Kodi i ri Zgjedhor, financime të kontrolluara dhe 30 për qind e listës duhet të jenë femra
Zbërthehen pikat e rëndësishme, që do të mundësojnë zgjedhje të lira e të ndershme
Komisioni i posaçëm zgjedhor i dha fund punës së tij duke miratuar Kodin e ri Zgjedhor. Dokumenti që përcakton rregullat e përgatitjes, zhvillimit, administrimit, mbikëqyrjes dhe shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, qofshin këto për Kuvendin apo organet e qeverisjes vendore. Për herë të parë në Kod, përcaktohen periudhat e mundshme të mbajtjes së zgjedhjeve. Kështu zgjedhjet lokale apo të përgjithshme do të zhvillohen, brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi në 30 qershor ose 15 shtatori në 30 nëntor. Kodi reflekton ndryshime dhe në institucionet e përgatitjes dhe administrimit të zgjedhjeve.
Kështu KQZ do të përbëhet nga 7 anëtarë dhe jo me 9, duke i rikthyer këtij institucioni të njëjtin konfigurim sikurse kish përpara vitit 2006. Anëtarët e KQZ-së zgjidhen nga Kuvendi me një mandat 4-vjeçar. Edhe në këtë pikë, komisioni ka reflektuar ndryshim jo vetëm në reduktimin me një vit, të mandatit të komisionit por dhe heqjen e së drejtës së Presidentit dhe KLD-së për të propozuar anëtar për KQZ. Një zhvillim që u komentua jo pak mediatikisht por që duket rrjedh nga kushtetuta. Ligji themelor nuk u njeh të drejtën këtyre institucioneve kushtuese, të përfshihen në këtë proces. Të drejtën e propozimit të anëtarëve në KQZ e gëzojnë vetëm partitë politike. Dy partive të mëdha i takon secilës nga 2 anëtarë. Anëtari i pestë propozohet nga grupime deputetësh të partive të shumicës parlamentare ndërsa anëtari i 6 nga grupime deputetësh të partive të opozitës parlamentare. Në këtë pikë hyn në lojë dhe mbështetja e dy grupimeve më të mëdha parlamentare. Mbështetja me firma për kandidaturat e propozuara nga grupimet respektive përkthehet ndryshe, një vend në KQZ.
Për shkak të sistemit të ri zgjedhor, për herë të parë do të flitet për komisione të zonave të administrimit zgjedhor ose KZAZ të ngjashme me ish-KZQV. Këto komisione do të përbëhen nga 7 anëtarë ndryshe nga sa parashikohej në kodin paraardhës, me 13 anëtarë. Në KZAZ, dy partive të mëdha u takojnë secilës nga dy anëtarë të komisionit, një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare dhe një nga partia e dytë në opozitë. Si bazë për vlerësim merren zgjedhjet pararendëse, në rastin e atyre të Përgjithshme rezultati i zgjedhjeve të vitit 2005.
Mënyra e ndërtimit të KZAZ është një tjetër çështje e kontestuar nga partitë e vogla parlamentare që reduktimin në 7 anëtarë të komisionit e shohin si përjashtim nga procesi. Komisionet e qendrave të votimit ose KQV do të përbëhen gjithashtu nga 7 anëtarë. Partitë e mëdha si arsyetim kryesor mbi reduktimin e numrit të komisionerëve në institucionet e përgatitjes dhe administrimit të zgjedhjeve, kanë dhënë kërkesën e vazhduar në këtë drejtim të OSBE- ODHIR.
Kodi i ri parashikon që grupet e numërimit të votave të përbëhen nga 4 anëtarë nga të cilët 2, i takojnë dy partive të mëdha. Dy të tjerët zgjidhen me short një nga partitë e mazhorancës qeverisëse dhe një nga partitë e opozitës.
Ligji elektoral parashikon zgjidhje dhe mbi një nga çështjet e shumë debatuara ajo mbi dokumentet e identifikimit që një shtetas paraqet në momentin e votimit. Kështu do të votohet me kartat e reja të identitetit dhe pasaporta. Për sa i takon kësaj të fundit krahas pasaportave të reja me elemente biometrike mund të votohet dhe me pasaportat aktuale, afatet e së cilës për përdorim, nuk kanë përfunduar.
