E Shtunë, 31 Tetor 2026

Efekti “Biberaj”. Deputetët e heshtur konsiderohen si nëpunës



Ajo që ka ndodhur me deputetin Biberaj mund të ndodhë me cilindo prej shumicës së deputetëve të Partisë Demokratike. Kjo për faktin se në Grupin Parlamentar të PD-së, shumica e deputetëve janë kthyer në nëpunës të kësaj partie dhe sillen si të emëruar nga Topalli e Berisha në postet që mbajnë dhe nuk sillen aspak si të zgjedhur nga populli e të votuar nga elektorati. Ata flasin kur i jepet urdhri dhe heshtin çdo herë që ka një çështje për të cilën duhet të flasin më shumë se kurrë. Deputetët e PD-së nuk reaguan kur i gjithë faktori ndërkombëtar foli kundër miratimit të ligjit të dosjeve, por të gjithë sipas urdhrit ngritën kartonin jeshil dhe votuan. Këta deputetë nuk kanë reaguar gjatë përplasjeve pa fund institucionale midis Topallit e Berishës kundër Topit, apo kundër prokurores Rama, apo së fundmi kundër Gjykatës Kushtetuese. Këta deputetë nuk flasin as në mbrojtje të kolegëve të tyre. Kjo kjo sjellje e tyre nuk ndodh tashmë kur vetëm 5 muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare, por është e kahershme, duke legjitimuar deri diku dhe trajtimin e tyre nga lidershipi i partisë si nëpunës të PD-së. Dyshja Berisha-Topalli u japin të drejtë vetes të emërojnë dhe shkarkojnë deputetë sa herë të duan, pasi këta të fundit heshtin përballë çdo veprimi. Por heshtja e tyre e ka një kosto dhe këtë e pagoi i pari Biberaj.

26 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›