Çeku priti komandantin e ri të KFOR-it

Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Agim Çeku së bashku me komandantin e FSK-së - gjenerallejtënant, Sylejman Selimin e kanë pritur të martën komandantin e ri të KFOR-it, gjeneral majorin Erhard Drews.
Ministri Çeku, pasi i uroi emërimin e tij, në detyrën e komandantit të KFOR-it, gjeneralin Drews e njoftoi me të arriturat e FSK-së, në të gjitha lëmitë, në përmbushjen e detyrave, misionit dhe të obligimeve kushtetuese, si dhe për punën e vazhdueshme që po bënë Ministria dhe FSK-ja, për plotësimin e kapaciteteve të plota operacionale.
Ministri Agim Çeku është shprehur i bindur se do të vazhdojë bashkëpunimin e mirë edhe me komandantin e ri të KFOR-it, dhe ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej, në mes FSK-së dhe KFOR-it.
Kurse komandanti i ri i KFOR-it, gjeneral major Erhard Drews u shpreh i kënaqur me të arriturat e Ministrisë dhe FSK-së, si dhe me punën që po bëhet në plotësimin e kapaciteteve të plota operacionale.
Ai me këtë rast, premtoi vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë në mes të KFOR-it dhe MFSK-së dhe FSK-së.
Ndryshe kjo ishte vizita e parë e komandantit të ri, në detyrë, të KFOR-it në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.