Hungarezët protestojnë kundër censurës
Mijëra hungarezë kanë protestuar kundër ligjit të medieve, të miratuar nga qeveria e qendrës së djathtë e kryeministrit, Viktor Orban. Kundërshtarët e këtij ligji dhe protestuesit kanë deklaruar se ky ligj i çel rrugën censurës dhe kontrollit të rreptë të lirisë së medieve.
Tubimi i cili është organizuar para godinës së Parlamentit në Budapest është i dyti që organizohet këtë muaj. Rreth 10 mijë protestues morën pjesë në këtë protestë.
Edhe në tubimin e parë kanë marrë pjesë një numër i madh njerëzish. Ligji që hyri në fuqi këtë muaj është kritikuar nga qeveritë dhe gazetat në të gjithë Evropën, duke i krijuar probleme edhe presidencës evropiane këto 6 muaj, duke qenë se është Hungaria vendi që drejton BE.
Ligji ka parashikuar një komision, i cili do të mbikëqyrë dhe vendosë gjoba shumë të mëdha për ato organet mediatike që do të bien në kundërshtim me pikat e ligjit.
Ndërkohë reagimi nga Bashkimi Evropian ka qenë i menjëhershëm.
Kështu, BE i ka bërë të ditur Hungarisë se ka dyshime serioze në lidhje me përputhjen e ligjit hungarez me ligjet e vendeve të BE-së.