E Diel, 1 Nëntor 2026

Piktori i Enver Hoxhës:Tablotë “Gju më gju me popullin” dhe “Mbledhja e Moskës” janë zhdukur



alma mile

Teksa ecën mes tablove të Zef Shoshit, ndihesh mirë. Ngjyra të gjalla, “diellore”, siç i quajnë specialistët, kostume popullore, gra zadrimore kokë më kokë, xhubleta valë-valë, malësorë, por edhe luftëtarë me armë krahut, një nudo e vetmuar, rrudhat e një gjysheje... Gjallëri jete sjell në ekspozitën e tij personale piktori i merituar, Zef Shoshi. Pas 8 vitesh nga ekspozita e tij e fundit, ai kthehet në Galerinë Kombëtare të Arteve me një ekspozitë të plotë, që përfshin vepra që nga vitet e shkollës, deri në vitin 2010. çka i mungon ekspozitës janë portretet e Enver Hoxhës,, që në karrierën e Shoshit zënë një vend të rëndësishëm. “Ato përbëjnë një ekspozitë më vete”, thotë piktori, i cili tregon kohën kur pikturonte portretin e ish-diktatorit dhe bashkëshortes së tij. Shoshi tregon edhe për tablonë e “Mbledhjes në Moskë”, por edhe për nudot, për të cilat e paditën për “pornografi”.
Z. Shoshi, vjen një moment që artisti dëshiron të ndajë me të tjerët krijimtarinë e tij. është një moment i tillë hapja e kësaj ekspozite?
Kisha në duar disa punime të kohëve të fundit, të cilat dëshiroja t’i ekspozoja. Vitet po kalonin dhe mendova të bëj një përmbledhje të krijimtarisë sime, duke përfshirë edhe krijimtarinë e hershme. Shumë vepra kuptohet janë shpërndarë, ca edhe kanë humbur e nuk ua di destinacionin, kështu që në këtë ekspozitë paraqes një pjesë të mirë të punëve, të cilat ruhen në fondin e galerisë, apo studion time, duke filluar nga Liceu Artistik, me dy punime të asaj kohe, deri te ditët tona. Në vitin 2002 kam ekspozuar në sallën e vogël të Galerisë dhe tani pata mundësinë të ekspozoja në sallën e madhe, që është e preferueshme për krijuesit, për të realizuar një ekspozitë të plotë.
Ju mbaheni si një mjeshtër i portretit, përse jeni fokusuar aty më së shumti?
Ashtu si e kanë përcaktuar edhe kolegët dhe kritika, shquhem për portretin. Kjo ka qenë një nga dhuntitë e mia të veçanta. Më ka pëlqyer të përqendrohem në psikologjinë, karakterin, në figurën, fizionominë e fytyrës së njeriut. Ndaj dhe mbizotëron në krijimtarinë time, krahas edhe punëve të tjera, kompozimeve, natyrave të qeta, peizazheve...
Shumë zadrimore mes punëve tuaja, ç’ju ka shtyrë kah këtyre portreteve?
Kjo është një temë mbizotëruese në krijimtarinë time, për arsyen se kam pasur kontaktet me fshatin qysh në shkollën e mesme, përmes një njeriut të afërm. Ai ka qenë nga të parët biznesmenë në periudhën e Zogut e para çlirimit. Ai ka sjellë makinat shirëse në Shqipëri dhe gjatë verës shinte grurin e fshatarëve. U lidh me një familje të fshatit, që ma prezantoi dhe atje kam realizuar temën e diplomës së Liceut dhe në vazhdimësi, diplomën e Institutit të Lartë të Arteve, në vitin 1962. Deri në ’64 shkoja shpesh atje, ndërsa më vonë kam vizituar edhe fshatra të tjera, si Kallmet, etj. Siç duket kjo periudhë ka lënë gjurmë tek unë dhe kthehet si reminishencë e së kaluarës. Dhe në këtë ekspozitë dominon kjo temë si një preferencë imja. Më ka pëlqyer drita, ngjyra, kontrastet e veshjeve, detajet... Në veshjet e Zadrimës gjen disa veçori të ndritshme të ngjyrës, të cilat herë pas here ngrenë krye në krijimtarinë time.
Keni lëvruar shumë edhe temën historike...
