5 mijë vëzhgues konfirmojnë përmbushjen e standardeve nga procesi i 28 qershorit

Një koalicion grupimesh vëzhguesish, i përbërë nga më shumë se 5 mijë veta ka konfirmuar dje përmbushjen e standardeve ndërkombëtare nga ana e autoriteteve shtetërore. Në raportin e posaçëm, ato e vlerësojnë procesin, si më të mirin në histori dhe që afron shumë finalizimin e procesit të integrimit të vendit në BE
TIRANË- “Shqipëria zhvilloi zgjedhjet më të mira në histori. Ne i vlerësojmë këto zgjedhje si një kontribut dhe arritje pozitive në procesin kompleks të zhvillimit demokratik të Shqipërisë”. Ky është konkluzioni i koalicionit të Vëzhguesve vendorë, të cilët publikuan dje raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në këtë raport, të cilin e lexoi ish kreu i KQZ-së Kristaq Kume, në thelb vlerësohet procesi si një arritje pozitive. Në raport thuhet se tonet negative që përdorën forcat politike në fushatë nuk arritën gjithsesi të mbizotëronin ditën e votimit.
Sipas raportit, zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, 28 qershor 2009 treguan se vendi ynë, klasa politike shqiptare, zgjedhësit shqiptarë dhe shoqëria, në përgjithësi, janë të ndërgjegjësuar për përgjegjësitë e mëdha qe ka anëtarësimi i vendit në NATO. Këto zgjedhje evidentuan përpjekjet e bëra nga vendi ynë në plotësim të detyrimeve që rrjedhin nga ky anëtarësim si dhe për arritjen e objektivit madhor: anëtarësimi në BE.
Në të vlerësohet se periudha parazgjedhore si dhe fushata u karakterizuan nga një klime politike e polarizuar, ndërsa procesi i votimit ditën e zgjedhjeve u zhvillua i qetë dhe pa probleme të rendit. Votuesit shqiptarë morën pjesë në votime me një përqindje të lartë, duke shprehur në këtë mënyrë nivelin e lartë të interesit dhe të përgjegjshmërisë së shoqërisë sonë për pjesëmarrje në proceset demokratike dhe në qeverisjen e vendit.
Raporti i vëzhguesve vendorë citon se procesi paszgjedhor u shoqërua nga një ngarkesë e tillë politike, e cila apriori vuri në dyshim rezultatin e zgjedhjeve.
Madje kundërshtitë në këtë drejtim raporti i sheh vetëm si argument për të përmirësuar më tej cilësinë e zgjedhjeve në kushtet kur vendi është anëtar i NATO-s.
Vëzhguesit flasin gjithashtu për një proces normal të numërimi të votave bazuar në kërkesat që parashikon ligji. Ato pak probleme të evidentuara sipas vëzhguesve vendorë erdhën si pasojë e nivelit të ulët profesional të grupeve të numërimit. Raporti vlerëson po aq pozitivisht dhe punën e KQZ. Ndërsa po ashtu edhe shqyrtimi i ankimimeve nga KQZ-ja, në tërësinë e tij, është realizua në përputhje dhe zbatim të Kodit Zgjedhor. Këtë përfundim e përforcon edhe fakti se nga vendimet e ankimuara të KQZ-së në Kolegjin Zgjedhor, nga 21 prej tyre vetëm 3 u hodhën poshtë prej këtij Kolegji.
Përsa i takon Kolegjit zgjedhor, raporti i vëzhguesve vendorë citon se veproi si një organ i pavarur, ku vendimmarrja e tij ju shmang presionit politik dhe pavarësisht nga konsideratat që subjekte politike deklaruan për të, me veprimet e tij ai ndikoi në mbarëvajtjen normale të procesit zgjedhor.
Një tjetër arritje pozitive cilësohet edhe shpallja e rezultateve përfundimtare dhe ndarja e mandateve për të gjithë zonat zgjedhore, brenda afatit të parashikuar në Kodin zgjedhor dhe me konsensusin e të gjithë anëtarëve të KQZ-së
Lidhur me rolin e forcave të policisë së shtetit, raporti i vëzhguesve vendorë vlerëson se respektuan në thelb dispozitat ligjore të Kodit Zgjedhor duke përmbushur me sukses funksionin e tyre gjatë procesit zgjedhor. Sjellja e tyre ka dëshmuar një plotësim të një standardi të kërkuar për zgjedhjet në vendin tonë.
Ndërkaq, raporti i koalicionit të vëzhguesve vendorë, vjen vetëm pak ditë nga deklarimi i bërë nga komisioneri për zgjerimin Rehn. Rehn vlerësoi procesin zgjedhor duke e krahasuar atë si më të mirin që vendi ka zhvilluar ndonjëherë. Rreth 400 vëzhgues vendorë afatgjatë dhe 2450 vëzhgues afatshkurtër u përfshinë në hartimin e këtij raporti që sjell një panoramë të zhvillimeve parazgjedhore të ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit të votave.