E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimet pa leje, Biçoku: Qeveria nuk do t’i lejojë me ligj

 

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese debatoi sërish në lidhje me pretendimin e shoqatës së ndërtuesve për nenin 83 të projektligjit “Për Planifikimin e Territorit”. Përfaqësuesit e shoqatës së ndërtuesve ngritën sërish pretendimin në lidhje me këtë nen, duke deklaruar se lë shteg për abuzim dhe për ndërtime pa leje. “Në projektligj neni 83 lë shteg për keqinterpretim në lidhje me ndërtimet pa leje. Ne si shoqatë jemi kategorikisht kundër ndërtimeve pa leje. Çdo gjë që do të ndërtohet pa leje, ose duhet të prishet, ose duhet të konfiskohet nga ana e shtetit. Prandaj duhet ripunuar neni 83.7. Shprehim shqetësimin tonë në lidhje me sanksionet, sepse janë lënë me diapazon mjaft të gjerë, çka do të lërë shteg për abuzime dhe korrupsion. Mendojmë se duhet të precizohen”, tha sekretari i përgjithshëm i shoqatës, Arben Dervishaj. Deklarata është kontestuar nga ana e përfaqësuesit të qeverisë, Marin Biçoku. Sipas tij, qeveria nuk do të lejojë ndërtime pa leje, pasi shoqatat e kanë keqkuptuar një nen të projektligjit. Këtë qëndrim e kanë mbështetur edhe deputeti i PD-së, Kollozi. Por kryetari i komisionit, socialisti Ylli Bufi deklaroi se, “e vlerësoj projektligjin, por duhen rishikuar afatet e vëna për kalimin në fuqi të ligjit. Deri në qershor të 2010-ës, ose në dhjetor 2009, do të kemi në fuqi dy ligje. Prandaj duhet të kemi kujdes me afatet e përcaktuar”. Kjo bëri që të sheshonte polemikat me shoqatën e ndërtuesve dhe deputetëve për nenin 83 të draftit. Shoqata e ndërtuesve në të njëjtën kohë ka pretendime edhe në lidhje me afatet e marrjes së lejes së ndërtimit. Sipas Dervishajt, “në lidhje me afatet e marrjes së lejes së zhvillimit, ne mendojmë se duhet të jenë më të shkurtra dhe kjo bazuar në atë që leja e zhvillimit kthehet në një proces administrativ. “Në amendimet që iu bë ligjit aktual nr.8405 ‘Për Urbanistikën’, parashikohet që procesi administrativ të jetë 35 ditë, kurse në ligjin e ri parashikohet 55 ditë. Nisur nga kjo, mendojmë që afati të jetë maksimumi 45 ditë, duke i lënë kryetarit të njësisë vendore 10 ditë afat për të miratuar ose jo kërkesën për zhvillim”, deklaroi Dervishaj. Gjithashtu kërkohet që të mos futet në ligj “Këshilli Kombëtar i Territorit, sepse kemi vetëm ndryshim të emrit të KRRTRSH-së. Ne kërkojmë që organet vendimmarrëse të jenë: Këshilli i Ministrave, komuna/bashkia dhe qarku”.                      b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›