Edvinit i mbyll gojën PS - urdhëron të heshtet për jetën e 10 deputetëve

Po lexohet urdhri politik që asnjë deputet i PS-së të mos komentojë grevën e deputetëve të LSI-së, të paktën derisa të miratohet Kodi Zgjedhor javën tjetër. Leskaj, Bello e Xhafa refuzuan dje kërkesat për intervista. Reagon LSI-ja: Kjo, tradhti e Edvinit. PS-ja, vetëm formalisht partia kryesore e opozitës
Po lexohet urdhri politik që asnjë deputet i PS-së të mos komentojë grevën e deputetëve të LSI-së, të paktën derisa të miratohet Kodi Zgjedhor javën tjetër. Leskaj, Bello e Xhafa refuzuan dje kërkesat për intervista. Leskaj pas tentativave për të caktuar modalitetet e diskutimit te Kodit Zgjedhor gjate javes se ardhshme, Marko Bello ne nje tryeze politike per lirinë e votës e Fatmir Xhafaj, si bashkekryetar i komisionit te reformes zgjedhore; qe te tre refuzuan prerë te japin komente per greven e urisë së 10 deputetëve, e cila sot ka hyrë në ditën e 7-të, në atë që quhet fazë kritike për vetë jetën e grevistëve.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar dje ndaj deklaratës së dy ditëve më parë të kryeministrit Sali Berisha nga Brukseli në lidhje me grevën e urisë së 11 deputetëve. Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili, tha se kryeministri nuk mund të justifikohet se e ka të pamundur të zgjidhë krizën me faktin se është i shtrënguar të negociojë me Partinë Socialiste. “Berisha nuk mund të zgjedhë si pretekst për prishjen e standardeve të zgjedhjeve respektimin e interesave të ngushta të PS-së, meqe ajo është forca me e madhe e opozitës, sipas zgjedhjeve të Megadushkut të 2005, pasi këtu nuk bëhet fjala për marrëveshje PD- PS, por për një marrëveshje të përgjithshme për një start të barabartë në zgjedhje për të gjithë forcat politike, ku do të jenë zgjedhësit ata që do të vendosin. Interesat e vendit nuk mund të preken kurrë për hir të interesave të ngushta dhe zgjedhjet e drejta e të lira dhe të barabarta nuk mund të jenë peng dhe pronë e asnjë force të përveçme politike”, deklaroi Vasili. “LSI, vijoi më tej Sekretari i Përgjithshëm, kërkon që procesi i administrimit të zgjedhjeve të gjejë një zgjidhje parimore për të gjithë piramidën e zgjedhjeve që nga komisionet e qendrave të votimit, ato zonale, të grupeve të numërimit e deri në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”. Sipas Vasilit zgjidhjet në parim për këtë janë dy, “ose komisionet e administrimit të votës do të jenë në të gjitha nivelet teknike ose ato do të jenë gjithëpërfshirëse së paku në nivel parlamentar dhe se LSI është e hapur për të dyja këto opsione”. Në këtë kuadër ai e cilësoi si absurde pretendimin për rritjen e shpenzimeve nga shtimi i numrit të komisionerëve.
Gjithsesi Vasili tha se edhe ky pretendim e ka zgjidhjen dhe kjo mund të arrihet nëpërmjet vullnetarizmit, ku partitë parlamentare çojnë përfaqësuesit e tyre pa pagesë të cilët plotësojnë kriteret e caktuara me ligj dhe ndëshkohen nga ligji për shkeljet e tyre nëse ata bëjnë të tilla. “Gjithçka që Berisha ka deklaruar, janë thjeshtë justifikime për të shpëtuar marrëveshjen me Ramën, e cila ka të bëjë jo vetëm me zgjedhjet, por edhe me Gërdecin, me ndryshimin e Kushtetues dhe me mjaft afera të tjera. I bëjmë thirrje Berishës që të mos provokojë më sepse përgjegjësia dhe pasojat që bien mbi të janë tepër të mëdha. Deputetët kanë hyrë në këtë greve urie jo për një ligj apo por për një nen të ligjit, por kanë hyrë për garantimin e votës së lirë, kanë hyrë për të shpëtuar zgjedhjet e lira dhe të drejtën e votës se çdo shqiptari. Deputetët po sakrifikojnë, sepse kërkojnë standarde për zgjedhjet e ardhshme aq të rëndësishme për vendin. Kodi i zgjedhjeve nuk është aspak një çështje teknike, por një çështje vullneti politik”, deklaroi Vasili.
...