E Shtunë, 31 Tetor 2026

Efektet e kultit të individit në demokraci

Dihet që të gjitha diktaturat, të majta e të djathta, europiane apo afrikane, nuk mund të mbijetojnë pa u ushqyer e mëkuar përditë me kultin e individit, me hijen, rëndesën, autoritetin, e sidomos me fjalën e Njëshit, të prijësit mesianik e të pagabueshëm, i cili paskësh ardhur në këtë jetë me mision: të çojë popullin “nga fitorja në fitore”…E pra, me sa shihet, kjo sëmundje e trashëguar e parashoqërive vazhdon për inerci edhe në këtë gjasme demokraci (për hir të trashëgimisë, apo ndoshta edhe për shkak të tribalizmit të shoqërisë shqiptare, kjo po, ia vlen të hulumtohet!)
Gjithsesi sëmundja e papritur e Berishës, -lipotimia, lodhja, mungesa e ajrit në Pallatin e Kongreseve, rënia e tensionit, etj, etj, sebepe që u thanë për shkak të sëmundjes së kryeministrit në ceremoninë e 21 vjetorit të PD-së (sëmundje që si mund të pritej, u fsheh, njëlloj si në diktaturë, duke na thënë se udhëheqësi ynë megjithatë “gëzon shëndet”, pasi, pas atakut menjëherë “piu kafe”, ndërsa të nesërmen “doli në zyrë” që Berisha të na thoshte me gojën e vet: “…nga një ‘check up’ që u bë rezultoi se në sistemin e të gjitha enëve të qarkullimit të gjakut të Sali Berishës nuk gjendet qoftë edhe një pllakë e vetme arterioslerotike. Kjo do të thotë sistem që nuk ka moshë….” etj, etj…) E gjithë kjo tollovi mediatike zbuloi dhe përshfaqi një të vërtetë të hidhtë: Berisha përfundimisht ka mundur të transformohet nga një dikush para viteve 90-të në një mbikush, dmth në kult, në një idhull, gjë që do të thotë se ai, pas 20 vjetësh në politikë, falë trashëgimisë enveriste, nepsit, populizmit, ambicies së pafre të malësorit e të provincialit, pra edhe të egoizmit e formimit të tij ideologjik në format e edukimit marksist, ka mundur të ngrejë piramidën e vet të kultit, nj’ashtu si Zogu apo edhe si Hoxha në kohën e vet!...
Por në fakt, piedestali kishte mbetur bosh dhe ai nuk bëri tjetër, veç u ul këmbëkryq në mermerin e atij/atyre që ishin shembur…Është e vështirë të mohohet kjo përsëritje e dhimbshme e tragjikomike e historisë tonë jo vetëm nga simpatizantët, por edhe nga më kritikët ndaj Berishës. Meraku i vjetër “si t’u duk shoku Enver në paradën e 1 majit?”, tani është zëvendësuar me shqetësimin e shumëkujt: “si t’u duk Berisha në përvjetorin e PD-së? A thua të jetë vërtet i sëmurë?”...
