E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaçani: “Diplomat e reja, pa elemente sigurie”



Emanuela Sako

Diplomat e reja për studentët nuk kanë elementët e detyrueshëm të sigurisë. Specialistët e arsimit sqarojnë se në formatin e diplomës së re ka shumë mangësi në elementët përbërës të kartonit të diplomës. Kryetari i Konferencës së Rektorëve dhe njëkohësisht rektor i Universitetit Politeknik, Jorgaq Kaçani, deklaroi se
diplomat e reja, sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, nuk kanë elemente sigurie. Sipas tij, diplomat e reja kanë shumë elemente mangët dhe është e domosdoshme vendosja e titullit dhe stemës së fakultetit përkatës. Kryetari i Konferencës së Rektorëve thotë se brenda javës do t’i propozojnë Ministrisë së Arsimit të gjithë elementët që duhet të përmbajë diploma.
Diploma
Me propozimin që do t’i bëhet MASH-it do të vendosen të gjitha elementet që mungojnë dhe që e bëjnë një diplomë të jetë brenda standardeve. Brenda muajit shkurt, të gjithë studentët që kanë mbaruar fakultetin do të pajisen me diplomat e reja. Ky është reagimi i parë i kryetarit të Konferencës së Rektorëve, i cili vjen pas protestave të ish-studentëve të gazetarisë dhe Shkencave Sociale që vendosën të mos tërheqin diplomat e reja. Pretendimet e studentëve janë se diploma nuk është e përshtatshme me një diplomë fakulteti dhe se ajo ka ngjashmëri me certifikatat.
Protesta
Pak ditë më parë, ish-studentët e gazetarisë dhe të Shkencave Sociale, që kanë mbaruar një vit më parë, me sistemin e Bolonjës vendosën të mos tërheqin diplomat. Ata i kërkuan Ministrisë së Arsimit të ndryshojë formën e diplomës, e cila është e ngjashme me një certifikatë. Ndërkohë që ish-studentët deklaruan se forma e diplomës së re ka dhe shumë mangësi të tjera, krahasuar me formatin e paraqitur nga Senati i Universitetit të Tiranës. Në mbështetje të studentëve doli dhe Unioni i Gazetarëve. Ky veprim u konsiderua si një cenim që i bëhet brezit të ardhshëm të gazetarëve dhe se MASH-i duhet të marrë një veprim të menjëhershëm për korrigjimin e diplomës së re. Por reagimi i Ministrisë së Arsimit thotë se kjo formë e emërtimit të diplomës krijon hapësira më të gjera punësimi për çdo të diplomuar në tregun e punës në krahasim me modelin e mëparshëm me tituj profesionalë. Krahas diplomës, çdo student pajiset edhe me suplementin e diplomës, i cili jep hollësi për programin dhe nivelin e studimit të kryer. Studentët duhet të presin përgjigjen e MASH-it nëse do të krijohet një format i ri i diplomës apo do të mbetet i pandryshueshëm.

26 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›