E Diel, 1 Nëntor 2026

Punojmë për vitin 2010…

Martin Leka

Kështu më tha dje Lul Minxhozi… Si gjithnjë, me humorin e tij pikant e të thellë, kur i kërkova një favor, ai m’u përgjigj: “E mban mend atë shprehjen e dikurshme: -X apo Y punojnë për vitin 2010? Ky paska qenë vit pune…” Për ata që nuk e dinë, kjo shprehje ishte e zakonshme për kohën para 20 viteve më parë. Kishte traktoristë të dalluar, shoferë të dalluar, brigadierë të dalluar, tornitorë të dalluar, blegtorë të dalluar, mekanikë të dalluar, karrocierë të dalluar, elektricistë të dalluar… të cilët propaganda e kohës nuk linte rast pa i përmendur dhe hipur në tribuna për t’i parë “masat popullore”, edhe pse shpërblimi i vetëm ishte një fletë nderi, me të cilën “ushqeheshin” masat dhe për më keq, edhe shumë fëmijët e të dalluarve…
Viti 2010 duhet të ketë qenë “rekordi” i të dalluarve, sepse të “ecësh” 20 vjet para të tjerëve, ishte sigurisht diçka e lakmueshme dhe emocionuese në sistemin e vlerave të sheshuara.
Po ç’lidhje ka kjo me të tashmen dhe pse ngjan si një revokim i së kaluarës për disa, apo përrallë për ca të tjerë, që kanë lindur 20 vjet më parë? Sigurisht, viti 2010 është simbolikë. Por, edhe kjo simbolikë, ka një çik aktualitet dhe sot. Madje dhe krahasueshmëri. Dhe jo vetëm për vlera propagandistike, por dhe reale. Ja disa!
Njëzet vjet më parë, pak kush besonte se njëzet vjet më pas, ne do të ktheheshim përsëri njëzet vjet më parë në kontestimin e zgjedhjeve. Pak aktorë politikë kanë ndryshuar, por ende në këtë kontest “punohet” për njëzet vjet më parë, kur të paktën, duhet të “punohej” për vitin 2010?!... E kam fjalën për opozitën. I nisur si për një “kapriço” (për të mos thënë “gallatë”), kontestimi ekstrem i zgjedhjeve me bojkot zgjati një gjysmë viti. Edhe pse pa ndonjë “traumë” për qeverisjen apo jetën publike, sigurisht, ky qëndrim ekstrem i opozitës nuk është ndonjë “shëndet” për demokracinë politike. Madje, madje, disa e quajnë jo të shëndetshëm edhe për vetë opozitën, duke filluar nga deputetë të saj cilësorë (publikisht) e ca të tjerë pa kurajon e pavarësinë e tyre politike (skuthërisht)… Në fakt, opozita dhe në veçanti kryetari i saj, kanë arritur jo pak me lëvizjen e tyre ekstreme. Kanë arritur të “duken”, të “shfaqen” në “turmën” politike, ku zgjedhjet e vitit të kaluar i vendosën në “periferi” të pushtetit. Ata kishin dhe mundësi të tjera t’i afrohesh qendrës së politikës, qendrës së katedrës së pushtetit. Një ndër to, dhe mendoj më produktivja, do të ishte njohja pa kontest e zgjedhjeve dhe lufta politike në Parlament. Rezultati i ngushtë i zgjedhjeve, si kurrë më parë në historinë 20-vjeçare të pluralizmit shqiptar, është pikërisht në favor të kësaj hipoteze. Nuk besoj se mund të ketë opozitë më komode dhe autoritare sesa një opozitë me një numër të tillë deputetësh për të realizuar “detyrat” e saj në demokraci dhe për të përgatitur veten për ndërrimin demokratik të pushteteve. Përvoja politike e parlamentare e këtyre njëzet viteve ka treguar se opozita, edhe pse në numra shumë më e pakët se kjo e sotmja, ka arritur t’i imponohet maxhorancës, por edhe publikut, me forcën, vullnetin, kurajon dhe arsyen, pa pasur nevojë të braktisë tempullin politik të të zgjedhurve. Imagjinoni në këtë kontekst opozitën e sotme, e cila është ku e ku në numër më të madh se në rastin që morëm për shembull?!... Do të kishim të gjithë diçka më të mirë: një pushtet më të mirë, i cili nën trysninë e opozitës do të kontrollohej e motivohej më shumë, një opozitë më të mirë, e cila do t’i tregonte qytetarëve se di të sillet dhe të zbatojë detyrat e saj për të mirën e demokracisë dhe sigurisht, një demokraci më të mirë e më funksionale. Për rrjedhojë, do të ishim të gjithë më mirë se ç’jemi…
Po pse opozita vazhdon të këmbëngulë në bojkot? Pse opozita u tërhoq nga votimi në seancën e fundit për kërkesën e saj themelore –transparencën e zgjedhjeve? Nëse për të parën mundet vetëm të hipotekojmë e të presim se “ku fle lepuri” i saj (në mos do ta trembë dikush me shkop a thupër), për të dytën, ende nuk kam arritur ta kuptoj… Sepse kjo tingëllon më shumë kokëfortësi sesa qetësi, më shumë hile, sesa lojë, më shumë diletantizëm sesa politikë reale. Në këtë kuptim, përsëri mendoj se opozita nuk po punon –për njëzet vjet më pas jo e jo-, por as për vitin 2010. është shumë larg, krahasuar me kohën.

* * *
Por, nëse për “autobusin” vetëm mund të presim lajme të reja në tabelën e “emulacionit” socialist, ka dhe një lajm të mirë për “shoferin”. Po fillon rregullimi i sheshit të Tiranës dhe nuk besoj se do shumë kohë të kalohet jo si nëpër gropat e lagjeve të Kabulit…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›