E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halebi: Shalsi mashtroi për punimet në rrugën “Don Bosko”



Kryetari i Njësisë Bashkiake Nr. 9 në kryeqytet, Armond Halebi, ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, i cili tha se investimet në rrugën “Don Bosko” kanë mbetur peng si rezultat i mosaprovimit të buxhetit. Halebi tha se deklarata e Shalsit është një mashtrim, sepse investimi në këtë bllok ka qenë pjesë e buxhetit të vitit 2008 dhe ende nuk është realizuar nga Bashkia e Tiranës. “Jemi këtu me banorët e Bllokut 51, në rrugën “Don Bosko”, të cilët janë mbledhur të shqetësuar nga deklarata e djeshme e nënkryetarit të Bashkisë, i cili tërthorazi kërcënoi me cinizëm ndërprerjen e punimeve të cilat kanë filluar dy javë më parë. E vërteta është se investimi në këtë bllok ka qenë pjesë e buxhetit të vitit 2008, i cili nuk është realizuar dhe nuk ka lidhje me miratimin ose jo të buxhetit 2009. Për këtë arsye, nënkryetari i Bashkisë nuk mund të mashtrojë opinionin publik dhe komunitetin e këtij blloku se vazhdimi i punimeve kushtëzohet nga miratimi i buxhetit 2009. Ne do të insistojmë gjithashtu në realizimin me cilësi të objekteve për të mos pasur më shembuj si ai i bulevardit "Zogu I", ku gjatë verës qytetarët i mbyt pluhuri dhe në shi kërcejnë pllakat”, - tha Halebi.

26 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›