Mustafaj: “Topalli ka shkelur dinjitetin e Biberajt, do të kërkoj llogari në mbledhjen e grupit”
Përplasja e fundit midis kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe deputetit Biberaj pritet të ndezë debatet në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që do të zhvillohet ditën e hënë. Deputeti i këtij grupi, Besnik Mustafaj, ka bërë të ditur se do ta ngrejë këtë çështje për diskutim në mbledhjen e grupit, ku janë të pranishëm të gjithë deputetët, kryetari i partisë Sali Berisha si dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Mustafaj ka bërë të ditur se nëpërmjet dërgimit të letrës për shkarkimin e Biberajt nga posti i zëvendëspresidentit të Asamblesë së KE-së, Topalli ka shkelur dinjitetin e deputetit Biberaj. Sipas Mustafajt, Topalli ka shkelur hapur edhe Rregulloren e Kuvendit, duke mos pyetur asnjë strukturë për këtë çështje, duke anashkaluar mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, si dhe seancën parlamentare. Edhe deputeti Biberaj, një ditë më parë, e ka cilësuar shkelje të Rregullores së Kuvendit nismën e Topallit. Ndërsa kjo e fundit e ka argumentuar kërkesën për shkarkimin e Biberajt me abuzimet me financat e Kuvendit për shkak të udhëtimeve të paautorizuara nga Kuvendi drejt Strasburgut ku mban dhe postin e zëvendëspresidentit të Asamblesë Parlamentare të KE-së. Nga ana e tij, Biberaj i cilësoi shpifje akuzat e Topallit për abuzim me fondet. Ai bëri të ditur që në shumicën e rasteve i ka paguar vetë biletat e avionëve, ndërsa Topalli, sipas tij, është përpjekur me çdo mënyrë të pengojë aktivitetin e tij politik. Ai shtoi gjithashtu se do t’i kërkojë Kuvendit ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar mbi shpenzimet e tij, por edhe të udhëtimeve të znj. Topalli.
26 Janar 2009