Efektet e ilaçeve, ngrihet farmakovigjilenca
zirina llambro
Efektet anësore të ilaçeve dhe pasojat e tyre mbi shëndetin e pacientëve, do të monitorohen për herë të parë nga personeli mjekësor. Në këtë mënyrë, qytetarët nuk do paguajnë më mbi shëndetin e tyre, koston e një trajtimi të gabuar. Sistemi i ri i farmakovigjilencës do të garantojnë cilësinë e medikamenteve për çdo qytetar. Gjithçka u bë me dije dje gjatë konferencës të mbajtur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave. Mbështetje të veçantë dhe asistencë për ngritjen e kësaj qendre ka dhënë Kooperacioni Italian për zhvillim. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në këtë konferencë, theksoi rëndësinë e strukturës së re si një garanci më shumë që ju ofrohet qytetarëve shqiptarë në trajtimin mjekësor. “Veprimi ynë shtetëror ka qenë i përqendruar në kontroll të plotë dhe efektiv me gjithçka që përballet pacienti shqiptar”, tha Vasili. Ai shtoi se të gjithë profesionistët e shëndetësisë, tashmë do të jenë nën vëzhgim dhe të “detyruar” nga ligji për të raportuar çdo efekt të padëshiruar dhe sjelljet në praktikën mjekësore të barnave që gjenden në treg. Sipas Vasilit, një grup pune ka përfunduar ndryshimet e nevojshme në ligjin e barnave. “Kemi barna mjaft të sigurta që regjistrohen në mënyrë korrekte nga strukturat tona. Tashmë një strukturë e re do të monitorojë sjelljet e këtyre barnave në praktikën mjekësore. Kombinuar dhe me elementë të tjerë, si ngritjen e task-forcëve për barnat, po i afrohemi gjithnjë dhe më shumë objektivit tonë që është ofrimi i një garancie maksimale në raport me qytetarin”, theksoi Vasili. Ndërkaq, drejtori i Qendrës së Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj e cilësoi ngritjen e farmakovigjilencës si një hap shumë i rëndësishëm, pasi evidenton problemet që mund të hasin pacientët me cilësinë apo me keqpërdorimin e barnave. “Përgjithësisht kostoja për rikuperimin e dëmeve të efekteve të padëshiruara të një medikamenti e kalon disa herë koston e vetë mjekimit për shërimin e sëmundjes, për të cilën mjekohej fillimisht pacienti, farmakovigjilenca e minimizon këtë problem”, tha Jakaj. Zv/ambasadori italian, Francesko de Luigi, në fjalën e tij rikonfirmoi dhe njëherë mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij për sistemin shëndetësor shqiptar. “Ne jemi dëshmitarë të ndryshimeve rrënjësore që ka pësuar ky sistem, dhe ai farmaceutik në veçanti, gjatë viteve të fundit”, tha De Liugi. Ai shtoi se farmakovigjilenca është shkenca dhe aktiviteti që ka lidhje me zbulimin, vlerësimin, kuptimin me qëllim parandalimin e efekteve të padëshiruara ose të ndonjë problemi tjetër që ka lidhje me barin. Qëllimi i farmakovigjilencës është përmirësimi i kujdesit ndaj pacientit, duke rritur sigurinë në lidhje me përdorimin e barnave. Po kështu, duke shtuar kujdesin edhe gjatë ndërhyrjeve mjekësore ose paramjekësore. Struktura e re synon të përmirësojë shëndetin publik e të japë garanci në lidhje me përdorimin e barnave.
Përse duhet farmakovigjilenca
Qëllimi humanitar:
(Kur ka të dhëna të pamjaftueshme mbi sigurinë e barit, të cilat i marrim nga provat klinike. Eksperimentet në kafshë.
Barnat shërbejnë për të shpëtuar jetën:
Të vdesësh nga një sëmundje ndonjëherë është e pashmangshme, të vdesësh nga një bar është e papranueshme.
Efektet e padëshirueshme na kushtojnë shumë:
Farmakovigjilenca minimizon kostot e padëshiruara për pacientët
Rekomandon dhe kërkon përdorimin me racional të barnave
Garanton sigurinë e publikut