Edhe temat historike e politike kanë zënë një vend të konsiderueshëm, mes të cilëve edhe figura e Enver Hoxhës. Për të vijuar me figurën e Skënderbeut, temën e luftës për pavarësi, në malësinë e veriut. Edhe në këtë ekspozitë janë 3-4 tablo me këtë subjekt.
Përse nuk keni paraqitur ndonjë portret të ish-diktatorit në këtë ekspozitë?
Ajo është një temë e veçantë, ka një karakter të veçantë dhe do të duhej një temë më vete për të. Ato tablo janë shpërndarë, nuk dihet se ku janë, por nëse do të ishin do të përbënin një ekspozitë të veçantë me vizatime, gravura, piktura, portrete. Ruaj vizatimet fillestare të portreteve të Enver Hoxhës, kam një dosje të tërë me gravura me tush. është një cikël i tërë.
Ka pozuar ai për ju?
Nuk ka pozuar, por kam shfrytëzuar materiale fotografike. Natyrisht disa i kam trajtuar edhe në distancë, sidomos gjatë disa vizitave në zonën e Jugut, si në Gjirokastër, Korçë, Pojan, Ksamil. Në Ksamil e kam vizatuar nga një distancë prej dy metrash larg. Ato mund të konsiderohen si vizatime të marra nga natyra, drejtpërsëdrejti. Ato i kam ruajtur, pasi kanë vlerë artistike dhe dokumentare.
Ju keni qenë portretisti më i mirë i Enver Hoxhës, ka pasur ai preferenca karshi penelit tuaj?
Mesa duket... Sipas kujtimeve të Sulo Gradecit, ai vetë ka porositur që portretin e Nexhmijes ta bënin tek unë. Këtë e di nga teksti i kujtimeve, por nuk di tjetër të veçantë.
Po portretet e Nexhmije Hoxhës, si i keni realizuar?
Kam realizuar tre portrete, duke shfrytëzuar edhe fotografi, apo edhe nga natyra. Një nga koha e gjimnazit, një nga koha e luftës dhe gjatë periudhës së socializmit.
Gjatë viteve të diktaturës, ka pasur raste kur fakti që ju keni realizuar portretin e Enver Hoxhës t’ju ketë hapur probleme?
Në përgjithësi ka pasur një qëndrim pozitiv, sidomos portretin në tavolinën e punës, në zyrë, e kanë pëlqyer shumë, pavarësisht nëse kanë qenë nostalgjikë apo kundër socializmit. Vetëm një rast më ka qëlluar në Kallmet, ku dikush u revoltua shumë, kur mori vesh se unë kam realizuar portretet e Enver Hoxhës. Mu kërcënua sikur donte të më rrihte. Raste të tjera nuk më kanë qëlluar. është mbajtur qëndrim pozitiv ndaj veprës, pavarësisht subjektit.
Pak më parë ju thatë se shumë punë kanë humbur, për cilat piktura bëhet fjalë?
Janë të ndryshme. Dy vepra që kanë qenë në galeri, “Gju më gju me popullin” dhe “Bisedë mbi tokën”, kanë dalë prej saj. Më kanë thënë që kanë shkuar te Piramida, por nuk e di destinacionin e saktë. Një portret i madh i Enver Hoxhës, që ka qenë në sallën e pritjeve të presidiumit, i vitit 1983, i cili është ekspozuar gjatë homazheve, ka dalë nga ai institucion dhe i është shitur një punonjësi të Ambasadës Italiane. E kam parë këtë portret kur më kanë ftuar shtëpinë e këshilltarit të Ambasadës Italiane dhe ma paraqitën si surprizë. Por edhe punë të tjera kanë humbur. është puna e diplomës, që nuk e di në është djegur, apo grabitur. Ka qenë në klubin e Institutit të lartë Bujqësor, bashkë me disa vepra të tjera të vogla. Por portrete, kompozime, nëpër galeri të ndryshme nuk i di ku kanë përfunduar. Mes tyre portretin e një matiani, në Shtëpinë e Kulturës në Rrëshen. Nuk më vjen keq nëse do jetë grabitur, sepse do jetë diku, por nëse do të jetë asgjësuar. Në Pogradec janë asgjësuar disa punë të miat, pasi ajo galeri pësoi një dëmtim. Bëhet fjalë për