Ngjela: “Topalli e Berisha i tremben sanksioneve të Europës”
Eljona Ballhysa
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, avokati i njohur Spartak Ngjela, mendon se sulmi i ndërmarrë nga Topalli kundrejt deputetit Biberaj tregon frikën që ka lidershipi i PD-së për sanksionet që rrezikon të marrë nga Europa pas miratimit të ligjit skandaloz për hapjen e dosjeve. Ngjela nënkupton se në këtë përballje janë dy figura diametralisht të kundërta. Nga njëra anë, sipas tij, është deputeti Biberaj me mendime perëndimore dhe progresiste dhe nga ana tjetër qëndrojnë Berisha e Topalli, të dy të falimentuar, ose “Haxhi Qamilë” modernë, sipas avokat Ngjelës, aktualisht kryetar i Partisë Ligj e Drejtësi.
Komenti
Duke komentuar për gazetën “Albania” kërkesën e Topallit për shkarkimin e Biberajt nga posti i zëvendëspresidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Ngjela është shprehur se problemi qëndron tek ajo çfarë përfaqësojnë këto figura. “Nuk është çështja te shkarkimi i Biberajt. Problemi është çfarë përfaqëson Topalli. Së pari, Biberaj intelektualisht dhe politikisht edhe në një sens historik të përsëritjes së gjërave e kupton që Sali Berisha është i falimentuar, për faktin se ka hyrë në luftë me politikën amerikane. Si Haxhi Qamil modern që është, ai nuk ka lidhje me interesat e shqiptarëve. Biberaj e ka kuptuar këtë. Është i ri, është perëndimor, është progresist dhe nuk ka ndërmend të bjerë në Lanë bashkë me rraqet e Saliut. Topalli është treguar mendjelehtë. Duke i ditur të gjitha këto, vazhdon avazin e Saliut”, - është shprehur Ngjela. Ai mendon se përplasja midis Topallit dhe Biberajt ka ardhur për shkak të ligjit të dosjeve, i cili u miratua vetëm me votat e maxhorancës, pavarësisht qëndrimit kundër të faktorit ndërkombëtar. Sipas Ngjelës, tashmë lidershipi i PD-së po e kupton se rrezikon të paguajë një kosto pas miratimit të këtij ligji. “E gjithë kjo luftë bëhet për faktin se për ligjin skandaloz që bënë, PD-ja rrezikon të marrë sanksione nga Europa. Shqipëria është vend europian, nuk është principatë e Bajram Currit, por shtet indipendent. Nuk mund të ecë sipas injorancës së Berishës. Do të ecë sipas konceptit perëndimor për drejtësinë, për shtetin, për institucionet, për demokracinë”, - është shprehur Ngjela. Edhe zëra të tjerë nga Grupi Parlamentar i PD-së bëjnë të ditur se konflikti midis palëve ka lindur për shkak se Biberaj nuk ka mbrojtur në instancat e KE-së ligjin për hapjen e dosjeve. Por edhe para miratimit të këtij ligji, figura të larta të KE-së reaguan duke i bërë thirrje qeverisë dhe PD-së që të mos e miratojnë draftin pa marrë ekspertizën e duhur ndërkombëtare. Pavarësisht këtyre deklaratave, PD-ja miratoi e vetme ligjin, ndërkohë që tashmë duket se po reflekton për koston që rrezikon të paguajë.
26 Janar 2009