E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipti mobilizon Obamën

Nga Express më 30 janar 2011 në ora 13:14

Presidenti amerikan, Barack Obama, është takuar për më shumë se një orë me zëvendëspresidentin Joe Biden, me këshilltarin për siguri kombëtare, Tom Donilon dhe këshilltarë të tjerë të sigurimit, për të diskutuar për trazirat në Egjipt.

Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, presidenti tha përsëri se është kundër dhunës dhe bëri thirrje për përmbajtje, se mbështet të drejtat që Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë universale dhe përparimin konkret drejt reformave politike në Egjipt.

Administrata Obama nuk ka reaguar ende zyrtarisht ndaj njoftimit të presidentit egjiptian Hosni Mubarak, për emërimin e shefit të zbulimit, Omar Suleiman, në postin e zëvendëspresidentit. Suleiman do të jetë zëvendëspresidenti i parë i Egjiptit, që kur Mubarak erdhi në pushtet rreth 30 vjet më parë.

Pak para këtij njoftimi, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Philip Crowley, shkruante në rrjetin e komunikimit social Tëitter se "zotimi i Presidentit Mubarak për reforma duhet të shoqërohet me veprime”.

Presidenti Obama tha gjatë fundjavës se i ka përcjellë një porosi të ngjashme Mubarakut, gjatë bisedës 30 minutëshe telefonike me të. Obama tha se i bëri thirrje udhëheqësit egjiptian që të përmbahet nga përdorimi i dhunës.

"Dhuna nuk zgjidh pakënaqësitë e popullit egjiptian. Shtypja e ideve nuk ka sukses në zhdukjen e tyre”, tha Obama.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›