E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria mbështetje Industrisë Fasone, përmirësim të kushteve, zgjerim të lirive

TIRANË- "Qeveria do të mbështesë fuqishëm industrinë fasone në Shqipëri, duke zgjeruar liritë e saj dhe përmirësuar kushtet e punës", deklaroi të premten Kryeministri Sali Berisha në fjalën e mbajtur në punimet e forumit EURATEX.
Në fillim të fjalës së tij, shefi i qeverisë vlerësoi kontributin dhe rëndësinë parësore të industrisë fason në zhvillimin e vendit, e cila sipas tij po shoqëron dhe ndihmon Shqipërinë në ecjen e saj.

Sipas tij, kjo industri për vendin është zëri kryesor i eksporteve shqiptare dhe qeveria është e angazhuar të ndihmojë biznesin fason duke i krijuar një ambjent sa më miqësor.
"Një nga vendimet e fundit të qeverisë ka qënë heqja e doganës për materialet që importon biznesi fason. Ndërkohë, që sistemi fiskal i vendit është sistemi më i favorshëm dhe me barrën fiskale më të vogël në Europë", u shpreh Berisha.

Sipas kreut të qeverisë industria fasone është industria që i ndjeu pasojat e krizës së thellë të vendeve në Europë dhe botë, megjithatë theksoi ai është një nga industritë e përshtatura më mirë në periudhën e kësaj krize, duke arritur të sigurojë cilësi në prodhimet e saj.
"Qeveria shqiptare në këtë periudhë krize beson se rruga më e sigurtë për të zbutur pasojat e saj në Shqipëri është zgjerimi i lirive dhe përmirësimi i kushteve për ju, pasi është ky biznes dhe vetëm ky faktori që mund të mbrojë Shqipërinë dhe shqiptarët nga pasojat e rënda të krizës europiane. Ndaj ju ftoj ta konsiderojmë këtë konferencë një shkëmbim mendimesh me qeverinë dhe ju garantoj se jemi të hapur të dëgjojmë me interes sugjerimet tuaja", iu drejtua Kryeministri përfaqësuesve të biznesit fason të pranishëm në takim.

Ai theksoi se me zhvillimet e mëdha që kanë ndodhur në vend ekonomia shqiptare ia ka dalë të ruajë rritjen ekonomike dhe të mos bjerë në recesion.
"Shqipëria është i vetmi vend që në një hark kohor prej 6 vjetësh ka trefishuar eksportet dhe për këtë ka një rol thelbësor edhe industria fason. Shqipëria po punon intensivisht në mënyrë që t'u krijojë ju lehtësira në përballjen me burokracinë e përditshme. Po punojmë për të krijuar një portal të veçantë për dokumentat që ju dorëzoni në administratën shtetërore dhe do të shqyrtojmë propozimet tuaj për të krijuar kushte".
Kryeministri Berisha shprehu gadishmërinë e qeverisë për të vënë në dispozicion të fasonëve edhe hapësirat më të mëdha të mundshme dhe trojet publike, për të cilat ata mund të kenë nevojë në ngritjen e fabrikave të tyre.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›