Rikthehen reduktimet e ashpra të KEK-ut

Pas paralajmërimeve nga Korporata Energjetike e Kosovës javë më parë për fillimin e reduktimeve, për shkak të remonteve që duhet bëhen në blloqet, për tu përgatitur për stinën e dimrit dhe pas anulimit të vendimit të KEK-ut nga ZYRRE-ja, për zbatimin e rregullave për konsumatorët me prioritet të korporatës, ditëve të fundit reduktime të mëdha të energjisë elektrike kanë përfshi tërë vendin, duke dëshmuar se “avaritë” e shpeshta në KEK janë kthyer në një dukuri të pakalueshme.
Sipas informacioneve të Kosovapress-it reduktime të mëdha pa ndonjë orar të përcaktuar, janë duke u aplikuar në tërë Republikën e Kosovës, duke mos përjashtuar as kryeqytetin e Republikës, Prishtinën.
Reduktimet vinë vetëm pak ditë pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), e cila ka miratuar kërkesën e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) për anulimin e vendimit të KEK-ut për zbatimin e rregullave për konsumatorët me prioritet të korporatës.
Sipas këtij vendimi të KEK-ut, konsumatorët me prioritet duhet të siguronin garancinë e pagesës me para të gatshme prej 25 për qind të shumës së vlerësuar vjetore të faturimit të energjisë elektrike. Po ashtu, konsumatorët me prioritet duhet të nënshkruanin Direkt Debitin, si dhe njehsori i secilit biznes duhet të mos jetë i figuruar se ka borxhe.
Kosovapress ka provuar kontaktojë zyrtarin për informim në Korporatën Energjetike të Kosovës për të marrë sqarime lidhur me këto reduktime, por ishte i pamundur kontaktimi i tij.
Qytetarët e Kosovës edhe 12 vjet pas përfundimit të luftës vazhdojnë të përballen me mungesë të energjisë elektrike, pavarësisht sezonit veror, apo dimëror. Derisa gjatë dimrit në KEK arsyetohen se reduktimet vijnë si pasojë e prishjeve në sistem dhe konsumit të lartë, reduktimet me energji elektrike po zbatohen edhe në këto ditë vere.
KEK-u, përveç që nuk i furnizon qytetarët e Kosovës rregullisht me energji elektrike, ai zbaton edhe masën e shkyçjeve kolektive, gjë e cila paraqet shkelje të të drejtave të njeriut.
Po ashtu, ndotja e ambientit që shkaktojnë termocentralet e kësaj Korporate si rezultat i filtrave që janë vendosur para 60 vjetësh, ka shtyrë shumë herë banorët e komunës së Obiliqit që të protestojnë dhe madje edhe të bllokojnë hyrjen për në termocentrale.
Ndryshe, KEK-u sipas anketës së fundit të UNDP-së me qytetarë, është shpallur serish kampion për korrupsion në Kosovë.