E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shahini: Në Kosovë mungojnë investitorët

Nga Express më 13 shtator 2011 në ora 17:06

Me qellim të ngritjes së bashkëpunimit dhe te investimeve te përbashkëta, Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe Klubi i Biznesit Izraelito-Maqedon, të martën kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, me të cilin parashihet shkëmbimi tregtar në fusha të ndryshme të ekonomisë.

Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i AKB-së, Agim Shahini dhe kryetari i Klubit te Biznesit Izraelito-Maqedon, Dejan Dejanov. Marrëveshja parasheh një bashkëpunim në sektorin e energjetikës, të edukimit, informatikës, agrobiznesit dhe infrastrukturës.

Me këtë rast, kryetari i AKB-së, Agim Shahini tha se marrëveshja e arritur në mes AKB-së dhe Klubit të Biznesit Izraelito-Maqedon, do të jetë një mundësi e mirë, pasi sipas tij, bashkërisht tash do të asistohet që të tërheqim investitorët për të investuar në Kosovë.

“Sot po nënshkruaj një akt solemn, akt i cili do të vë në binarë bashkëpunimin e parë mes Kosovës, Izraelit, por edhe vendeve të tjera. Ne në aspektin ekonomik jemi të prirë që të promovojmë vlerat tona dhe këto vlera nuk kanë pengesa që të realizohen në vende të ndryshme të botës. E dimë që në Kosovë mungojnë investitorët, ata investitorë duhet që të vinë në Kosovë, por edhe Kosova duhet që të bënë hapa konkret për thithjen e këtyre investimeve, duke përmirësuar infrastrukturën ligjore, infrastrukturën fizike. Në këtë mënyrë duke bërë Kosovën vend joshës për investime, investime këto që do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e mirëqenës së qytetarëve, por edhe rritjen e investimeve dhe eksportit”, ka thënë Shahini.

Nga ana tjetër, Dejan Dejanov, kryetari i Klubit të Biznesit Izraelito-Maqedon, duke shprehur kënaqësinë për arritjen e marrëveshjes me AKB-në, tha se ky bashkëpunim nuk do të mbetet vetëm ne mes të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë, por me këtë do të synohet një bashkëpunim edhe me shtetin e tretë, atë të Izraelit.

“Kemi planet e para, që ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë të kemi bashkëpunim në fushën e energjisë së përgjithshme elektrike, të agrobizneseve, në sektorin e mjekësisë dhe në sektorin e farmacisë, sektorin e turizmit. Për arsyeje sepse mendoj se si Republika e Maqedonisë, ajo e Kosovës si dhe ajo e Shqipërisë kanë kapacitete të mjaftueshme, për turizëm, por që nuk i kanë shfrytëzuar ende”, ka thënë Dejanov.

Për më tepër, ai ka shtuar se në kuadër të marrëveshjes, karakteristikë e bashkëpunimit parashihet të jetë edhe fusha e teknologjisë informative, sepse sipas tij, pa zhvillimin e teknologjisë informative nuk do të ketë sukses në fushat, të cilat planifikohet të bashkëpunohet.

Në saje të këtij bashkëpunimit, në dhjetorë është paraparë edhe një takim tjetër në Maqedoni mes bizneseve kosovare dhe bizneseve të disa shteteve të rajonit. Në këtë takim parashihen të jenë prezentë 5 shtete të ndryshme, si Kosova, Izraeli, Maqedonia, Bosnja dhe Shqipëria.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›