Foshnjat, nis aplikimi i vaksinës për 5 sëmundje
Nis aplikimi i vaksinës pentalvalente për foshnjet. Tashmë për të gjithë fëmijët që kanë lindur nga 1 janari i 2009, do të ofrohet falas vaksina e re. Ajo parandalon njëkohësisht 5 sëmundje të rënda, si difteria, tetanozi, kolla e mirë, hepatiti B dhe sëmundjen e meningjitit. Me aplikimin e saj zëvendësohen tre vaksina të tjera, që bëheshin për bebet veç e veç. “Kalendarit kombëtar të vaksinimit iu shtua dhe një vaksinë e re. Duke qenë se vaksinimi i parë bëhet në moshën dy muajsh, ky qe bebi i pare sot që bëri vaksinën. Është një vaksinë që mbron nga shumë patologji të sistemit respirator, por dhe nga një patologji mjaft e rëndësishme, që është meningjiti”, deklaroi dje gjatë vaksinimit të foshnjës së parë për këtë vit Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Ndërkaq Drejtori i Shëndetit Publik, Alban Ylli, thotë se e gjithë kostoja e kësaj fushate, që do të bëhet për bebet që kanë mbushur 2, ato 4 dhe 6 muaj, do të mbulohet nga buxheti i shtetit. “Qeveria shqiptare paguan një pjesë të rëndësishme të vaksinës dhe pas pak kohësh do të paguajë të gjithë vaksinën. Jemi të bindur që futja e kësaj vaksine do të prodhojë shëndet në Shqipëri, do të kemi më pak meningjit, më pak pneumoni, më pak sëmundje të tjera respiratore të rrezikshme”, tha Alban Ylli. Vaksina e re pentavalente, apo 5 në një, është në formë të lëngshme, që përmban vetëm një dozë, që do të thotë një flakon për një fëmijë. Fëmijët e porsalindur do të vazhdojnë të vaksinohen me vaksinën e hepatit B menjëherë pas lindjes. z.ll