Policia e Shtetit, luftë pa kushte, krimit dhe kriminelëve

Ministri Nishani vlerëson punën e forcave të rendit, për kapjen e të shumë kërkuarit Dajti
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani paralajmëron luftë pa kompromis ndaj mbetjeve të krimit deri në neutralizimin përfundimtar të tyre. Nishani vlerëson operacionin për kapjen e Dajtit dhe shpreh keqardhjen për humbjen e katër efektivave të Policisë së Shtetit
TIRANË- Ministri i Brendshëm Bujar Nishani vlerëson përkushtimin e forcave të rendit, për vënien para drejtësisë të autorëve të shumëkërkuar me precedentë kriminalë dhe njëherazi garanton se Policia e Shtetit nuk do të hezitojë t’u shpallë luftë kriminelëve. Këtë deklaratë ministri Nishani e bëri dje pas ceremonisë së dhënies së gradës “Inspektor”, punonjësve të rinj të patrullës së përgjithshme të policisë së shtetit.
Duke i’u referuar operacionit të policisë së disa ditëve më parë në Durrës, për kapjen e një të shumëkërkuari për disa vrasje, Dritan Dajti, ministri Nishani deklaroi se kapja tij ishte e vështirë dhe pati kosto të rënda, pasi ranë në krye të detyrës 4 oficerë të policisë.
Megjithatë, ministri i Brendshëm paralajmëron se Policia e Shtetit gjithmonë do t’i shpallë luftë krimit dhje kriminelëve. “Natyrisht, misioni për arrestimin e të shumëkërkuarit Dajti, ishte i vështirë. Rënia në krye të detyrës e katër, Dëshmorëve të Atdheut, ka qenë moment shumë i dhimbshëm. Por, mos harrojmë që Policia e Shtetit është dhe do të jetë gjithmonë në luftë kundër krimit dhe krimineleve. Në luftë ka shumë beteja dhe në betejë ka edhe të rënë”, tha Nishani.
Ai garantoi se siguria dhe rendi për publikun është obligimi më i madh i Policisë së Shtetit. “Çdo veprimtari ka analizën e saj për atë së cilat mund të jenë ato elemente që mund të përmirësojnë më tej punën e Policisë së Shtetit”, u shpreh Nishani.
Në fazën finale, hetimet për zbardhjen e vrasjes së deputetit Xhindi
TIRANË- Ministri i Brendshëm Bujar Nishani deklaron se hetimet për zbardhjen e vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi janë në duart e prokurorisë së Krimeve të Renda, dhe se shumë shpejt pritet të zbardhet ky krim dhe arrestimi i autorëve.
Ministri i Brendshëm ka besim të plotë në zhvillimin e mëtejshëm të hetimeve dhe finalizimin e shpejtë me zbardhjen e autorëve të mistershëm. “Është një çështje e cila është duke u marrë tërësisht organi i prokurorisë. Policia e shtetit që në fillim ka vënë në dispozicion të gjithë specialistët e saj më të mirë dhe nga informacionet që ne kemi është një hetim që po ecën brenda të gjitha parametrave të parashikuara në dosjen përkatëse. Kam besim të plotë”, deklaroi ministri Nishani.