E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eggert: Do të duhet kohë për një njohje të Kosovës nga Rusia

Në konferencën “Gërmia Hill”, ku u diskutuan problemet panevropiane, nuk kanë munguar gazetarë e pjesëtarë të shoqërisë civile nga Rusia, që njihet si kundërshtarja e ashpër e pavarësisë në pothuaj çdo mekanizëm ndërkombëtar, ndërsa kjo gjë është pohuar edhe nga gazetari rus i Radios Kommersant, Konstantin von Eggert, i cili tha se duhet një punë e madhe për të ndryshuar qëndrimin e Rusisë kundrejt Kosovës.
“Nuk mendoj se ka shanse që Kosova të njihet në të ardhmen e afërt nga Rusia. Kjo kërkon ndryshime masive në qëndrimin e politikës së jashtme të Rusisë dhe në politikën e brendshme, që në thelb e sheh perëndimin si konkurrencë. Ngjarjet e vitit 1999, kur perëndimi ushtroi fuqinë për të bërë diçka, në Rusi ende shihen si të padrejta”, ka thënë Eggert.
Ai ka theksuar se shumë gjëra do të varen edhe nga zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, në relacionet ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe mundësinë e Rusisë që ta shohë perëndimin më tepër si partner sesa si kërcënim, apo konkurrencë.
Eggert tha që beson se vetëm një përmirësim i raporteve Kosovë-Serbi do të mund të ndryshonte qasjen ruse karshi shtetit të ri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›