Egjipt,4.481 mld dollarë ndihmë për Gazën

Donatorët ndërkombëtarë janë zotuar për dhurimin e rreth 4.481 miliardë dollarëve për të ndihmuar ekonominë palestineze dhe rindërtimin e Gazas pas shkatërrimeve nga ofensiva tri javore izraelite. Gjiri i vendeve arabe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komisioni Europian kanë bërë zotime shumë domethënëse, megjithëse edhe vende të tjera si Turqia, Italia, Gjermania dhe Algjeria lajmëruan për kontribute. Në këtë takim, Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton premtoi 300 milionë dollarë për rindërtimin e Gazas, si dhe 600 milionë të tjerë për buxhetin e autoritetit palestinez, për reformat ekonomike, për sigurinë dhe për projektet e sektorit privat. Por ajo ka theksuar se asnjë pjesë e parave të ofruara nga Kongresi amerikan, nuk do të shkonte për lëvizjen e Hamasit. "Ne kemi punuar me autoritetin palestinez për instalimin e mbrojtjes që do të garantojë se fondet tona do të përdoren vetëm aty ku është menduar, dhe jot ë përfundojnë në duar të gabuara", deklaroi Klinton. Ndërkohë që Egjipti iu ka bërë thirrje qeverive të reja amerikane dhe izraelite që të punojnë për arrtijen e qëllimeve të marrëveshjeve të mëparshme. "Siguria e Izraelit do të arrihet vetëm përmes paqes. Iu them ndershmërisht se bisedimet për mbështetjen e ekonomisë palestineze dhe përmirësimin e situatës, nuk mund të zëvendësojë procesin e paqes dhe qëllimet politike të shtetit palestinez", është shprehur në konferencë Presidenti i Egjiptit Hosni Mubarak. Komisioni Europian ka premtuar 554.1 milionë dollarë për Gazan dhe reformat e autoritetit palestinez. Nga vendet e botës arabe, Arabia Saudite tha se do të dhurojë një miliardë dollarë, ndërsa Katari 250 milionë dollarë. Pavarësisht këtyre donacioneve, Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e tjera të ndihmës janë shprehur se rindërtimi i territorit bregdetar ishte detyrë e vështirë derisa kufiri i rrahur i Gazas me Egjiptin të vazhdonte të mbetej i mbyllur. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun tha se situate me kufirin e mbyllur është e patolerueshme. "Qëllimi ynë i parë dhe i domosdoshëm është hapja e kufirit. Por duhet garantuar gjithashtu që nëpërmjet kësaj pike kufitare të mos hyjnë armatime drejt Gazas", tha Ban Ki Mun në konferencë. Izraeli dhe Hamasi nuk ishin të ftuara në konferencën e Sharm el Sheikut, e cila u thirr nga Egjipti pas konfliktit tri javor në Rripin e Gazës në janar të këtij viti. Megjithatë, Presidenti i autoritetit palestinez Mahmud Abas mori pjesë në konferencë. Ai tha gjatë konferencës se Bregu Perëndimor dhe Gaza duhet të bashkohen dhe të krijojnë një qeveri palestineze bashkimi që të punojë për të mirën e vendit. Ofensiva izraelite në Rripin e Gazës shkaktoi vdekjen e rreth një mijë e 300 palestinezëve, si dhe plagosjen e të paktën pesë mijë të tjerëve, ku një pjesë e madhe e viktimave ishin gra e fëmijë. Gjatë konfliktin u vranë gjithashtu edhe 13 izraelitë. Vendet perëndimore i shmangen lëvizjes së Hamasit, pasi ky i fundit refuzon të njohë shtetin e Izraelit.