Konflikti - Gratë rrahin burrat
Nexhmija, kishte
vendosur të
bënte paqe me
Hysenin. Fejesa e vajzës, që do të organizohej një javë më vonë, e detyronte të ulte kryet e të pajtohej me të shoqin. Pavarësisht se inati si kish kaluar, gruaja merr rrugën drejt lokalit ku i shoqi ishte ulur për një kafe...
Të tavoline nuk ndodhej vetëm. Pranë tij, një tjetër femër, ndoshta e dashura e re, hamendësoj përnjëmend Nexhmija...
E irrituar Nexhmija, i afrohet dhe nis ta qëlloj me çantë a ç’të kishte në duar, ta kap për flokësh, e më pas ta shajë e ofendoj dhe ikën... As fejesa e së bijës nuk ia vlejti për tu pajtuar. Konflikti mes tyre thellohet më shumë, aq sa burri i drejtohet dyerve të gjykatës.
Nuk është ndonjë hamendësim, a histori e trilluar, por një skenë e vërtetë konflikti mes dy bashkëshortëve, që jetojnë prej vitesh në periferi të Tiranës, por të dy të lindur në Mat. Ndryshe nga rastet kur në dyert e gjykatave, dynden gratë për të kërkuar një urdhër mbrojtje nga burrat, ka dhe nga ata syresh që kërkojnë të kundërtën, burrat denoncojnë gratë.
“Më kërcënon, fyen e dhunon”- rrëfehet Hyseni para gjykatëses, duke treguar se konflikti i sipërpërmendur ishte më i freskëti. Ama se kish vënë ujin në zjarr për të sjell prova konkrete, dëshmi a dëshmitarë. 57 vjeçari ankohet edhe më tej, se dhuna që Nexhmija ushtronte ndaj tij ishte e përhershme. Por nga ana tjetër, paditëse, 49 vjeçare i duhet të vetëmbrohet. Ajo nuk e pranon faktin se e ka dhunuar, por shton se paditësi, bashkëshorti i saj, është ndodhur shpesh nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe në shtëpi ka ushtruar dhunë ndaj saj, aq sa shumë herë është shoqëruar edhe në komisariat.
“Nuk kam paraqitur padi ndaj tij, duke menduar për fëmijët”- ka rrëfyer e ulur në një nga sallat e gjykatës, Nexhmija, nëna e katër fëmijëve.
Por gjykatëses i duhet të marrë një vendim, ndonëse rrëfimet e paditësit dhe të paditurës nuk mjaftojnë. Gjatë gjykimit u provua se prej disa muajsh paditësi i ka kërkuar të paditurës që të ndaheshin... E kësisoj, mbështetur në shpjegimet e dhëna nga palët në proces, duke qenë se nuk ka prova për të analizuar, gjykata çmon se nuk ka prova që të vërtetojnë që paditësi të jetë dhunuar fizikisht apo psiqikisht nga e paditura prandaj kërkesa e tij për të lëshuar urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes kundër të paditurës nuk duhet të pranohet”, thuhet ne vendimin e gjykatës, e cila e ka pushuar çështjen.
* * *
Dervishi dhe Lavdija, janë një tjetër rast konfliktual.
“E kam pasur grua Lavdijen dhe jam ndarë më parë. Pasi jam ndarë me zonjën kam bërë një shtëpi në qytetin e studentit që tani është në proces legalizimi. Për të mos pasur konflikte me gruan, kur u ndava, u largova dhe i lashë hyrjet e tjera me qera. Pas dy muajve që jemi ndarë gruaja ka bërë një urdhër mbrojtje ku unë nuk kam qenë asnjëherë në ato séanca dhe kam bërë ankim në Gjykatën e Apelit. Unë nuk kam shkuar asnjëherë në pjesën e banesës ku ja kam lënë zonjës, pasi ja kam lënë me dëshirë deri sa të ndahet pasuria”,- nis rrëfimin e tij para gjyqtares, 48- vjeçari me origjinë nga Tepelena. Por ky është vetëm fillimi për të. Dervishi, i cili është drejtuar dyerve të gjykatës, për urdhër mbrojtjeje nga ish- bashkëshortja e tij, rrëfen se herë pas here është ndeshur me kërcënime nga ana e Lavdijes e vajzës së tyre.
