E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katastrofa e trafikut në Tiranë, shprehje e urrejtjes së Edi Ramës ndaj kryeqytetit

Të tjera eksperimente të kryebashkiakut me korrespondencë ndaj qytetarëve të Tiranës, të cilët janë të detyruar të durojnë luhatjet e humorit të një njeriu, psikologjikisht të destabilizuar. Reagon PD: Trafiku në Tiranë, makthi i tmerrshëm që përjetojnë qytetarët nga një bashki e papërgjegjshme


Bashkia e Tiranës ka dështuar në menaxhimin e trafikut në kryeqytet pas bllokimit të rrethrrotullimit në sheshin “Skënderbej”. Prej dy ditësh Bashkia e Tiranës ka ndaluar qarkullimin e automjeteve në këtë nyjë të rëndësishme, duke eksperimentuar kështu për të tretën herë radhazi trafikun në Tiranë. Në kushtet e mungesës së segmenteve alternative, ç’ka do ta bënin më efiçent qarkullimin, qytetarët janë të detyruar të përjetojnë makthet e një trafiku të frikshëm dhe njëherazi si rrezik permanent për aksidente. Radhë të gjata të automjeteve vërehen në të gjitha rrugët hyrëse të kryeqytetit, duke të krijuar përshtypjen e një kaosi që zor se mund të zgjidhet brenda një periudhe afatshkurtër. Kryeqyteti shqiptar njihet jo vetëm si më i ndoturi në Europë, por edhe më kaotiku për sa i takon qarkullimit të automjeteve. Prej vitesh me radhë kryebashkiaku Edi Rama, përmes linjave të aferave klienteliste ka ngushtuar rrugët, për t’i vënë ato në shërbim të lejeve të ndërtimit dhe nga këtu kthimin në apartamente shumë katëshe. Problemet e mëdha që ndeshin qytetarët sot vijnë si rrjedhojë e shfrytëzimit të çdo hapësire publike, duke e vënë në shërbim të firmave të ndërtimit në këmbim të përqindjes që kryebashkiaku bën të tijën dhe bllokimi i rreth rrotullimit të sheshit “Skënderbej”, çështje kjo që ka aludime të shumëfishta për mënyrën se si po kryhen punimet. Në këto kushte, qytetarët e Tiranës, taksapaguesit e rregullt të çdo takse të faturuar nga njësia vendore, në rastin konkret bashkia më e madhe në vend, janë të destinuar të përjetojnë tmerret e një trafiku të paralizuar dhe plotësisht pa jetë. Situata bëhet edhe më e vështirë nëse kujtojmë se me afrimin rritjes së temperaturave, lëvizja apo qarkullimi në kryeqytet do jetë një problem akoma edhe më evident, ç’ka shumëfishon rastet e emergjencave, ndërsa në asnjë prej korsive s’mund të kalohet për në destinacion.


Reagimi Për këtë problem ka reaguar dje edhe kryetari i Partisë Demokratike të Tiranës dhe deputeti Aldo Bumçi i cili akuzoi bashkinë se ka dështuar në zgjidhjen e çështjes së trafikut në Tiranë. “Për të pasur një trafik të pranueshëm në qytet, sipërfaqja kushtuar trafikut duhet të jetë 20 për qind e gjithë sipërfaqes së qytetit. Në rastin e Tiranës, sipërfaqja dedikuar trafikut është 6.6 për qind me ndërhyrjet për të përkeqësuar më tej këtë situatë të rënduar, bashkia e Tiranës me ndërhyrjet e saj pa një plan të përkohshëm, ka krijuar këtë gjendje të rënduar kur trafiku i rrugës së Durrësit, trafiku i rrugës së Kavajës që janë në maksimumin e tyre orientohen këtu në një gryke shishe, dhe krijojnë këtë bllokim për qytetin e Tiranës”, u shpreh deputeti demokrat, Bumçi. Kreu i PD-së për Tiranën i bëri thirrje bashkisë së Tiranës që të ndërhyjë sa më parë për të normalizuar qarkullimin e automjeteve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›