***
Ngjarja, kryekrejt e paparashikuar e ceremonisë solemne (më sak: sëmundërore) në Pallatin e Kongreseve dëshmoi edhe njëherë se PD do të thotë Sali dhe Sali do të thotë PD. Kjo tanimë nuk mund të vihet në dyshim jo vetëm nga forumet e larta të partisë, po as nga vetë Berisha, i cili që nuk ngopet kurrë me veten, por e kërkon dhe kurrë nuk e shmang këtë synim, -si e si të unifikojë emrin e vet me partinë dhe më pas, pse jo, edhe me popullin dhe historinë e tij. Këtë e ka siguruar. Nga e kaluara e afërt e pararendësve ai e di fort mirë se prej madhështisë që jep kulti i individit buron fuqia, uniteti, siguria, autoriteti i padiskutueshëm, rreshtimi i trushkulurve, bindja pa kushte e vartësve, lavdia e pamerituar, jetëgjatësia në politikë, trembja e rivalëve dhe e opozitës…E mbi të gjitha, motivimi i vetes për të mos u larguar në gjallje nga pushteti…
Pasi iku nga salla, i mbajtur krahësh nga badigardët, ai nuk la pas entuziazëm dhe energji, festë, por heshtje dhe zi…Të nesërmen doli në zyrë “normalisht” i shëruar nga urimet e qytetarëve…, ndërkohë altoparlantët e tij kishin përsëritur se “ishte lodhur gjatë natës se…se e pat shkruar vetë fjalimin një natë më parë”….Nuk besoj se është e nevojshme të jepen shumë prova e dëshmi për t’u bindur se pa Berishë nuk ka PD dhe pa PD nuk ka Berishë! Padurimi i Topallit për t’u shfaqur si trashëgimtare e natyrshme vetëm sa e përforcon kultin e Berishës. Edhe nëse ajo do të zërë vendin e tij, z.Jozefinë do të bëhet një simotër politike e R. Alisë, sepse nuk ka aq… aftësi dhe karizëm sa të mund të rikrijojë një tjetër kult individi, pa shembur më parë kultin e Berishës, gjë që vetëkuptohet, për këllqet e saj, është krejt e pamundur!
Kjo epidemi shoqërore që e detyron edhe njeriun e lirë të mbetet e të jetë viktimë e lumtur e një kulti politik, është në fakt më e vështirë të kurohet, ku e ku më e zorshme se sëmundja e një udhëheqësi, kushdo qoftë ky. Ndërtimi, privatizimi dhe sundimi i partive nëpërmjet kultit të individit, sipas shembullit të PPSH-së, e më pas edhe të PD-së, ka infektuar e denatyruar pluralizmin, sistemin demokratik, duke djerrëzuar e shpërbërë shpresën dhe besimin e shumicës, sepse i është hequr shoqërisë aftësia imunitare dhe ripërtëritëse që garantohet nëpërmjet rotacionit dhe zgjedhjeve të lira.
Duket sikur kulti i individit i Berishës është realizuar me mjete “demokratike, me zgjedhje të lira e të ndershme”, të cilat në mënyrë demokratike ta mbyllin gojën, duke dekurajuar opozitën dhe opozitarizmin, deri aty sa vetëm një udhëheqës-kult , i vetëngopur, të deklarojë, jo vetëm mes tribuve e në tribunat e tij, por edhe në Francë, me një siguri prej sulltani afrikan: ai do të qëndrojë në pushtet “derisa ta votojë populli”…Për qytetarët e këtushëm kjo përkthehet: populli do të më votojë mua dhe vetëm mua, jo vetëm se nuk gjen dot një më të mirë, por edhe se…ky popull këtë meriton, se nuk ka rrugë tjetër , se nuk ka as zgjedhje tjetër, sepse përndryshe…le të provojë të mos më votojë…! Kaq e vërtetë është kjo sa edhe diplomatët ndërkombëtarë të Tiranës, në emër të stabilitetit të rajonit, janë bërë pre të kësaj frike paranojake se ikja e Berishës nuk mund të bëhet kurrë e butë, por vetëm nga dora e Zotit!
