E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papadhimos: Duhen reforma. Samaras: Qeveria, dhe 2 muaj

ATHINE - Gjatë një mbledhjeje të qeverisë, pas negociatave një javore me Trojkën, kryeministri Papadhimos theksoi nevojën e avancimit të reformave strukturore dhe u kërkoi ministrave që të përshpejtojnë punën e tyre, pasi afatet kohore janë të kufizuara. 

Në mbledhje u diskutua mbi masat që duhet të vazhdojnë të zbatohen, si shkurtimet në sektorin publik dhe konkretisht mbi sistemin “rezervë”. Nëpërmjet zbatimit të këtij sistemi dhe largimeve për shkak të daljeve në pension, në fund të vitit 2015, sektori publik do të ketë 150 000 punonjës më pak. 

Në mbledhje u diskutua edhe mbi procesin e pjesëmarrjes së sektorit privat në reduktimin e borxhit grek, proces që sipas zëvendëskryeministrit Venizelos, po shkon mjaft mirë. 

Por qeveria greke, përvec presionit të huadhënësve për të zbatuar masat e ashpra dhe presionit të qytetarëve grekë për të mos i zbatuar ato, ndeshet edhe me presionin e opozitës së djathtë, e cila kërkon zgjedhje për të marrë pushtetin. 

Lideri i Demokracisë së Re (ND) Antonis Samaras ka deklaruar se “qeveria aktuale është e përkohshme, dhe misioni i saj është reduktimi i borxhit, gjë që mund të arrihet në 2 muajt e ardhshëm kohë kur qeveria e mbaron mandatin e saj”. 

Sipas Samaras, marrëveshja partiake për krjimin e qeverisë Papadhimos, muajin e kaluar, nuk parashikonte një mandat më të gjatë, ndaj nuk ka hapësira që ky mandat të zgjatet. 

Samaras vë në dukje se "periudha e vendimeve të vështira nuk do të zgjasë 2-3 muaj, por të paktën 2-3 vjet dhe vendi nuk mund të qeveriset për gjithë atë periudhë nga një qeveri, për të cilën partitë që e mbështesin nuk arritën asnjë marrëveshje afatgjatë. Qeveri pa asnjë legjitimitet. A beson ndokush se një qeveri e tillë do të mund të rezistonte?", deklaroi Samaras. 

Samaras tha më tej se “që nga momenti që u shpall qeveria, u krijua një valvulë sigurie, për të përmbajtur trazirat sociale, pasi populli e sheh perspektivën që shumë shpejt të shprehet nëpërmjet kutisë së votimit". "E kemi nevojë këtë qetësi sociale. A don ndokush që ta heqë valvulën e sigurisë? Po ta bënim, do të ishte shumë e mundshme të shkaktohen trazira sociale", theksoi ai.

"Që të përparojmë me ndryshimet e mëdha që duhen bërë në vend, nevojitet një qeveri me mandat të qartë e të fuqishëm nga populli", deklaroi lideri i Demokracisë së re.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›