-”Kam zbatuar të gjitha rregullat për zgjidhje martese. Pasi jam ndarë me gruan, kam bërë martesë të rregullt me gruan e dytë. Gjatë kësaj kohe, me ish gruan kam pasur shqetësime me telefonata të ndryshme. Pas dy muajsh më thyen xhamat e makinës, më kanë djegur makinën dhe kam denoncuar në Komisariatin e Policisë nr 4 në Tiranë. Pas një muaji më kanë vjedhur makinën. Më kanë sharë dhe më kanë ofenduar e çfarë s’më kanë thënë. Kur kam shkuar në shtëpinë time në katin e dytë ato kanë ardhur aty më kanë rrahur nënën time 70 vjeçe. Ndaj meje nuk kanë ushtruar dhunë, vetëm më kanë sharë. Herën e fundit vajza ime Xhesika, ka dashur të vrasë vajzën time të vogël që e kam me gruan e dytë. Unë kam të drejtë të mbrohem nga gjykata dhe prandaj e kërkoj këtë urdhër”- vijon të mbrohet Dervishi. Ndërkaq është radha e Lavdijes të rrëfej edhe ajo versionin e saj të historisë.
-”Zotëria është i ndarë me mua ka dy muaj. Dhunën e vazhdueshme që ka bërë ndaj meje, e di tërë lagja. Më ka bërë me atakë në tru. E kam respektuar dhe e kam dashur dhe nënën e tij. I kam folur dhe si njeri, por ky njeri nuk është marrë vesh me mua. Nuk ka shtëpi me hipotekë, të gjitha i ka gënjeshtra. Ka pasur raste që dilte vetëm me femra, lloj, lloj. Herën e fundit u lidh me një grua të martuar dhe unë prapë i shërbeja atij. Mori gruan tjetër dhe u martua. Unë e takova dhe njëherë dhe I lutesha të kthehej në shtëpi për hir të fëmijëve. Më ka torturuar në mënyrën më çnjerëzore”, rrëfehet 55 vjeçarja nga Peshkopia. Rrëfimet për mbrojtje vazhdojnë edhe më tej, edhe nga e bija Xhesika, por si përfundim gjykata merr një vendim: rrëzimin e kërkesë-padisë si të pabazuar në ligj dhe në prova”.
* * *
Të dyja nga historitë e mësipërme nuk janë rrëfime të trilluara. Shpesh të bëjnë për të qeshur, shpesh të duken të pabesueshme, por të tilla janë të rralla, por të vërteta që kanë përfunduar në Gjykatën e Tiranës. Nuk mohohen edhe të tjera si këto ku ndryshe nga gratë, burrat kërkojnë urdhër mbrojtje. Padyshim janë më të rralla, dhe më të vogla në numër se rastet e konflikteve burrë-grua, ku gruaja kërkon mbrojtje. Dikush mund ti konceptojë të sipërpërmendurat si përfaqësuese të një kategorie të ulët shoqërore, pa kulturë dhe arsimim. Sipas gjykatëses, këto janë disa shkaqe, ama nga ana tjetër nuk mund të mohohet që gratë ushtrojnë “dhunë” ndaj burrave në rastet e tradhtisë së burrit ndaj gruas, a në rastet kur burri është i alkoolizuar, pse jo dhe arsimimi ka të bëjë. “Janë të rralla kësi lloj rastesh, por ndodhin për shkaqe të ndryshme. Këto urdhra mbrojtje zakonisht tërhiqen mbrapsh, por më tepër bëhen për presion ndaj bashkëshortëve përkatës. Shpesh ndodhin abuzime, që për hir të një historie paralel ku femrat mundohen të mbulojnë lidhjen e tyre jashtëmartesore dhe nga ana tjetër zgjedhin të konfliktohen me bashkëshortët. Sigurisht pjesa më e madhe e rasteve të tilla vjen nga zona rurale” shprehet gjykatësja.