Procesi i numërimit të votave për herë të parë do të monitorohet nga kamera regjistruese dhe monitorë për shfaqjen e fletës së votimit, përpara vlerësimit të saj. Kamerat e rezolucionit të lartë do të instalohen mbi tavolinat e numërimit të votave.
Listat shumë emërore të kandidatëve të partive politike depozitohen në KQZ jo më vonë se 40 ditë nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve, e njëjta gjë dhe për partitë pjesëtare të një koalicioni politik. Kandidatë për deputet mund të regjistrohen si të tillë vetëm për një zonë zgjedhore. Përjashtim bëjnë kryetarët e partive të cilët mund të kandidojnë në një apo më shumë zona zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin. Risi e kodit konsiderohet dhe vendosja e kuotave për gratë.
Ndërsa, krahas financimit të përcaktuar me ligj nga fondet publike partitë mund të marrin fonde dhe nga persona fizikë dhe juridikë. Por shuma që secili prej tyre financon, nuk mund të kalojë vlerën e 1 milion lekëve. Dhurimi i fondeve me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë, duhet të bëhet vetëm me llogari të posaçme bankare nga subjekti zgjedhor. Shpenzimi total për fushatë që një parti mund të kryejë përfshi dhe kandidatët e saj nuk mund të kalojë dhjetëfishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike të shpërndara me ligj.
Kodi parashikon gjithashtu dhe kontrollin e shpenzimeve për fushatë. Për sa i takon procesit të ankimimit, kodi i ri ruan të njëjtën procedurë, me dy shkallë, KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor. Pavarësisht se sistemi i ri zgjedhor parashikon ruajtjen e një pragu natyror për çdo rajon, në përllogaritjen e mandateve në kodin e ri, janë vendosur gjithsesi pragje. Kështu përjashtohen nga shpërndarja e mandateve ato parti politike që kanë marrë më pak se 3 për qind dhe koalicionet që kanë marrë më pak se 5 për qind të votave të vlefshme në zonën zgjedhore përkatëse. Drafti i kodit të ri zgjedhor u miratua në fund të mandatit të shtyrë disa herë të komisionit të posaçëm kuvendor. Vula përfundimtare do të vendoset në Kuvend javën e ardhshme.
Anëtarët e komisioneve
KQZ-ja
KQZ-ja ka 7 anëtarë, të cilët do të zgjidhen me një mandat kohorë prej 4 vjetësh. KQZ formatohet sipas formulës 2 anëtarë PD, 2 anëtarë PS, 1 anëtar nga forcat e vogla të spektrit të djathtë, 1 anëtar nga forcat e vogla të spektrit të majtë. Kryetari do t'i përkasë mazhorancës, ndërsa nënkryetari partisë kryesore të opozitës.
KZAZ-të
KZAZ-të ka 7 anëtarë, që do të zgjidhen sipas formulës 2 nga PD, 2 nga PS, 1 nga partia e dytë e spektrit të djathtë dhe 1 nga partia e dytë e spektrit të majtë. Kryetari zgjidhet me short mes PD-së dhe PS-së.
KQV-të
KQV-të ka 7 anëtarë që do të zgjidhen sipas formulës 2 nga PD, 2 nga PS, 1 nga partia e dytë e spektrit të djathtë dhe 1 nga partia e dytë e spektrit të majtë. Kryetari zgjidhet me short mes PD-së dhe PS-së.
Kriza e grevistëve - zbulojnë se s’kanë lënë rrugëdalje
Qëkur shpallën grevën e urisë, gazeta vuri theksin tek mungesa e kushteve të qarta të negociimit politik të çështjes si dhe mungesa e modaliteteve se kur ajo mund të quhet e përfunduar nga të dyja palët. Në ditën e gjashtë të grevës, deputetët e kanë futur veten në zonën e rrezikut, çka po i detyron ata të bëjnë propozime aventureske, si përjashtimi i të gjitha partive politike nga komisionet zgjedhore
...