E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i LSI te grevistët e 9 janarit:Shteti të ndërhyjë për kërkesat

 

SHKODER – Grevistët e urisë që u përkasin familjeve të 9 janarit vizitohen nga kreu i LSI-së, Ilir Meta. Në ditën e katërt të grevës, Ndoc Bjeshkës dhe Ndue Zajetit i është bashkuar Ilir Gjilaj, i cili në tragjedinë e Karaburunit humbi vëllain. Meta është i vetmi politikan që i takuar ata, në dhomën e përshtatur për grevë, ku ndodhen dhe tre arkivolë bosh. Gjatë vizitës Meta në bisedë me grevistët e ka dhënë atyre mbështetje dhe ka fajësuar qeverinë Berisha që nuk po bën asgjë për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë. “Të hysh në grevë urie me tre arkivolë ngjitur është një rast unikal në të gjithë botën, ndaj dhe shteti shqiptar duhet të ndërhyjë urgjent për të zgjidhur këtë çështje. Pasi kanë 5 vjet që u kërkojnë presidentëve të Republikës, prokurorëve, ministrave të drejtësisë që të hetohet çështja e të nxirret përgjegjësia, që ata banditë në pushtet, të cilët i lanë me ndërgjegje ato bij nënash për orë të tëra në mes të detit që të vdesin nga i ftohti, të shkojnë para gjyqit, para drejtësisë. Është kriminale që këta njerëz nuk ka ardhur t’i shikojë asnjeri gjer më sot”, pohoi Meta. Më tej, kreu i LSI-së akuzoi politikanët e pozitës dhe të opozitës në lidhje me këtë çështje. “Si nuk të vjen turp mor Namik Dokle, që nuk ke ardhur një herë për t’i takuar këta njerëz për 5 vjet me radhë; që nuk u ke ardhur për ngushëllim këtyre njerëzve. Duke u bashkuar me thirrjen “Berisha ik” unë do të shtoja edhe “Namik ik”. Politika e Re nuk do të thotë që t’i lësh njerëzit këtu të vdesin, pse kërkojnë vetëm zbatimin e ligjit dhe të drejtësisë”, ka përfunduar Meta. Nga ana e tyre grevistët kanë paralajmëruar se nuk do të dalin nga greva pa u gjetur trupat e 8 viktimave të tragjedisë së 9 janarit 2004 dhe nëse nuk rinis gjyqi për trafikantët nga Krimet e Rënda.                r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›