E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët humbasin shansin për presidencën

 

Maqedonia ka dhënë një shembull se si duhet të kryhen zgjedhjet në rajon. Ku ka qenë përfundimi i vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët kanë dhënë notën maksimale për republikën e vogël në Ballkan, pas lehtësimit të mospërsëritjes së incidenteve të dhunshme të një viti më parë, ku humbi jetën edhe një qytetar. OSBE-ODIHR thotë se zgjedhjet presidenciale dhe lokale në Maqedoni kanë përmbushur shumicën e standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. OSBE tha se votimet nuk u shoqëruan me incidente, që i lanë në hije zgjedhjet parlamentare vitin e kaluar. Por organizata gjithashtu tha se ka pasur “parregullsi procedurale”, dhe se procesi i numërimit të votave është vlerësuar si “pak pozitiv”. KSHZ ka njoftuar se nga 84 komuna dhe qytetin e Shkupit, balotazh do të kenë në rreth 45 komuna, thuajse të gjitha komunat urbane me shumicë shqiptare. Kurse në raundin e dytë zgjedhor në garën për president është e qartë tashmë se do të hynë Gjorge Ivanov i VMRO DPMNE-së dhe Lubomir Fërçkovski, kandidat i opozitës, unionit social demokrat. Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 5 prill. Dëbora e madhe në pjesën perëndimore të vendit bëri që 137 qendra votimi të qëndronin të mbyllura, por sipas autoriteteve, nga kjo vetëm një për qind e elektoratit ishte e prekur. Votimet në këto qendra parashikohen të mbahen në ditën e balotazhit, më 5 prill. Ndër partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim ka shpallur fitoren e kandidatëve të tij për prefektë në shtatë komuna. Në Tetovë fitoren e pretendon PDSH-ja e Menduh Thaçit, por në katër komuna të tjera, përfshirë edhe Strugën, do të ketë balotazhe. Kandidati i partisë maqedonase në pushtet, VMRO DPMNE, Gjorgje Ivanov, i cili në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale është duke udhëhequr bindshëm, ka vlerësuar se Maqedonia ka dhënë provimin e pjekurisë dhe ka dëshmuar përgjegjësi. Në konferencën për gazetarë, ai ka falënderuar të gjithë votuesit, të cilët e kanë përkrahur, por edhe ata që kanë votuar për kundërshtarët e tij. “Kjo është një ditë e madhe për Maqedoninë evropiane, e cila ka treguar unitetin e saj”, tha Ivanov. Kundërshtari i tij në zgjedhjet e balotazhit më 5 prill do të jetë kandidati i Unionit Socialdemokrat, Lubomir Fërçkovski. Në vend të tretë është kandidati i Partisë Demokracia e Re, shqiptari Imer Selmani dhe në vend të katërt, kandidati i pavarur, Lube Boshkovski.

Rezultatet e votimeve

    Gjorge Ivanov, VMRO-DPMNE - 35.06%

    Ljubomir Frckovski, SDSM - 20.45%

    Imer Selmani, “Demokracia a Re” - 14.99%

    Ljube Boshkovski, I pavarur - 14.87%

    Nano Ruzin, Partia Liberal Demokrate - 4.05%

    Agron Buxhaku, BDI - 3,9%

    Mirushe Hoxha PDSH - 3.09%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›