E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra e hapur e grevistëve nuk jep zgjidhje, thjesht fut në krizë të mëtejshme dialogun për reformën zgjedhore

Pas 6 ditësh ngujimi, 10 deputetët grevistë kanë rifilluar në distancë dialogimin me palët politike. Përmes një letre të firmosur nga të gjithë pjesëtarët e grevës drejtuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeministrit Sali Berisha, kreu të Partisë Socialiste, Edi Rama, ambasadorit të
OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, ambasadorit të Komisionit Europian, Helmuth Lohan si dhe ambasadorit amerikan në Tiranë Xhon Uidhers, deputetët shpjegojnë arsyet e grevës së tyre të urisë ndërsa propozojnë dy rrugë për zgjidhjen e krizës: krijimin e një administrate civile për mbikëqyrjen e procesit dhe numërimin e votave ose një administratë partiake gjithëpërfshirëse. “Kodi i ri Zgjedhor shënon hapa të rrezikshëm mbrapa në standardet e administrimit të zgjedhjeve. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë demokratike, komisionet e administrimit të zgjedhjeve monopolizohen nga dy parti politike dhe ndërtohen mbi kriteret e mbylljes dhe përjashtimit. Sipas Kodit Zgjedhor të propozuar nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, komisionet zgjedhore përbëhen nga 7 anëtarë, ku 5 prej tyre i marrin PS-PD dhe 2 të tjerët i zgjedhin përsëri PS-PD. Në këtë mënyrë kjo ‘reformë’ i siguron kontrollin e gjithë procesit të administrimit të zgjedhjeve vetëm dy forcave politike, të cilat mbeten përgjegjëset e deformimit të gjitha zgjedhjeve në Shqipëri. Ne gjykojmë se nuk është aspak e drejtë dhe demokratike që administrimi i zgjedhjeve të ardhshme të kontrollohen nga vetëm këto dy parti”, thuhet në letrën e deputetëve grevistë.
Ne letër citohet më tej se qëndrimi i OSBE dhe ODIHR të cilët kanë monitoruar zgjedhjet e kaluara në Shqipëri ka qenë shumë i qartë, për sa i përket procesit të administrimit të zgjedhjeve dhe përbërjes së komisioneve zgjedhore. Përfaqësuesit e tri forcave politike propozojnë depolitizimin e plotë të gjithë komisioneve të administrimit të zgjedhjeve duke zgjedhur gjithë anëtaret e tyre nga shoqëria dhe administrata civile, jo anëtar të forcave të ndryshme politike, pasi sipas tyre në këtë mënyrë të gjitha partitë bëhen të barabarta para ligjit. “Nëse nuk pranohet ky propozim për të depolitizuar gjithë procesin e administrimit të votave, atëherë t’u japim mundësinë të gjitha partive parlamentare apo grupimeve të tyre në koalicione zgjedhore të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në komisionet e administrimit të votave dhe zgjedhjeve. Ne propozojmë që shteti mos të marrë përsipër pagesën për këto komisionerë, por partitë të gjejnë vullnetarë për t’i përfaqësuar ato pa shpërblim. Në këtë mënyrë nuk i harxhojmë taksapaguesve shqiptarë asnjë qindarkë për komisionet e administrimit të zgjedhjeve”, përfundon letra e deputetëve grevistë.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›