një portret të Avni Rustemit dhe një kompozim nga lufta. Një portret shumë i bukur i një plaku nga Kruja ka qenë në galerinë e Gjirokastrës dhe nuk ia di destinacionin, por dhe shumë punë të tjera që unë nuk i mbaj mend. Shumë punë janë shpërndarë nëpër koleksione, brenda dhe jashtë vendit. Një koleksion me punë shumë të bukura e ka marrë një biznesmen shqiptaro-amerikan, i cili i bleu me një çmim fare qesharak tani, por që për kohën na dukej një pasuri e tërë, 300 dollarë. Një nga ato punë, ai, ia ka shitur një Universiteti në Uashington, për të cilën më ka njoftuar ambasadori ynë atje, Sallabanda. Më kërkoi një curriculum, që ta vinin përbri pikturës.
Ndër veprat tuaja është edhe “Mbledhja e Moskës”, cili është fati i saj?
Ajo ka qenë e ekspozuar në Shkollën e Partisë “Lenin”. Ka qëndruar aty për një kohë të gjatë, deri në ardhjen e demokracisë. Më tej nuk di ç’është bërë me të, ose është djegur, ose grabitur. Dhe ajo është tabloja me dimensionet më të mëdha që kam realizuar, 4 x 1.80 metra.
Ju vërtetë keni kryer studimet në Rusi, por nuk keni qenë në mbledhjen e 81 partive, si e realizuat këtë vepër?
Jo nuk kam qenë, por kam punuar përmes materialeve fotografike. Kam bërë edhe një konsultë me Ramiz Alinë, aso kohe. Zhvilluam një takim, për atë çka kishte ndodhur atje. Por edhe kjo tablo, ashtu si edhe ajo e Guri Madhit, pësoi një ndryshim pas ngjarjes së Mehmet Shehut. Pasi u ekspozua mu kërkua të bëja një retushim. Ajo u riekspozua më tej, por tani nuk e di më fatin e saj.
Duhet të jetë pëlqyer boll, përderisa ka qenë e ekspozuar në Shkollën e Partisë...?
Ajo ka pasur vërtetësi personazhesh. Aty kanë qenë disa koka të politikës së asaj kohe. Përveç Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe Hysni Kapos kanë qenë figura si Dolores Ibarruri, Gjeorgjiu Dezh, Hrushovi, Susllovi, Kozllovi, etj. Më vjen shumë keq që ajo nuk gjendet, pasi ajo ofron një zgjidhje më të natyrshme të asaj ngjarjeje, krahasuar me atë të Guri Madhit. Por nuk më takon mua të gjykoj më tepër.
Qysh në punët e para të ekspozitës, të bie në sy një nudo, e cila i përket viteve të para të krijimtarisë suaj...
Ajo është një vepër e shkollës, gjatë vitit 1959, viti i tretë në Akademinë e Shën Petersburgut. Kam realizuar edhe nudo të tjera, të paraqitura në ekspozitën e parë të nudos në Tiranë dhe solla këtë punim “Nudo e ulur”, pasi kjo nuk është ekspozuar më parë.
Duhet t’i keni mbajtur fshehur, pasi aso kohe këto lloj pikturash nuk lejoheshin?
Po, është e vërtetë. Kanë ndenjur një kohë të gjatë në studio, pasi nuk lejoheshin atëherë. Madje kam pasur edhe një incident për shkak të tyre. Pasi u ktheva nga studimet, unë nuk kisha studio dhe i mbaja në shtëpi. Më paditën në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, për “pornografi”. Ishte Foto Stamo që i qetësoi atëherë, duke u shpjeguar se bëhej fjalë për vepra arti. Kështu që ato ndenjën të mbyllura gjatë dhe kanë dalë në dritë vetëm pas demokracisë.
Ndërkohë çfarë keni në duar, ç’ju frymëzon?
Shpesh herë hap blloqet e vizatimeve dhe nxjerr prej tyre subjekte, tema. Kam shumë ide, por më intereson më shumë të marr ndonjë porosi, pasi kemi nevojë. Unë kam një pension të vogël. Kështu që më duhet të punoj, për të mbuluar hallet familjare. Emrin e kam të madh, por dhe hallet i kam të mëdha. Duken se eckërkan paralelisht.

