Egjipt Mubarak para gjyqit

Egjipti nxjerr para gjyqit ish presidentin Hosni Mubarak. Në Gjykatën e Kajros, Mubarak u fut me barrelë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetsore, ndërsa kundërshtarë por dhe mbështetës kanë dalë në mënyrë masive nëpër rrugët e kryeqytetit.
Mubarak akuzohet për korrupsion dhe për lëshimin e urdhrit për vrasjen e protestuesve - një akuzë për të cilën mund të dënohet me vdekje. Dy djemtë e tij Alaa dhe Gamal, si dhe ish-Ministri i Brendshëm Habib al-Adly e gjashtë zyrtarë të tjerë përballen me akuza.
Rreth 3.000 ushtarë dhe forca rendi kanë rrethuar akademinë e policisë ku gjykohet ish presidenti. 83 vjecari u dërgua në Kajro nga spitali në qytetin turistik bregdetar të Sharm el-Sheikh, ku ai u ndalua dhe po i nënështrohet trajtimit shëndetsor, që nga muaji prill.
Gjyqtari Ahmed Refaat hapi seancën duke i kërkuar “popullit të civilizuar të Egjiptit të ruajë qetësinë ... për të garantuar që misioni i gjykatës të kryhet plotësisht... kështu në mënyrë që të kënaqim të plotfuqishmin Zot dhe ndërgjegjen tonë....".
Ekrane të mëdha janë vendosur jashtë gjykatës nga ku transmetohen pamje që askush në Egjipt nuk mendonte se do ti shihte ndonjëherë. Megjithë thirrjet dhe përplasjet, që u shënuan para fillimit të gjyqit, në momentin e hapjes së procesit mbizotëroi qetësia.
Ish-udhëheqësi egjiptian dha dorëheqjen më 11 shkurt, pas 18 ditëve protesta në sheshin Tahrir, në Kairo, ku humbën jetën 850 persona. Avokati i Mubarak këmbëngul se ish-grushti i hekurt i Egjiptit është i sëmurë rëndë. Por shumë banorë janë skeptikë në lidhje me këtë.
Gjatë muajit të kaluar ka pasur sërish protesta në sheshin Tahrir nga njerëz të zemëruar me ritmin e ngadaltë të ndryshimeve në vend, ndërsa dita ditës krijohet bindja se Këshilli i Lartë i Forcave të Armatosura në të vërtetë nuk ka si qëllim të përmbushë kërkesat e revolucionit.
Delina Bitraku