E Diel, 1 Nëntor 2026

Efektet e krizës, bizneset bëjnë më pak tregti me jashtë

 

fabjola Çela

Eksportet e mallrave shqiptare kanë rënë ndjeshëm. Shkak për këtë është kriza ndërkombëtare financiare. Në fakt një rënie e tillë ishte paralajmëruar kohë më parë nga ekspertët e ekonomisë sipas të cilëve një ndër efektet negative të krizës globale në ekonominë vendase do të ishte rënia e eksporteve.
Raporti
Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave në vend gjatë muajit janar eksportet e mallrave shqiptare drejt tregjeve të BE-së kanë pësuar rënie. Konkretisht gjatë muajit janar janë eksportuar 6,642 milionë lekë mallra, me ulje 11.6 për qind në krahasim me muajin janar 2008 dhe ulje me 4.5 për qind në krahasim me muajin dhjetor 2008. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Rënie kanë pësuar edhe importet e mallrave. Sipas INSTAT-it gjatë janarit janë importuar 27,796 milionë lekë mallra me ulje 10.5 për qind në krahasim me muajin janar 2008 dhe ulje 35.5 për qind në krahasim me muajin dhjetor 2008. Ndërkohë në rënie ka qenë edhe deficiti tregtar, i cili për muajin janar është 21,154 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 10.1 për qind krahasuar me muajin respektiv të vitit 2008 dhe një ulje prej 41.5 për qind krahasuar me muajin paraardhës. Për herë të parë pas shumë kohësh ka pësuar ulje edhe importi i karburanteve. Sipas INSTAT-it në gjatë muajit janar janë importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 2,989 mln lekë, duke zënë 10.8 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me janarin 2008, importi i mallrave me akcizë ka pasur ulje prej 5.1 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës (68.1 për qind).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›