Zef Shoshi, 55 vite krijimtari në një ekspozitë

Me një seri punësh të panjohura, krijuar gjatë 7 viteve të fundit, piktori Zef Shoshi kthehet në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në ambientet e GKA-së, Piktori i Merituar ekspozon krijimet e viteve 2003-2010. Ekspozita e piktorit Shoshi sjell krijimtarinë e tij me vepra retrospektive, duke filluar me “Autoportretin” e vitit 1955, me një grup veprash të periudhës së Akademisë në Rusi dhe duke vazhduar me vepra të periudhës së mbas studimeve, me një koleksion prej 35 veprash nga periudha 20- vjeçare (1989-2009) dhe me 2 tablo të realizuara në vitin 2010 (“Pashuku” dhe “Vajza me strajcë”). Piktori Shoshi shpalos në këtë ekspozitë stilin e tij piktorik të dallueshëm, të konsoliduar në vite, ku prioritet marrin ngjyra e ngjeshur dhe drita diellore. Motivet kryesore të artistit në këtë ekspozitë (kompozimet e tij) janë ato historike dhe tema e fshatit, kryesisht nga zona e Zadrimës, ku ai është frymëzuar në realizimin e dhjetëra e dhjetëra portreteve e kompozimeve figurale. Punimet e viteve 2003 – 2010 ekspozohen për herë të parë për publikun. Në ekspozitën e vitit 2010, paraqiten edhe 12 vepra nga koleksioni i GKA-së. Zef Shoshi i përket asaj plejade të piktorëve shqiptarë, që ka krijuar kryesisht nën realizimin socialist, por që ende vazhdon të krijojë. I takon brezit të Sali Shijakut, Skënder Kamberit, Ksenofon Dilos, Vilson Kilicës, Guri Madhit, Fatmir Haxhiut, Danish Jukniut, Ismail Lulanit etj. Shoshi ka kryer Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë (1952-1956) në klasën e piktorëve Sadik Kaceli, Abdulla Cangonji dhe Kel Kodheli, ndërsa studimet e larta i kreu në Shën Petërburg (1957-1961) në ateljenë e Prof. Joganson, aso kohe President i Akademisë së Arteve në Moskë. Pas studimeve, Shoshi mbrojti diplomën në Tiranë, në Institutin e Lartë të Arteve, punoi si ilustrator për disa vjet në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe “8 Nëntori” (1965-1974). Gjatë viteve 1974-1993 ishte piktor në profesion të lirë. Ekspozon për herë të parë në publik në vitin 1956 me tri punime, ndër të cilat edhe portreti “Gjyshja”. Në vazhdimësi ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare me tablo kompozicionale, brenda tematikës së realizmit socialist. Artisti, veç të tjerash, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë. Ekspozitën e parë vetjake në GKA, piktori e ka hapur në vitin 2002.

Disa nga veprat

“Krijimi kooperativës në malësi” (1974),
“Gju më gju më popullin” (1976),
“Bisedë për tokën – Helmës 1944” (1977),
“Kuvendi i Lezhës” (1978),
“Në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës” (1982)
“Portreti i shokut Mao Ce Dun” (1975),
“Portreti i shokut Enver” (1974),
“Pashko Vasa” (1978),
“Avni Rustemi”,(GA, Pogradec),
“Shkrimtari Shefqet Musaraj” (1976),
“Vajza fshatare”(1976),
“Gjimnazistja”(1973),
“Malësorja e vogël” (1975),
“Nëna Matilde”(1979)
“Ismail Qemali” (1982, GA, Vlorë), etj...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›