Kulti i individit ka bërë të jetojmë pa u ndjerë nën një logjikë totalitare, ku Njëshi kuvendon me historinë dhe jo me hallet e shoqërisë; kjo mund të spikatet kollaj në mbledhjet e qeverisë dhe të grupit parlamentar, ku nuk bëzan kurrkush; në sallën e Kuvendit, ku ai vetëm mollois ç’i vjen në gojë; në mitingjet e improvizuara e të sponsorizuara ku i puthet dora dhe i këndohen këngë popullore, si gjeneral Xhaferrit, por edhe kur u pa që Berisha e humbi kontrollin mbi veten, kur fjalimi i ngeci në fyt e kur mbi auditorin festiv e kaploi heshtja drithëronjëse: ç’do të ndodhë vallë nesër nëse vërtet udhëheqësi ynë të mos jetë mirë me shëndet?! Niveli i lartë i kultit të Berishës u pa edhe nga qëndrimi memec dhe i komanduar i mediave të blera dhe kliente të qeverisë, të cilat bënë të pamundurën të fshihnin një të vërtetë të dukshme që nuk mund të mbulohej dot me shoshë: Berisha, kreu ynë, kishte pësuar një atak, njëlloj si Berluskoni një vit më pare!…
Po ç’vjen pas kësaj? Si, ku, nga se dhe qysh ndodhi kjo hata, të cilën, si tha të nesërmen, e pat “dërguar vetë Zoti” për të ndëshkuar Berishën e për të shpëtuar të ardhmen e vendit? Por nguti, lutja dhe shpresa për t’ia lënë largimin e tij në dorë plotfuqisë së Zotit, nuk tregon vetëm pafuqinë e opozitës, të shoqërisë, fytyrën e saj tribale, po edhe fuqinë e pakontrolluar të Berishës dhe kultit të tij të individit.
***
E megjithatë askush deri më tani nuk mund të thotë një gjë të saktë për shëndetin e Kryeministrit! Enveri pësoi një atak të tillë që në vitet ‘70-të, por askush nuk e mori vesh, se ishte sekret; ai mbijetoi e sundoi edhe pas vdekjes, pasi rrëzimi i tij përfundimtar u bë pas pesë vjetësh. Edhe tani, në këtë gjasme demokraci, njëlloj si në diktaturë, kur shëndeti i prijësit quhej sekreti më i madh shtetëror, asnjë komision mjekësor shtetëror nuk ka nxjerrë deri tani një komunikatë zyrtare të firmosur nga emra realë mjekësh për të na bërë me dije cila është gjendja shëndetësore e Kryeministrit dhe nëse është ai, pavarësisht nga dëshira e tij, në gjendje të kryejë funksionet e kryetarit të qeverisë…Ky është detyrim jo vetëm moral, po edhe përgjegjësi shtetërore për çdo vend normal demokratik!
Por kjo ka pak gjasë të ndodhë. Sikur të ishte verë, me siguri do ta shihnim përsëri Berishën duke bërë not në Dhërmi, ndërsa po të rishkonte në Kinë do të thyente edhe njëherë rekordin në ngjitje të Murit, për të bindur qëndrestarët dhe tribalët se ai përnjëmend është mirë me shëndet…Kjo është “pagesa” që do të detyrohet të bëjë, me sforco të mbinatyrshme një kult individi, derisa të ketë frymë! Edhe Berisha, njëlloj si pararendësit, do të vetëdetyrohet të shfaqet i shëndoshë dhe i qetë, edhe kur është në pikë të hallit! Njeriu kult bëhet rob i kultit! Kjo është gracka e lavdisë së pamerituar, qenka tepër e vështirë për një statujë, në qoftë edhe prej allçie, të bëhet njeri i zakontë!
Ja pra përse shembja e një kulti individi, qoftë edhe nga dora misterioze e Zotit, u përcoll ku e ku më rëndë e më dhimbshëm se mohimi i statusit të vendit kandidat për në BE për të dytën a të tretën herë, se turravrapi i çmimeve, se papunësia, se ngërçi, se krimi dhe korrupsioni në rritje, apo edhe se kriza botërore që po na troket në derë! Pyetja që mund të shtrohet në këtë rast është e thjeshtë dhe e natyrshme: jemi të sëmurë ne si qytetarë, apo është një i vetëm, në rastin konkret Berisha? Apo mos vallë sëmundjen e Berishës, kultin e tij, do ta paguajmë sërish ne qytetarët, njëlloj si e paguam atë të Hoxhës?
Kjo është çështja!

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›