonë, konkretisht, edhe PD-ja, edhe LSI-ja, edhe PR-ja... – që iu përgjigjën me të njëjtën monedhë, me ankimime, natyrisht më të argumentuara se ato të Edit, që kishte parë ëndrra në diell që të bëhej edhe kryeministër, - dhe të mbetej edhe kryetar bashkie! Por tahmaja e madhe të ngec në grykë!
Pyetja që iu bë Berishës nga gazetarët, - doemos që iu bë edhe Edvinit, - nëse do të uronte kundërshtarin politik, në qoftë se do të humbiste zgjedhjet. Kjo pyetje u mor si provokim! Megjithatë i pyeturi nuk mund të bishtnonte dhe, me sy të zgurdulluar, filloi ta zgjaste, siç bënte kurdoherë, kur gjendet në gjendje të vështirë. Pastaj, ia thanë troç: - “A do të respektohej neni 28 i Statutit të PS-së, në rast humbjeje të zgjedhjeve nga ana e PS-së?”. - Muhabeti përfundoi me një po të thatë.
Dhe tani që doli humbës , - e këtë po ia vënë në dukje edhe anëtarët e tij të Asamblesë Kombëtare, - ai po fillon ta dredhë, si njëherë vaktit!
*
Le ta citojmë nenin 28 të statutit të PS-së që të mund të shohim se në ç’gjendje paradoksale ka rënë Edi Rama, në interpretimet e tij të përçartura: “Mandati i kryetarit të partisë ndërpritet para kohe, kur partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative”. Me të drejtë Ben Blushi ka ngritur zërin e thotë se mandati i kryetarit, sipas këtij neni, është ndërprerë ipso facto (për vetë faktin). Më shkoqur: Edi Rama s’mund të vazhdojë të jetë më kryetar i PS-së. Ashtu sikundër, për arsye të njëjta, ish-kryetari historik i PS-së, kishte dhënë dorëheqjen. Por Edvini, i etur për postin e kryetarit, është i ngjitur pas këtij posti, si këpusha e cila, për definicion, të ngjitet dhe s’të ndahet (f. 514 e Fj. kuptimor). Kësisoj, duke mos mundur të shpallë se i kishte fituar zgjedhjet, u shpreh se nuk i kishte humbur ato! I mbyturi kërkon të mbahet nga flokët e tij! A ka rast asnjanës këtu? Ja rebuset e Ramës. Për t’i dhënë besueshmëri kësaj gjëegjëze, gjendja paradoksale përsëritet me atë shpalljen: nuk i njohim zgjedhjet! Veçse, tanimë, mujshia (kapadaillëku) i Ramës nuk mund të jetë i pakufishëm, si më parë. Kështu pranoi atë pjesëz të rezolutës së dytë të kundërshtarëve të vet në PS, se do të marrë pjesë në parlament! Por kjo e bën edhe më të ndërlikuar arsyetimin e tij: duke njohur parlamentin e duke qenë pjesëmarrës në këtë institucion, kuptohet se njeh edhe legjitimitetin e deputetëve. Përndryshe të mandatuarit nuk do të ishin të tillë, por silueta! Edhe këtu, pra, krijohet një nonsens. A thua se të gjithë pjesëmarrësit e Asamblesë Kombëtare janë aq të trashë sa të mos kuptojnë se këtu po lozet ( më saktësisht po bëhen orvatje për t’u tallur) me një nen të rëndësishëm të Statutit të PS-së? Përse i njëjti nen trajtohet ndryshe nga z. Nano dhe ndryshe nga z. Rama? Këto interpretime enigmatike si të Ramës mund t’i bënte edhe Fatos Nano e të gjente arsyet e mosarsyes të Cervantesit, për të mbajtur kryesinë në vijim, aq më tepër se ai kishte një plus jo të pakët: faktin që ishte kryetari historik i PS-së, kurse ky tjetri nuk ishte veçse një i ndërkallur rastësor, në kuptimin që do të kishte mbetur andej nga erdhi, po të mos e kishte prurë Fatosi, për të zezën e vet dhe të fatkeqësisë të partisë të cilën i sapoardhuri e përçau, me premtimin se do ta bënte monolite! (Ja edhe një premtim tjetër i pambajtur nga përçarësi patologjik, Edvin Rama!). Atëherë pyetja se mos kemi të bëjmë me njerëz të trashë, para disa rreshtash, kërkon një përgjigje. Dhe përgjigjja, për mendimin tim është jo. Po atëherë? Si tepër i lëvizshëm (për këtë mos t’ia hamë hakën!), kryetari, që do të mbajë me çdo kusht poltronën e kreut të PS-së, ka folur kokë më kokë me secilin nga krahinorët dhe ka marrë pohimin e secilit për “besnikëri”. Natyrisht, duke pasur për çdonjërin prej tyre, fishekun joshës!
Duke pasur kësisoj “votimesh” brenda partisë së tij, kuptohen edhe halucinacionet e tij tërë ankth, se mos ia vjedhin votat, kur vetë komisionerët e tij janë kundër këtij mendimi. Por ata na qenkan tradhtarë dhe duhen çuar në gjyq! Lum PS-ja me këtë kryetar!
...