E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini vendos për bojkot sa të pastrojë PS-në nga armiqtë

I biri i Kristaqit vendosi mbrëmë bojkotimin e të gjitha institucioneve shtetërore sa të pastrojë Partinë Socialiste nga armiqtë që e rrezikojnë nga rikonfirmimi i pushtetit, kur të humbë bashkinë në 2011 dhe zgjedhjet e përgjithshme në 2013. Blushi dhe të tjerët s’e ndalën dot ofensivën diktatoriale të Ramës, por bojkotimi rrezikon të prodhojë një luftë civile që do ta lërë vendin pa opozitë për vite me radhë

TIRANË- Partia Socialiste shënon një tjetër njollë turpi në historinë politike, teksa mbrëmë ka vendosur të bojkotojë pa afat dhe me kushte antiperëndimore punimet e kuvendit të ri, që starton të hënën. Kryetari mandatprerë Edi Rama, detyroi me dhunë kryesinë e selisë ylberiste që të miratojë më shumicë votash bojkotimin e parlamentit dhe veprimtarisë politike të deputetëve opozitarë, deri në zgjidhjen e problemeve të brendshme të partisë, ku edhe bien në sy ambiciet e rëndomta të Edvinit, për të qëndruar me çdo kusht, madje edhe abuzivisht në krye të PS-së. Një akt jo vetëm i papërgjegjshëm, por edhe me prirje fodullëku, kryetari në ikje, nuk është i shqetësuar se po shkel një standard demokratik, për një vend të lirë dhe kandidat potencial për integrimin në strukturat evropiane. Emblema e tij, pas të cilës ai fshihet, për këtë bojkot, është papranueshmëria e rezultati të zgjedhjeve të 28 qershorit, të cilat sipas tij nuk na paskan arritur standardet, qëndrim ky në disproporcion me atë të ndërkombëtarëve dhe të vëzhguesve të ndryshëm që ndoqën nga afër në tërësi procesin.
Edi Rama nuk ngurron të lexojë deklaratën e Komisionerit për zgjerim Olli Rehn, se zgjedhjet në Shqipëri ishin më të mirat në histori. Ai nuk lexon drejt, asnjë nga raportet e përfaqësuesve ndërkombëtarë, të vëzhguesve të institucioneve të huaja dhe vendore, të përfaqësuesve politik të opozitës në përgjithësi dhe PS-së në veçanti. Qëllimi i tij i vetëm është përdhosja e çdo ideali demokratik në vend dhe kthimin e Shqipërisë nën palën e kaskierës së vjetruar, të gjinushëve dhe ruçëve, që më vështirësi dhe me ndihmën e “komardares” Rama, po përpiqen të mbijetojnë politikisht.
Pasi eliminoi me frymë diktatoriale zërat ndryshe në parti, zërat kritikë që ngrinin tezat e reformimit të Partisë Socialiste, duke filluar nga kryetari i saj dhe deri në nivelet më të ulëta vendimmarrëse dhe kthimin e saj në një forcë politike konstruktive, Edvini ndërmerr një tjetër hap, për hir të interesave të tij të ngushta dhe personale.
Kërcënoi kryesinë që të vendosë bojkotimin e parlamentit, pa asnjë lloj arsyetimi politik. Ndonëse arsyeja e vetme mund të jetë ajo jo politike. Për realizmin e interesave të tij, siç është qëndrimi në krye të PS-së, në shkelje të hapur jo vetëm të statutit, por edhe të çdo lloj standardi moral, Edvini vendos të mos hyjë në parlament. 
Në këtë drejtim, gjithkush në Partinë Socialiste, deri tek anëtari më i thjeshtë i saj, e kanë kuptuar se Rama jo vetëm po tallet me ta, por edhe po i dhunon kohë pas kohe, sipas tekave dhe qëllimeve të tij, përderisa PS, është kthyer tashmë thjesht në një shtojnë të rëndomtë, deri në një rrënim të përafërt, atëherë kur edhe Rama të mos ketë më se çfarë të tentojnë...
Kësisoj, Partia Socialiste shënon një tjetër njollë turpi në historinë politike të saj. Mungesa e debatit konstruktiv, e alternativave politike, por vetëm lojë fjalësh dhe mashtrime në përballjen me opinionin publik, e kanë kthyer PS-në jo vetëm në një forcë fiktive, por njëherazi edhe drejt një degradimi të plotë, përpara skarcitetit politik.
PS po orientohet gjithmonë e më tepër drejt një vetëviktimizimi politik dhe dekompozimit të pashmangshëm, përsa kohë figura me prirje dhe frymë antidemokratike, po tentojnë kalbjen e saj, nëpërmjet shtrydhjes sipas interesave nga ato më personalet, deri tek ato klanore, të ramëve, gjinushëve dhe ruçëve.  
Ndaj edhe bojkoti, nuk është politik, pasi, si Rama ashtu edhe çdo kush tjetër, është i vetëdijshëm se PS i humbi zgjedhjet dhe jo se u mohua vota. Partia Socialiste dështoi që në fillim të fushatës, pas mashtrimit të turpshëm që Edvini propagandoi në media, se ka një program me 1001 faqe, ndërkohë që e gjitha ishte pjesë e spekullimeve dhe filozofisë dështake të tij.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›