E Diel, 1 Nëntor 2026

Egërsia e politikës shqiptare

Egërsia na ka shoqëruar që prej ditës së parë!

Ka më shumë se një dekadë që politika në hapësirën mbarëshqiptare ka shënuar një konkurencë të vazhdueshme dhe të ashpër. Së bashku me ulje-ngritjet e veta, kjo konkurencë e kaheve të kundërta ka sjellë një sërë ndryshimesh, përcjellë me gëzim, shpresë, zhgënjim dhe revoltim të fronteve përkatës. Edhe pse ndryshimet kanë rifreskuar jetën ekonomike, shoqërore dhe politike në viset shqıptare, koklavitja e herë pas hershme e jetës politike, qoftë në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni, ka ndikuar negativisht në stabilitetin e shqiptarëve në rajon, duke e rrënuar imazhin tonë në arenën ndërkombëtare.
Faturën e përçarjes së partive politike në Shqipërinë postkomuniste shqiptarët e kanë paguar disa herë. Ndërkohë kosovarët po e vuajnë prej vitesh pasojën e mungesës së unitetit politik në vend, aq sa është diskutuar herë-pas here egzistenca e tyre. Dhe tashmë kanë arritur në atë pikë ku nuk duhet të fryjë asnjë puhizë përçarjeje për interesa të rëndomta partiake. Ndërsa po kjo egërsi i shoqëroi partitë shqiptare në Maqedoni në fushatën e fundit zgjedhore. Është për të ardhur keq që në prag të momenteve të rëndësishëm për vendin tonë, po edhe për rajonin, protagonistët kryesorë të kaheve të kundërta politike në Shqipëri,Kosovë e Maqedoni kujtohen të lajnë hesapet e vjetra.

Ç”qëllim kemi kur bëjmë politikë?

Në çdo gjë ka politikë. Ndërkaq politika e atyre që përgatisin ringritjen e një kombi, duhet të jetë politika e njerëzve që, pa menduar asgjë, madje as kënaqësitë e veta apo të ngushta partiake,marrin forcë vetëm e vetëm me kënaqësitë e kombit dhe vuajnë vetëm me dhimbjet e tij. Dhe për fat të keq, sot nuk është koha e kapriçove politike. Ata politikanë që nuk drejtojnë dot grupimin e vet duhet të tërhiqen, përpara se të zhyten nën peshën e përgjegjësive që nuk do të jenë në gjendje ti ngrenë. Mbështetja tek e drejta, ndjenja e përgjegjësisë, vetëdija e detyrës si dhe aftësia dhe specializimi në çështje delikate janë kritere shumë të rëndësishme për një politikan të mirë.Me sa duket historia përsëritet. Shqiptarët, me aftësi të spikatura individuale në fusha të ndryshme e kanë shumë të vështirë të bashkëpunojnë e të gjejnë pikat e përbashkëta, e sidomos në politikë. Ndoshta politika avancon me të njëjtën egërsi të kohës së rilindjes e të pavarësisë. Ndryshon vetëm qëllimi që atëherë ka qenë shumë më madhështor dhe konkurenca ishte në kuadrin se kush zotëronte vizjonin më të gjerë për t'i shërbyer çështjes shqiptare. Të tjerat ishin detaje, ndërsa sot, janë parësore detajet e dikurshme. E rëndësishme tashmë është pushteti; makiavelistët e politikës së sotme janë gati të përdorin çdo mjet që i çon në sukseset e tyre të ngushta. Aq e fokusuar është politika shqiptare në egërsinë ndaj kundërshtarit politik saqë mund të harrojë për një kohë të gjatë zhvarrosjen e shtetasve të vetë për qefet e sekserëve të vendit. Aq e zhytur është politika jonë në pasionin e të parit të mundur kundërshtarin saqë harron të festojë arritjet e veta. Aq e egër është politika e shqıptarëve sa…

Duke pritur ditë më të mira

Hyrja në BE është një aspiratë e gjithë spektrit politik shqiptar dhe ky fakt mund të shfrytëzohet fare mirë për bashkëpunim mes forcave politike. Meqë është koha e statusit përfundimtar të Kosovës, ky moment duhet të mjaftojë për të lënë mënjanë interesat partiake. Ndërsa është çasti që shqiptarët në Maqedoni kanë arritur të jenë faktor ndikimi në politikën vendase do t'ia vlente të sakrifikoheshin disa interesa e të shiheshin rrugët e bashkimit. Më së paku, sot, nga politika shqiptare, pritet më shumë tolerancë dhe mirëkuptim për interesat e përbashkëta. Jeta politike në Shqipëri vazhdon të jetë e tendosur dhe e polarizuar. Afrimi I zgjedhjeve lokale pritet të sjellë të tjera sfida. Por me gjithë egërsinë e politikës mendoj se Shqipëria ka hyrë në rrugë të mbarë pas një periudhe ndryshimesh 16 vjçare. Shqipëria më së fundi ka një marrëveshje stabilizimi dhe asociimi me BE. Për këtë duhet të gëzohemi e jo të kërkojmë sit a shfrytëzojmë për fitimet partiake. Besoj se në Shqipëri, tashmë i ngelet politikës t'i përshtatet aktualitetit të vendit.sepse një politikë e stabilizuar reflekton një shtet të tillë. Ndërkaq mielli i mullirit shtet janë rregulli, qetësia dhe siguria. Mulliri që nuk nxjerr të tillë miell, s'bën gjë tjetër vçse zhurmë duke bluar në erë. Ndërsa urojmë ditë më të mira për Kosovën dhe Maqedoninë, presim me shpresë reflektimin sa më të shpejtë të partive politike të këtyre vendeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›