Partitë e tjera brenda Partisë Socialiste
Vetëm parti politike nuk ngjan më PS-ja e kryesuar nga Edi Rama. Secili në PS është kundër gjithkund. Edhe Asambleja - që ishte një trampolinë e rrugëshpëtimit të Edi Ramës, u shndërrua në një farsë dështimi për vetë Ramën. Më shumë –politikisht- përfituan nga Asambleja të gjithë ata që ishin shprehur publikisht – dhe vetëm “JO” në organet e Partisë – për dorëheqjen e Ramës nga posti i kryetarit të Partisë. Kundërshtarët partiakë të Ramës, përfituan nga Asambleja sepse u bë e mundur dominimi i idesë se fajtori i vetëm politik i humbjes të PS në zgjedhje ishte i pari kryetari i partisë.
Pavarësisht - në etikimin e manipulimit politik - se rezoluta e Ramës, u konfirmua (dhe jo u miratua) nga shumica e asambleistëve edvivisto-socialistë, realisht, rezoluta dëshmoi se është konsumuar imazhi politik i kryetarit të partisë. Rezoluta ripërsëriti Edi Ramën e demagogjisë paszgjedhore- se sa ishte produkt i një analize politike të humbjes të PS.
Kjo, jo vetëm nga fakti që nuk u bë e mundur njësimi i dy rezolutave në një - por askush nga të pranishmit nuk u dha rëndësi politike çështjeve që u mëshonte rezoluta e kryetarit të PS. Politikisht, kjo deshifrohet në mosmiratim politik të anëtarësisë me kryetarin e Partisë. Dhe mosmiratimi politik i anëtarëve me kryetarin e PS shpjegohet me mosbesimin që dëftojnë - tashmë hapur - anëtarët e PS ndaj kryetarit në detyrë.
Edi Rama përpiqet më kot të ushtrojë kontroll partiak me metodat policore ala Braçe e ala Ruçi. Këto metoda kujtojne shkarkimin me metoda komuniste të kryetarit të socialistëve të Lushnjës apo cilësimet e Erion Braçes ndaj Blushit, si vegël e shitur te Berisha për të përçarë partinë. Kundërshtarët e tij partiakë, me të parin Ben Blushin e të dytë Arben Malaj kanë krijuar polin e kundërt partiak. Secili pol ka krijuar hemisferën e akullt ndaj rivalit dhe ndërmjet tyre, hapësira është ekuatoriale, e nxehtë e me akuza.
Në Partinë Socialiste – Tashmë - nuk mund të ketë bashkëjetesë. Askush nga palët kundërshtare nuk mund ta “falë” rivalin. Askush nga palët kundërshtare nuk mund të peshojë më në “parti”! Kundërshtarët do ta konsumojnë njëri-tjetrin me gjithë fjalorin e sharjes e të akuzave banale. Intrigat politike do të mjegullojnë imazhin partiak. PS-ja do të ngjajë më shumë me qelizën kafshërore të shkallës së ulët në evoluimit - ku çdo pjesë e saj ndahet e evoluon me vete.
Kështu edhe në PS çdo kundërshtar partiak është parti më vete brenda partisë zyrtare. Kjo është dhe do të jetë PS deri në gushtin e Thyer të kongresit.
...